Nga Luçiano Boçi
PËR NJË REFORMË TERRITORIALE QË I SHËRBEN QYTETARIT
Kur flasim për reformë të territoriale së pari, pavarësisht euforive absurde politike të mazhorancës, në opinion pranohet gjerësisht se sot ne nuk jemi duke kapërcyer në një stad të ri të qeverisjes vendore pas ndonjë suksesi marramendës.
Përkundrazi.
Këtu na ka sjellë dështimi real i pushtetit lokal.
Apo të themi se jemi në këtë proces për të arritur qëllime, apo bërë përpjekje të reja të pa exploruara e të pa synuara më parë.
PS siç u vetëdeklarua, po përdor të njëjtat terma teknikë të 2015 në formë sfidash:
si demografia, financat, shërbimet, kapacitetet, integrimi europian, demokracia vendore, përvoja ndërkombëtare identiteti, funksionaliteti, rajoni, por tani me pamje të re, duke i ndërkallur ato brenda një projekti të vrazhdë politik me 4 variante, të cilat faktikisht i lidh bashkë rikontrolli sa më absolut i votës. Ndërkohë që këto sfida deformohen.
-Sepse po, popullsia lëviz, por zgjidhja nuk është largimi i institucioneve nga zonat që po boshatisen. Ato zona kanë nevojë për më shumë praninë e shtetit e jo më pak (Demografia)
-Asimetria fiskale nuk zgjidhet duke bashkuar bashki, por duke reformuar formulën e transfertës dhe duke rritur autonominë fiskale (Financat vendore)
-Hendeku në shërbime mes bashkive nuk vjen nga madhësia, por nga kapacitetet dhe financimi. (Shërbimet publike)
-Problemi nuk është numri i madh i bashkive, por mungesa e investimit në administratë dhe politizimi i saj. (Kapacitetet institucionale)
-BE nuk kërkon bashki të mëdha. BE kërkon administratë profesionale, planifikim dhe transparencë. (Integrimi europian)
-Sa më e madhe bashkia, aq më i dobët kontrolli qytetar. (Demokracia vendore)
Sa më larg institucioni, aq më pak llogaridhënie.Nuk ka model unik europian. Ka vende me konsolidim, por ka edhe vende me shumë njësi të vogla dhe shumë funksionale. (Përvoja ndërkombëtare)
-Identiteti nuk është folklor.Ai është burim legjitimiteti dhe kohezioni social. Nuk ruhet me simbole, por me institucione që i përkasin komunitetit. (Identiteti vendor) Moraliteti i gjithë kësaj sjellje të PS i ngjason fabulës së ixhinierit i cili pasi e ka rrënuar shtëpinë me dorën e vet vjen me katër projekte dhe kërkon duartrokitje. Thënë qartë ne jemi këtu sepse duhet të korrigjojmë pasojat qeverisëse që sollën kalkulimet e votave politike në 2015, të cilat kushtëzuan kufijtë e bashkive dhe që të korrigjojmë politizimin ekstrem dhe afunksionalitetin e pushtetit lokal në Shqipëri pas 2015. Dhe ky dështim nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive dhe arkitekturën Ai lidhet me filozofinë e reformës së 2015 dhe keqqeverisjen.
Reforma e 2015-ës u ndërtua mbi interpretimin se centralizimi territorial-administrativ do të sillte eficiencë dhe decentralizim të qeverisjes lokale.
Një absurd epik ky që kërkonte të fshihte qëllimin e vërtetë që ska ndryshuar as sot.
Ky qëllim ishte dhe është varësia politike nga pushteti qendror i atij lokal, për ta shndërruar këtë të fundit në një magazinë votash dhe jo në një shërbyes të qytetarit.
Sot ne kemi më pak autonomi vendore, më pak shërbime për qytetarët, me pak llogaridhënie para zgjedhësve, me pak kompetenca dhe më shumë centralizim financiar e kompetencash, më shumë të punësuar fiktivë, më shumë abuzim dhe korrupsion.
Por pasoja më e keqe e kësaj ndërhyrje ka qenë shpopullimi, sidomos i zonave rurale ku një ndër shkaqet kryesore është mungesa e shërbimeve bazë sociale, arsimore e shëndetësore.
Kjo është si të pranosh faktin: që ne vërtet e kemi lahutën në UNESCO, por kemi humbur rapsodin, kemi humbur njeriun.
E humbja e rapsodit pas viteve e viteve rrezikon dhe humbjen e lahutës, thënë saktë humbjen e historisë, traditës e konstitucionit shpirtëror.Të tjerat pas kësaj, janë fjalë të bukura, janë tryeza interesante, por mund të quhen dhe reforma si kjo që po tentojmë.Prandaj së pari unë mendoj se sado e veshtira të duket, sfida kryesore e jona është eleminimi i këtij shkaku thelbesor.
