Last Updated on 24/03/2026 by Anisa
Nga Reldar Dedaj
Në vitin e trembëdhjetë të qeverisjes, Shqipëria s’mund të quhet pa pluralizëm, veçse ky shëmbëllen më shumë me një pluralizëm klanesh sesa me një pluralizëm programor dhe dita-ditës shtohet rreziku që klani më i fortë t’i nxjerrë të tjerët nga skena politike dhe të shndërrohet në një mafie në pushtet. Kur themi “klan”, mendja na thotë se duhet të kemi parasysh një grup njerëzish shumë më të mbyllur se partitë, që marrëdhëniet me të tjerët i konceptojnë në terma konflikti dhe jo dialogu, që anëtarëve të vet u kërkon investim të fortë emocional, që brenda vetes nuk respekton ligjin, por besnikërinë dhe shërbimin, që, për shumë nga arsyet e lartpërmendura, zhvillon nepotizmin dhe ku personat e dytë i shmangen gjithnjë e më shumë lavdisë dhe përgjegjësisë personale për t’ia lënë atë kapos, i cili mishëron dhe identifikon klanin. Pra, e thënë shkurt, ajo çfarë ka ndodhur mbi një dekadë në këtë vend, më në fund, ka bindur këdo se Shqipëria i përngjason një qenieje që kokën e ka kthyer nga Europa, por që me trup ka mbetur në Azi dhe vazhdon e vuan kontradiktën midis dëshirës për ta kapërcyer këtë hendek në mënyrë të menjëhershme dhe pamundësisë reale për ta kryer këtë.
Mbi një dekadë, logjika klanore e Edi Ramës karakterizohet nga ideja e atij që kërkon dhe bën të pamundurën për të siguruar një mbështetje nga jashtë, me qëllimin për të shtypur dhe sunduar ata që ka brenda dhe po ashtu, që është aq i egër brenda sa ç’është servil e i nënshtruar ndaj të madhit jashtë. Ky mentalitet e ka detyruar qytetarin shqiptar të ndihet dy herë skllav, një herë ndaj sunduesit shqiptar dhe një herë tjetër ndaj padronit të tij të huaj. Për ta përmbledhur më qartë një ide të tillë, mund të themi pa frikë se Shqipëria po vazhdon ende të jetë e kërrusur nga pesha e aktiviteteve të rrjeteve të narkotrafikut, nga një qeveri e shkrirë qartësisht me këtë rrjet, nga një kryeministër arrogant që s’heq dorë nga kapja e pushtetit, nga një shoqëri e pafuqishme për t’u përballur me këtë gjendje, qoftë për shkak të përgjegjësive të veta, qoftë për shkak të degradimit të situatës; media të kontrolluara, elita akademike të korruptuara e të nënshtruara dhe një shoqëri civile e vënë e gjitha në shërbim të qeverisë.
Pyetja është se ku qëndrojnë këtu ndërkombëtarët, ata që shqiptarët i shohin si zgjidhje dhe si zgjedhje në raste të caktuara, ata që kur duan ndikojnë dhe i japin zgjidhje gjendjes, por që prej trembëdhjetë vitesh as nuk shohin dhe as nuk kanë parë se çfarë ka ndodhur këtu, në vendin ku Edi Rama, me statusin e kryeministrit, udhëheq si shef i klanit. Sali Berisha, si drejtues i forcës më të madhe opozitare në vend, mund të ketë shumë gabime, edhe shumë mangësi, edhe mund të ketë vepruar në të shumtën e rasteve në mënyrë të gabuar, edhe mund të jetë pikërisht ashtu siç ne nuk do e donim, por, në fund të fundit, vazhdon të jetë e vetmja siguresë që, me shumë vështirësi, po e mban tharmin e rezistencës njerëzore si barrikadë përfundimtare ndaj kësaj autokracie të krijuar tash e sa vite, edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve. Vetëm një ditë më parë, qytetarët dhe mediat ishin dëshmitarë të dështimit të një proteste të thirrur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për ngritjen e çmimit të karburantit në vend. As dhjetë vetë nuk ishin mbledhur. Më herët, Partia Demokratike, nën drejtimin e tij, për të disatën herë mbushi bulevardin dhe kapi gjithë titujt e mediave më prestigjioze të botës. Nuk është pak. Jemi prej trembëdhjetë vitesh në autokraci. Qytetarët shqiptarë as nuk kanë parë dhe as nuk kanë dëgjuar asnjë konferencë shkencore nga universitetet shqiptare, qofshin ato private apo publike, në lidhje me modelin ekonomik të vendit; intelektualët dhe artistët duket se janë zhdukur, secili prej tyre mundohet të sigurojë mbijetesën e përditshme; mediat duken të nënshtruara dhe të pafuqishme për të reaguar; biznesi në vend është shndërruar si ato qentë e vegjël me zinxhir floriri në qafë që tundin bishtin sa herë pronarët e tyre u hedhin biskota sa nga njëri cep te tjetri i divanit. Të gjithë kanë kapitulluar.
