Nga Leonard Veizi
Më 12 tetor 1999, Kombet e Bashkuara shënuan simbolikisht lindjen e banorit të 6-miliardtë të planetit. Një vit më vonë, më gusht 2000, njerëzimi kishte tashmë 6,1 miliardë njerëz.
Sot, 26 vjet më vonë, jemi 8.300.678.395. Ky është vlerësimi i Worldometer për 1 korrikun 2026, mbi bazën e të dhënave të OKB-së.
Në një çerek shekulli, Tokës iu shtuan 2,1 miliardë njerëz. 2,1 miliardë gojë të tjera për tu ushqyer, trupa për tu veshur, shtëpi për tu ngrohur, spitale, shkolla dhe vende pune për tu ndërtuar. Mbi të njëjtin planet, që nuk është zgjeruar asnjë centimetër.
Këtu mbaron statistika dhe fillon politika.
Nuk është vetëm sa jemi, por si jetojmë
Gabimi klasik i debatit mbi popullsinë është ta shohësh krizën vetëm si numër. Sikur problemi të ishin vetëm lindjet në Afrikë apo Azi.
E vërteta është më e sikletshme: një miliard njerëz shtesë në një shoqëri me konsum të ulët nuk i bëjnë planetit dëmin që i bën një miliard njerëz që duan dy makina, tre kondicionerë, fluturime low-cost çdo muaj dhe dollapë plot me rroba që nuk vishen kurrë.
Dhe kjo ndodhi mes 2000-ës dhe 2026-ës. Ndërsa popullsia u rrit me 35%, konsumi global shpërtheu. Vende që në vitin 2000 luftonin për bukën, sot kërkojnë të drejtën legjitime për frigorifer, makinë dhe ajër të kondicionuar. Në të njëjtën kohë, vendet e pasura nuk e kanë ulur as edhe një gram oreksin e tyre.
Prandaj ekuacioni nuk është 6 miliardë vs 8,3 miliardë. Ekuacioni është 8,3 miliardë njerëz me oreksin e një qytetërimi që konsumon sa për tre planetë.
31 Korriku që duhet të na trembë
Më 31 korrik 2026 erdhi fatura. Sipas Global Footprint Network, ishte Earth Overshoot Day – dita kur njerëzimi konsumoi gjithçka që Toka mund të rigjenerojë për një vit.
Nuk do të thotë se më 1 gusht mbaroi nafta apo uji. Do të thotë diçka më të rrezikshme: prej 1 gushtit jetojmë duke ngrënë kapitalin, jo interesin. Presim pyje më shpejt se sa rriten. Pompom ujë nga nëntoka më shpejt se sa rimbushet. Peshkojmë më shumë se sa riprodhohet deti. Emetojmë më shumë CO2 se sa mund të thithin pyjet dhe oqeanet.
Tragjedia e këtij sistemi është se fatura nuk vjen në moment. Mund ta shkatërrosh një akuifer sot dhe ta kuptosh krizën pas 20 vjetësh. Mund të presësh një pyll sot dhe pasojën klimatike ta shohësh kur fëmijët e tu të jenë të rritur. Për sa kohë uji del nga rubineti dhe ushqimi është në supermarket, ne krijojmë iluzionin se gjithçka funksionon.
Paradoksi i shekullit XXI
Në vitin 2000, OKB-ja parashikonte se në 2050 do të shkonim te 8,9 miliardë. Sot e dimë se rritja po ngadalësohet ndjeshëm. Njerëzimi nuk do të shumëzohet pa fund. Tranzicioni demografik po ndodh.
Por këtu qëndron paradoksi i madh i kohës sonë: popullsia po ngadalësohet, ndërsa kërkesa për standard jetese po përshpejtohet.
Dhe këtu nuk mund të bëjmë moral të rremë. Nuk mund t’i thuash një familjeje në Afrikë apo në Azinë Juglindore që sapo ka vënë dritën dhe frigoriferin, “konsumo më pak”, kur një familje mesatare në Perëndim konsumon për 10 të tilla.
Kriza ekologjike është njëkohësisht krizë e pabarazisë.
Është mbi të gjitha krizë e një modeli ekonomik që njeh vetëm një fjalë: më shumë. Më shumë prodhim, më shumë shitje, më shumë transport, më shumë energji. Një sistem që mat suksesin vetëm me rritje, do të përplaset herët a vonë me një fakt fizik: planeti ka kufij.
Teknologjia do të ndihmojë – me panele diellore, makina elektrike, bujqësi precize, riciklim. Por asnjë teknologji nuk shpëton dot një qytetërim që çdo kursim e kthen në një arsye për të konsumuar më shumë.
Dilema e pyetjes
Pyetja nuk është, siç e shtrojnë katastrofistët, “a do të mbijetojë Toka?”. Toka do të mbijetojë. Ka mbijetuar pas zhdukjeve masive shumë më të mëdha se ne.
Pyetja e vërtetë është: a do të mund të jetojmë ne mbi të pa e bërë jetën tonë shumë më të vështirë, më të shtrenjtë dhe më konfliktuale?
Nga 6 në 8,3 miliardë, problemi nuk u bë numri. Problemi u bë mendësia.
Dhe zgjidhja nuk është as të ndalojmë lindjet, as të fantazojmë arratisjen në Mars. Zgjidhja është të ndërtojmë një ekonomi që di të ushqejë 8,3 miliardë njerëz pa vjedhur çdo vit nga pasuria e atyre që nuk kanë lindur ende.
Sepse ne sillemi sikur kemi tre Toka në dispozicion.
Por në fakt kemi vetëm një.
