Pasarelat e modës kanë rrënjë që datojnë që në vitet 1800, në sallonet e modës së lartë në Paris. Në atë kohë, rrobaqepësit dhe stilistët prezantonin krijimet e tyre për aristokracinë dhe elitën.
Një revolucion i vërtetë ndodhi në fund të shekullit XIX, kur stilisti i njohur Charles Frederick Worth vendosi të zëvendësonte manekinet statike me modele reale. Ky ndryshim i dha jetë modës dhe krijoi bazën e sfilatave moderne.
Në vitet 1920–1930, Parisi u bë epiqendra e modës botërore, falë emrave të mëdhenj si Coco Chanel, Elsa Schiaparelli dhe Madeleine Vionnet. Në atë kohë, sfilatat ishin evente private, ekskluzive dhe të mbrojtura rreptësisht nga kopjimi.
Në vitin 1943 u organizua për herë të parë New York Fashion Week, e krijuar nga Eleanor Lambert. Në një periudhë kur Lufta e Dytë Botërore e bënte të pamundur udhëtimin në Paris, kjo ngjarje solli modën më pranë industrisë dhe publikut amerikan.
Që atëherë, javët e modës janë përhapur në të gjithë botën: nga Parisi, Milano dhe Londra, deri në Tokio, Nju Jork apo Australi. Këto evente janë kthyer në platforma globale ku prezantohen trendet më të reja dhe ku zhvillohen aktivitete si intervista, ekspozita dhe masterclass.
Në vitet ’60, me industrializimin e modës, u krijua sistemi i koleksioneve sezonale. Filluan të prezantoheshin dy koleksione në vit: prêt-à-porter dhe haute couture, një praktikë që vazhdon edhe sot.
Në vitet ’90, pasarelat morën një dimension të ri spektakli me epokën e supermodeleve si Naomi Campbell, Cindy Crawford, Claudia Schiffer dhe Linda Evangelista. Moda u shndërrua në një show të vërtetë, me muzikë, skenografi dhe pjesëmarrje të famshëm.
Sot, nuk ka rëndësi vetëm koleksioni, por edhe mënyra si prezantohet. Forma e prezantimit është po aq e rëndësishme sa vetë veshjet.
