Last Updated on 31/03/2026 by Leonard
Nga Sejdin Cekani
Ka ndodhur një përmbysje interesante në shoqërinë tonë.
Dikur njerëzit turpëroheshin kur nuk dinin. Ndërsa sot mburren pikërisht pse nuk dinë.
Dikur ishte nder të kishe lexuar libra. Sot pothuajse të shohin me dyshim: “Ky paska lexu shumë… mos osht noj kokërr kaqoli?”
Dikur të rinjtë përpiqeshin të ishin sa më të ditur. Sot shumica prej tyre përpiqen të duken sa më të paditur. Madje edhe me një lloj krenarie primitive, sikur injoranca të ishte ndonjë medalje trimërie.
Nëse dikush flet me qetësi dhe argumente, shpejt del një tjetër që e mbyt me zërin në kupë të qiellit: “Ça thu, mor ti! E di un’ si osht’ puna!”
Dhe turma përreth tij tund kokën me admirim për këtë shpërthim “gjenial” të mendimtarit të kohës sonë.
Të pyesësh për historinë, letërsinë apo kulturën shqiptare, duhet të mendohesh dy herë, sepse aty për aty mund të marrësh përgjigje të llojit: “E ç’e dum historin’, mër jahu? Paret duhen!”
Sigurisht, edhe paratë janë të mira. Por një shoqëri që mburret me padijen është si një njeri që mburret se nuk ka tru.
Në rrugë dëgjon një gjuhë që duket sikur është shpikur në ndonjë punishte sherrnajash: zëra të lartë, fjalë të ndyra, nerva që shpërthejnë për çdo gjë.
Ndonjëherë të duket sikur qytetaria tanimë është bërë një virtyt tejet i rrallë.
Dhe pastaj habitemi pse librat zverdhen e pluhurosen nëpër rafte, ndërsa mendimi i thellë, inteligjent dhe i kulturuar është bërë tepër, tepër i rrallë.
Megjithatë, nuk është krejt kështu.
Ka ende shumë të rinj që lexojnë, studiojnë, mendojnë dhe krijojnë. Vetëm se ata nuk bërtasin. Nuk shajnë. Nuk bëjnë zhurmë.
Ndaj ndodh që në këtë kakofoni triumfuese të injorancës, zëri i dijes dëgjohet shumë pak.
Por historia ka një zakon të çuditshëm: në fund nuk mbeten në mendje ata që bërtasin më fort, por ata që kanë diçka për të thënë.
