Deklarata e të Ardhurave Individuale është bërë shkak për një mori ankesash në vitin 2025 pranë Avokatit të Tatimpaguesve. Raporti vjetor i kësaj zyre tregon se në total janë trajtuar 298 ankesa (elektronike dhe zyrtare).
“Pas vlerësimit të objektit të ankimit dhe shqyrtimit të përmbajtjes së tyre, janë pranuar 136 raste të trajtuara shkresërisht, për të cilat është vijuar me shqyrtimin për zgjidhje të çështjeve të parashtruara nga tatimpaguesit. Në përfundim të çështjeve të trajtuara, në bashkëpunim me administratën tatimore, kanë gjetur zgjidhje gjithsej 48 raste, dhe janë refuzuar 88 raste për shkak mungese kompetence apo mosplotësimi kriteresh paraprake. Gjithashtu, 134 raste janë trajtuar në rrugë elektronike ( për shkak të numrit të lartë të ankesave lidhur me DIVA-n gjatë tremujorit të parë të vitit 2025)” thuhet në raport.
Konkretisht për DIVA-n raporti vlerëson se nga ankesat e trajtuara janë konstatuar se ka mbi 40 mijë individë tatimpagues të padeklaruar për detyrimin tatimor të DIVA-s për vitin 2024 për shkak të mospasjes dijeni për deklarimin e këtij detyrimi. Kjo kategori deklaruesish është më “vulnerabël” krahasimisht me subjektet e tjera persona fizikë apo juridike në aspektin e njohjes, kuptimit dhe zbatimit të legjislacionit tatimor.
Po kështu konstatohet se ende nuk kanë gjetur zgjidhje, rastet e gabimeve njerëzore të lindura gjatë verifikimit të detyrimit për të deklaruar ose jo apo plotësimin e formularit për periudhën. “Konkretisht, këto gabime njërëzore janë evindetuar në rastet kur, individi është futur në llogarinë personale në sistem dhe:
- Ka klikuar një vit të ndryshëm nga viti që ka detyrimin për të deklaruar, gjë për të cilën ka marrë penalizim automatik nga sistemi, për mosdeklarim në afat.
- Ka klikuar në një vit të caktuar, për të verifikuar nëse ka qenë subjekt i deklarimit për DIVA-n, edhe pse nuk rezulton subjekt i DIVA-s, sistemi ka penalizuar individin automatikisht, për mosdeklarim të DIVA-s.
Pra, pavarësisht gabimeve të tilla, sistemi në mënyrë automatike ka gjeneruar penalitete të cilat në këndvështrimin tonë janë të padrejta dhe joproporcionale, pasi: Ligji procedural tatimor parashikon sanksione administrative për rastet e msdeklarimit, deklarimit jashtë afatit të parashikuar në ligj apo deklarimit jo të saktë të detyrimit” vlerëson raporti.
sipas dokumentit rastet e konstatuara, nuk parashikohen në ligj si shkelje me pasojë penalizuese por vijnë si rrjedhojë e një gabimi të paqëllimshëm për shkak se vetë formati i sistemit nuk është ndërtuar në formë të tillë që:
– së pari të njoftojë tatimpaguesin për pasojën, dhe
– së dyti të shmangë gjenerimin e penaliteteve automatike të panevojshme për rastet të tilla.
Një tjetër konstatim është ai mbi zbatimin e masave shtrënguese për mbledhjen e detyrimeve të papaguara tatimore ndaj individëve të punësuar, subjekt i DIVA-s.
“Nga ankesat e paraqitura nga ana e tatimpaguesve individë subjekt i detyrimit tatimor të DIVA-s, por dhe nga takimet e kryera me DMDTP, ka rezultuar që, gjatë ekzekutimit të masës së detyrimit tatimor si pasojë e mospagimit nga ana e tatimpaguesit, në zbatim të Urdhrit për Bllokimin e Llogarive Bankare, nga ana e bankave është mbajtur shuma e plotë e detyrimit tatimor, shumë e cila ka përkuar me pagën e plotë të tatimpaguesit. Referuar dhe rregullave proceduralë të parashikuara në nenin 533 të Kodit të Procedurës Civile, edhe për rastet e ekzkeutimit të vendimeve gjyqësore në të holla nëpërmjet shpërblimit përmbarimor, përcaktohet detyrimi i organit ekzekutues për ekzekutim të pagës së debitorit pa prekur minimumin e jetesës së individit/familjes së tij/saj” thuhet në raport./monitor.al
