Recension/ Anderson krijon piktura figurative me një paprekshmëri ëndërrimtare, duke eksploruar trashëgiminë e tij britaniko-zezak dhe xhamajkane me një intensitet tronditës, të brishtë dhe të pazgjidhur.
Eddy Frankel
“Ne dhe ata”, “atëherë dhe tani”, beton dhe xhungël, pranim dhe refuzim… Birmingham dhe Xhamajkë. Bota e Hurvin Anderson përcaktohet nga kontraste që përplasen, nga konflikte që nuk mund të zgjidhen kurrë.
Qasja e artistit britanik ndaj pikturës figurative – e zbehur, e mjegullt, e përshkuar nga një nxehtësi e rëndë – është përpjekja e tij për t’i dhënë kuptim një bote pa kuptim. Fakti që ai nuk arrin ta bëjë këtë – që ti largohesh nga kjo retrospektivë e madhe, prekëse dhe shpesh shumë e bukur në Tate Britain me më shumë pyetje sesa përgjigje – nuk do të thotë se ai ka dështuar. Përkundrazi.
Në Birminghamin e viteve ’90, ku u rrit, Anderson nisi të pikturonte nga fotografitë – foto familjare, imazhe të gjetura në kuti të pluhurosura. Një grua me një fustan me motive duket sikur shkrihet në sfondin e tapetit pas saj. Figura që zbresin nga një avion shndërrohen ngadalë në fantazma. Motra e tij e rritur ulet pranë vetes si fëmijë.
Një fotografi mund të premtojë një lloj të vërtete nostalgjike, por sapo Anderson e pikturon, gjithçka shpërbëhet. Distanca gjeografike, e shkuara dhe e tashmja – gjithçka bëhet e pakapshme.
Kjo sepse Anderson – një britanik me ngjyrë me prejardhje nga Karaibet – përpiqet të përpunojë njëkohësisht shumë ide mbi përkatësinë dhe historinë. Një pikturë e madhe e motrës dhe mbesës së tij mbi një liqen të ngrirë në Kanada i paraqet fytyrat e tyre pa asnjë tipar. Ato janë aty, por nuk i përkasin vendit. Ai pikturon pishinën lokale Wyndley në Birmingham si një ëndërr moderniste febrile, por nga një distancë, sikur të mos ishte për të.
Pastaj pikturon një pemë molle të mbivendosur mbi një pemë mangoje, duke imagjinuar vëllanë e tij që vjedh fruta në Angli për njërën dhe në Karaibe për tjetrën. Identiteti këtu është një gjë e brishtë, që çahet lehtësisht.
E vetmja herë kur ky konflikt ndalet është në berberhane. Ky është një vend i shenjtë; një vend ku njerëzit me ngjyrë mund të përkasin pa refuzim. Ai e pikturon bosh, të qetë dhe si kishë – pastaj të mbushur, me fytyra klientësh të përsëritura si në një sallë pasqyrash, me mure të mbuluara me foto të Martin Luther King Jr dhe Malcolm X. Një portret i vetëm tregon një burrë të ulur në karrigen e berberit, me shpinë nga shikuesi, kokën e ulur sikur në lutje.
Në këtë pikë, Anderson braktis mjerimin gri dhe të rëndë të Anglisë në favor të bukurisë së harlisur, të lagësht dhe tropikale të Karaibeve. Por atmosfera mbetet po aq shtypëse.
Në fillim të viteve 2000, ai shkoi në Trinidad dhe Tobago dhe pa grila hekuri sigurie para dyqaneve, gardhe metalike rreth pronave private. Ato jo vetëm kornizonin pamjen, por edhe të mbanin jashtë. Sërish “ne dhe ata”, por tani e bërë fizike. Ai pikturon klube elitare pas gardheve, hotele që rimerren nga xhungla. Gjithçka duket sikur po shpërbëhet.
Të njëjtat tema dhe ide, madje edhe të njëjtat imazhe, ripërpunohen vazhdimisht. E njëjta berberhane, e rikompozuar në forma të ndryshme; e njëjta grilë e kuqe që kornizon pamje të ndryshme; e njëjta grua përpara të njëjtit tapet. Kalon nga një dhomë në tjetrën dhe mendon: “Mos e pashë këtë më parë?” Po, por jo tamam. Është si të endesh në kujtimet e dikujt tjetër.
Sepse pikërisht kjo ndodh. Ai i ripikturon këto skena jo sepse kujtimet ndryshojnë, por sepse ndryshon vetë ai. Nuk mendon njësoj për vendet e fëmijërisë ndërsa rritesh. Kështu, Anderson vazhdon t’i përpunojë.
Por, ndryshe nga Peter Doig (po ashtu një piktor i rëndësishëm i kujtesës dhe Karaibeve), kjo nuk është vetëm një përpjekje emocionale për t’u përballur me të kaluarën; është edhe thellësisht politike. Hotelet xhamajkane që ai pikturon u ndërtuan për vizitorë të bardhë, në një vend të ndërtuar mbi skllavëri dhe shfrytëzim kolonial. Ai pikturon hapësira të zeza me figura të zeza, hapësira të bardha që përpihen nga xhungla, rrugë dhe gardhe që ndajnë një vend më dysh, një histori koloniale që rikthehet në të tashmen post-koloniale.
Pikturat janë të përndjekura nga skllavëria, kolonializmi dhe identitetet që përplasen, sepse edhe ai vetë është i përndjekur nga këto, sepse edhe Karaibet dhe Britania janë të përndjekura prej tyre.
Por, mbi të gjitha, është pikturë jashtëzakonisht e bukur. Anderson kombinon forma gjeometrike moderniste me shtresa ngjyrash të rrjedhshme dhe gjestuale, duke përplasur figuracionin e lirë me struktura minimale. Në dhomën e parafundit, përballë pesë pikturave të ndryshme të së njëjtës shkallë betoni në një xhungël që transformohet vazhdimisht, humbesh në shenja, ngjyra, blu të ndezura, vjollcë pulsante dhe jeshile të thella. Është mahnitëse.
Dhe gjithçka mbetet e mbështetur mbi një ndjesi konflikti të pazgjidhur. Por kush ka nevojë për zgjidhje, kur piktura është kaq e mirë?
Përgatiti për botim: L.Veizi
