Last Updated on 02/04/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar masa të reja mbështetëse për familjet që kujdesen për persona me aftësi të kufizuara, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Ai njoftoi se në aktin e ardhshëm normativ, që pritet të miratohet në muajin qershor, shteti do të paguajë sigurimet shoqërore për prindërit dhe familjarët që nuk mund të punojnë për shkak të përkujdesjes ndaj një personi me aftësi ndryshe.
“Kemi shumë fëmijë dhe njerëz që kanë nevojë, që janë të detyruar të kujdesen për njeriun e afërt. Nuk mundet dot që për këtë shkak të mbeten pa pension nesër, dhe do t’ia paguaj shteti detyrimet shoqërore,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se kjo masë do të nisë zbatimin me aktin normativ të qershorit, duke synuar garantimin e të drejtave sociale për këtë kategori.
Një tjetër vendim i paralajmëruar është edhe rritja e mbështetjes financiare për familjet në fjalë. “Do të realizojmë dyfishimin e shpërblimit për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, për nënat në radhë të parë,” deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Rama foli edhe për situatën ekonomike dhe rritjen e pagave e pensioneve, duke pranuar se më parë nuk kanë qenë kushtet për ndërhyrje të tilla. “Nuk e kemi pasur mundësinë të rrisim pagat sepse ekonomia nuk na e ka lejuar. Tani kjo po ndodh, jo vetëm në sektorin publik, por edhe privat, ku pagat po rriten në mënyrë të ndjeshme,” tha ai.
Sa i përket pensioneve, kreu i qeverisë theksoi se procesi i rritjes do të vijojë në mënyrë progresive në vitet në vijim. “Në janar u rritën pensionet, ndërsa janarin që vjen do të jetë dyfish i asaj shifre, në 2028 trefish, 2029 katërfish e kështu me radhë,” u shpreh Rama.
Masat e reja pritet të hyjnë në fuqi pas miratimit të aktit normativ në qershor./A.D