Siguresa e fundit që vazhdon dhe po mban në lojë demokracinë dhe pluralizmin në vend është, duam apo s’duam ne, Sali Berisha dhe Partia Demokratike. Askush nuk ka fuqinë, pas trembëdhjetë vitesh opozitë, të dalë përballë pushtetit të Edi Ramës; të gjitha siguresat e tjera që mund të kontrollonin pluralizmin dhe demokracinë në vend janë ulur dhe, me shumë gjasa, vështirë të ngrihen më. Nuk po e bën edhe kaq mirë, nuk po e bën ashtu siç do duhej, kjo është tjetër çështje; ajo çfarë sot ka rëndësi është se në këmbë po vazhdon të qëndrojë, me 100 e ca vështirësi, vetëm Partia Demokratike, i vetmi institucion publik që ka kurajon dhe forcën, të paktën deri më tani, për t’i dalë përballë autokracisë së Edi Ramës dhe që, për fatkeqësi të vendit, ndërkombëtarët dhe trupi diplomatik as nuk e shohin dhe as nuk duan ta shohin në të ardhmen.
Sot, dilema nuk mund të jetë më aq abstrakte sa mendohej dikur. Kryeministri Edi Rama, me mandatin e tij të katërt, nuk fitoi vetëm të drejtën për të qeverisur vendin, por edhe, në mënyrë tashmë thuajse tradicionale për Ballkanin Perëndimor, të drejtën për ta shpërfillur opozitën. Por, nga ky moment, paqartësia më e madhe nuk lidhet më me qeverinë, por me vetë opozitën: si do të jetë ajo, kush do ta udhëheqë dhe çfarë rrëfimi do të prodhojë? Kritikët flasin për domosdoshmërinë e një ndryshimi të menjëhershëm, duke filluar që nga kreu, duke iu referuar logjikës së njohur popullore se “peshku qelbet nga koka e jo nga bishti”. Ajo që është e qartë, nëse opozita do ta marrë seriozisht këtë kritikë, është se e vetmja opozitë ndaj Edi Ramës në të ardhmen do të jetë vetë Edi Rama. Vendi, në një masë të madhe, do të varet nga ajo çfarë do të thotë “opozitari Rama” për vendimet e “kryeministrit Rama”. Ky i fundit do të detyrohet të jetë, njëkohësisht, edhe prokuror, edhe avokat mbrojtës, edhe gjykatës i veprimeve të veta dhe, në mbrëmje, do të detyrohet të shndërrohet në shpërndarës batutash në debatet televizive. Ligjërimi i aktorëve ndërkombëtarë duhet të synojë bashkëpunimin institucional me kryetarin e forcës më të madhe opozitare në vend, sepse askush tjetër nuk mund t’u imponojë me forcë demokratëve, edhe pse në të kaluarën një eksperiment i tillë u përdor, kryetarin e tyre. Sali Berisha nuk është një kryetar i një partie të madhe, por mbi gjithçka tjetër ishte dhe do të mbetet, sa të jetë gjallë, një realitet politik i pashmangshëm. Sigurisht që shpresa vdes e fundit, por edhe historia na e rrëfen këtë, se faktori ndërkombëtar, nga njëra anë, dhe politika shqiptare, nga ana tjetër, sa herë u është dashur të gjendet një gjuhë e përbashkët, qoftë kjo për qëllime të caktuara politike apo edhe personale, palët kanë ditur të shkrijnë akujt dhe të ulen, thuajse si me magji, në tryezat e bisedimeve. Dhe, në shumë raste, janë arritur zgjidhje, pikërisht ashtu siç i kanë kërkuar vetë./fjala.al
