Last Updated on 02/04/2026 by Anisa
Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me tensione të forta dhe debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, duke çuar në ndërprerjen e saj.
Gjatë zhvillimit të punimeve, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, bllokoi foltoren e Kuvendit. Në mbështetje të tij u rreshtuan edhe deputetë të tjerë të opozitës, të cilët rrethuan foltoren dhe penguan vijimin normal të diskutimeve, duke mos lejuar deputetët socialistë të marrin fjalën.
Nga ana tjetër, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, reagoi duke bërë thirrje për qetësi dhe respektim të rregullores.
“Mund t’i bini foltores sa të doni, me dhunë nuk merret fjala. Mos ndërprisni punimet e Kuvendit”, u shpreh ai, përpara se të shpallte një pushim prej 5 minutash.
Situata u përshkallëzua më tej gjatë ndërprerjes së seancës. Sipas raportimeve, Flamur Noka është afruar pranë deputetit socialist Taulant Balla dhe e ka goditur atë me një shishe uji, në një moment tensioni të lartë mes palëve.
Incidenti ndodhi pas vendimit të Peleshit për t’i hequr të drejtën e fjalës Nokës dhe për shkak të bllokimit të vazhdueshëm të foltores nga deputetët e opozitës.
