Last Updated on 06/05/2026 by Anisa
Ish-zv.kryeministrja Ermelinda Meksi ka reaguar me një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të profesor Servet Pëllumbi, duke e vlerësuar si një nga figurat më të rëndësishme dhe më dinjitoze të politikës shqiptare.
Në reagimin e saj, Meksi thekson se Pëllumbi ishte një nga drejtuesit më të urtë të Partia Socialiste e Shqipërisë në vitet më të vështira të saj. Ajo kujton rolin vendimtar që ai luajti në periudhën 1992–1997, kur kryetari i atëhershëm i PS, Fatos Nano, ndodhej në burg.
Sipas saj, në ato vite të vështira opozite, profesor Pëllumbi mbajti mbi supe përgjegjësi të mëdha, duke drejtuar partinë me maturi, guxim dhe integritet, ndërsa arriti të ruajë unitetin dhe dinjitetin e saj.
“Për mua, puna dhe bashkëpunimi me të nuk ishte thjesht një përvojë profesionale, por një kujtim që do ta mbaj gjithmonë me vete,” shprehet Meksi, duke nënvizuar se qetësia, mënyra e të dëgjuarit dhe vendimmarrja e tij do të mbeten të paharrueshme.
Reagimi i plotë:
Sot u nda nga jeta profesor Servet Pëllumbi, një figurë e shquar e politikës shqiptare dhe një nga drejtuesit më të urtë e dinjitozë të Partisë Socialiste te Shqipërisë në vitet më të vështira të saj.
Në periudhën e rëndë të opozitës 1992–1997, kur kryetari i PS, Fatos Nano ishte në burg, ai mbajti mbi supe përgjegjësi të mëdha dhe e drejtoi partinë me maturi, guxim dhe integritet.
Nën drejtimin e tij, Partia Socialiste ruajti dinjitetin dhe unitetin edhe në kohët më të vështira. Ai ishte një drejtues i rrallë që nuk u përkul përballë vështirësive dhe që frymëzonte besim, maturi dhe kurajë.
Për mua, puna dhe bashkëpunimi me të nuk ishte thjesht një përvojë profesionale, por një kujtim që do ta mbaj gjithmonë me vete. Fjalët e tij të qeta, mënyra si dëgjonte dhe si vendoste, do mbeten të gjalla në kujtesën time.
Sot ndjej jo vetëm respekt, por edhe dhimbje për largimin e një njeriu të rrallë, intelektuali dhe udhëheqësi që i dha shumë këtij vendi.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij të shumtë!
U prehsh në paqe, Profesor! Do të na mungosh.
