Partia Demokratike ka përkujtuar këtë të enjte 35-vjetorin e masakrës së 2 prillit 1991, duke nderuar kujtimin e katër dëshmorëve të lirisë: Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut dhe Besnik Cekës.
Përmes një mesazhi homazh, lideri i demokratëve, Sali Berisha e cilësoi këtë përvjetor si një moment reflektimi dhe mirënjohjeje të pakufishme për ata që sakrifikuan jetën për pluralizmin dhe votën e lirë.
“Sot, në 35-vjetorin e martirizimit me 2 prill të vitit 1991 të katër bijve të shquar, qytetarëve shembullorë të këtij qyteti, ne përulemi me nderimin më të madh, me mirënjohjen më të pakufishme para veprës së Arben Brocit, themelues i PD dhe anëtar kryesie i kësaj partie, themelues i pluralizmit politik në Shqipëri, student shembullor, trim dhe guximtar.”
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal veçanërisht te figura e Arben Brocit, duke e vlerësuar si një ndër themeluesit kryesorë të pluralizmit politik në Shqipëri, ndërsa vlerësoi guximin e të rinjve shkodranë që u ngritën kundër asaj që ai e quajti “farsa elektorale” e regjimit të fundit komunist.
“Përulemi me nderimin më të madh para veprës së pavdekshme të Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut, Besnik Cekës, qytetarë shembullorë, bij shembullorë të këtij qyteti, trima, guximtarë të cilët sakrifikuan jetën për vlerat më të arrira që ne besojmë. Të dashur miq, 35 vite më parë, vetëm dy ditë pas përfundimit të farsës elektorale, gjimnazistët e Shkodrës ndërprenë mësimin dhe u ulën mbi çantat e tyre në një formë proteste ndër më të qytetëruara, ndër më paqësoret.”
Sipas kryetarit të PD-së, martirizimi i katër të rinjve përballë ish-selisë së partisë shtet, mbetet një akt i pashembullt i qytetarisë dhe një thirrje e përjetshme për mbrojtjen e vlerave demokratike në vend.
“Ata protestuan në dëshpërim të thellë sepse diktatori i fundit komunist në Europë, partia e tij dhe zgjedhjet pluraliste pas pothuajse gjysmë shekulli, i shndërroi në një farsë zgjedhore. Zhgënjimi i tyre ishte i jashtëzakonshëm dhe po kështu zemërimi dhe dëshpërimi. Ndaj dhe ata dolën në një protestë, u ulën përballë pallatit të krimit, u ulën përballë selisë së partisë së krimit dhe mbi ta u shkrehën breshëri të shumta kallashnikovësh dhe mitrolozësh. Ranë në këtë shesh për të mbetur përjetë të gjallë në zemrat tona, për t’u nderuar gjithmonë nga ata që nderojnë votën e lirë dhe lirinë.”/kb
