Last Updated on 19/03/2026 by EL
Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj ka uruar një agjërim të pranuar për të gjithë besimtarët që agjëruan në muajin e Shenjtë të Ramazanit.
“Me rastin e festës së Fitër Bajramit, uroj të gjithë besimtarët myslimanë, gëzuar e mbarësi paçi gjithmonë në familjet e juaja. Qoftë agjërimi dhe përkushtimi juaj i pranuar! Qoftë kjo festë një ditë gëzimi dhe solidariteti për të gjithë!”, ka shkruar Begaj në postimin e tij.
Fitër Bajramin e ka uruar edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta (i cili aktualisht ndodhet në qeli) përmes një postimi në rrjetet sociale. Në këtë ditë të veçantë, Meta ka uruar që shpresa të rritet në zemrën e çdo shqiptari.
“Shpresa le të rritet dhe të forcohet në zemrën e çdo shqiptari! GËZUAR FITËR BAJRAMIN!”, ka shkruar mes të tjerash Meta.
Fitër Bajrami vjen pas një muaji sakrifice për besimtarët myslimanë që kanë agjëruar në këto ditë të bekuara të Ramazanit dhe pas Natës së Kadrit, natë në të cilën në fenë Islame thuhet se ka zbritur libri i shenjtë, Kurani, në tokë./et