Dhe ky eleminim për mendimin tim ka vetëm mjet, një zgjidhje iniciuse, filluese: një hartë të re territoriale me më shumë bashki që konsideron çdo element mbi të cilën formësohet një territor (ekonomik, historik, shpirtëror) por nuk konsideron numrin e votave politike për partitë.
Tek rritja e numrit, ne nuk na çon thjesht konteksti politik i sotëm, sipas narrativës që PD do më shumë bashki dhe PS më pak. Jo!
Këtu na çon natyrshëm pyetja themelore e një reforme për pushtetin vendor: A jemi gati t’u japim bashkive pushtet real dhe qytetarvë shërbimin e duhur?
-Nëse po, dhe rritja e numrit është logjike dhe e nevojshme
-Nëse jo, çdo modifikim me nivele apo pa nivele, është iluzion institucional
Nëse synimi është të vazhdohet me të njëjtën logjikë centralizuese dhe me nivel bashkish të mëdha, atëherë çdo rishikim territorial do të prodhonte të njëjtat probleme: më shumë burokraci, më shumë punësime pa funksion dhe
më shumë pabarazi midis bashkive.
Nëse, përkundrazi, synimi është një decentralizim real, atëherë rritja e numrit të bashkive bëhet jo vetëm e arsyeshme, por e domosdoshme.
Bashki më të vogla, me kompetenca të qarta dhe burime të garantuara, janë më të afta të planifikojnë zhvillimin lokal, të identifikojnë nevojat reale të komunitetit dhe të përdorin fondet publike në mënyrë më të drejtë dhe më efikase.
Ato janë gjithashtu më të ekspozuara ndaj kontrollit qytetar dhe më pak të prirura ndaj fryrjes burokratike.
Mësimi i reformës së 2015-ës është i qartë: zvogëlimi i numrit të bashkive pa transferim pushteti real dhe ofrim shërbimesh nuk sjell eficiencë, por centralizim dhe pabarazi.
PD i ka të qarta objektivat e saj për këtë reformë që janë:
1- Frenimi i shpopullimit të vendit si objektiv imediat dhe ripopullim si objektiv afatgjatë
2- Funksionalitet, decentralizim, demokratizim dhe autonomi për pushtetin vendor
3- Shërbim deri tek qytetari më i largët dhe i fundit i territorit.
4- Evropianizim efikas i pushtetit vendor
Këto objektiva janë të arritshëm me formulën e propozuar nga ekspertët e deputetët tanë me rikthimin e afërsisë së pushtetit vendor tek qytetari nëpërmjet rritjes e numrit të Bashkive sidomos në zonat me mungesë shërbimesh.
Thelbi eshtë Krijimi i bashkive të reja aty ku distanca, shërbimet dhe identiteti e komuniteti vendor e kërkojnë.
Kriteret që mund të konsiderohen:
• Distanca mbi 15 km (mund të ndryshoje) nga qendra e bashkisë
• Popullsi e mjaftueshme për funksionalitet (2500-6 000 nisur nga mesatarja europiane)
• Identitet historik i konsoliduar
• Kapacitet komunitar për vetëqeverisje
Pse është i fortë ky opsion?
• Rikthen shërbimet bazë pranë qytetarit
• Rrit llogaridhënien
• Forcon demokracinë vendore
• Nuk krijon kosto të larta shtesë nëse shoqërohet me rishpërndarje funksionesh.
Ky është opsioni më koherent me filozofinë tonë: pushteti afër qytetarit.
Njëherazi ne konsiderojmë dhe alternimin e rritjes së numrit të bashkive me rolin e rajoneve ose qarqeve për të shkuar tek Decentralizim Real, sipas formulës Bashki të Reja + Rajon 6 deri ne 8, ose me qarqet aktuale me funksione të qarta.
Thelbi është : Krijim i bashkive të reja, por me rajone ose qarqe të përcaktuara në funksione të sanksionuara me ligj dhe të kufizuara.
Si funksionon?
• Bashkitë marrin shumicën e kompetencave
• Rajoni apo qarku kufizohet në 3 funksione:
• planifikim territorial
• koordinim emergjencash
• projekte ndërbashkiake
• Bashkitë e reja krijohen aty ku ka boshllëk shërbimesh, kërkesë komunitare dhe identitet të fortë vendor.
Pse është i fortë ky opsion?
• Forcon nivelin që është më afër qytetarit
• Redukton burokracinë
