Last Updated on 25/03/2026 by Anisa
Mungesa e Elisa Spiropalit në votimin për heqjen e imunitetit të Belinda Balluku në Kuvend ditën e votimit ka ndezur jo thjesht debate, por edhe zërat për rivalitete brenda PS‑së, një konflikt midis klaneve që tashmë ka dalë në sipërfaqe.
Kjo mungesë, zyrtarisht e pa shpjeguar në detaje, çoi kreun e grupit parlamentar të PS‑së, Taulant Balla, drejt një reagimi publik. I pyetur gjatë një konference ai njoftoi se do të marrë një vendim në konsultim me grupin parlamentar socialist në lidhje me mungesën e Elisa Spiropalit në seancën për Belinda Ballukun.
Reagimi i Spiropalit, i shprehur në një postim në Facebook, ishte dukshëm sfidues. Ajo e mbështeti idenë e konsultimit, por me një ton që rikujton publikisht Ballën mbi rëndësinë e vendimmarrjes kolektive dhe diskutimit të hapur:
“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr. Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut.”, shkruan Spiropali.
Në seancën parlamentare të 12 marsit, Kuvendi vendosi që SPAK‑ut të mos i lejohet heqja e imunitetit të Ballukut, një vendim i marrë kryesisht me votat e maxhorancës socialiste, pavarësisht kërkesës së prokurorisë për hetim më të thellë. Por në listën e mungesave gjatë votimit ishte edhe Spiropali, e cila nuk ishte në sallë në një nga çështjet më delikate të tryezës politike.
Çfarë fshehin këto lëvizje?
Në qarqet e brendshme të PS‑së, përplasjet mes Spiropalit dhe Ballukut nuk janë diçka e re. Mediat dhe analistët raportojnë prej kohësh për tensionet mes këtyre dy figurave, duke dekoduar se Balluku në pozicionin e ish‑Zëvendëskryeministres ka shfaqur qasje të forta brenda strukturave të partisë, ndonjëherë edhe në çështje ku Spiropali kishte rol dominues më parë.
Në disa publikime të mëparshme (edhe pse jo të verifikuara si burime zyrtare), është raportuar se Balluku ka trajtuar Spiropalin si rivale, duke përfshirë edhe lëvizje strategjike në fushata apo pozicionime brenda strukturave të PS‑së, çka ka ushqyer spekulimet për një “luftë për influencë” mes dy fraksioneve të brendshme.
Analistët politikë e shohin largimin e Elisa Spiropalit, nga detyra e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, pas një periudhe relativisht të shkurtër në këtë post si pikën kulmore të një tensioni: njëra palë rreth Spiropalit dhe një tjetër rreth Ballukut, me influencë dhe aleatë të ndryshëm brenda radhëve socialiste. Mungesa në votim dhe reagimet pasuese duket se zbulojnë më shumë sesa thjesht një devijim procedural parlamentar, ato ngrenë pyetjen nëse PS‑ja po përballet me një ndarje të vërtetë në fraksione politike, ku çdo vendimmarrje bëhet terren për betejë pushtetesh.
Në këtë prizëm, reagimi i Spiropalit tërheq vëmendjen e opinionit publik jo vetëm si mbrojtje e një procedure, por si sfidë e hapur, çka mund të tregojë se brenda PS‑së ka filluar një konflikt më strategjik./A.D
