Last Updated on 02/04/2026 by Fernada
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka dorëzuar detyrën, duke ia kaluar drejtimin Adriatik Kupit.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, Qose ka bërë një përmbledhje të punës së tij në krye të këtij institucioni, duke renditur arritjet kryesore dhe duke shprehur mirënjohje për bashkëpunëtorët.
Ai ka falënderuar punonjësit e sistemit penitenciar për përkushtimin dhe profesionalizmin, si dhe drejtuesit politikë dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, Qose ka shprehur falënderim edhe për median, për rolin e saj në pasqyrimin e punës së institucionit dhe informimin e publikut.
Ndër arritjet e evidentuara nga Qose janë përmirësimi i sigurisë në institucionet penitenciare, investimet në infrastrukturë, digjitalizimi i sistemeve, si dhe rritja e mbështetjes për stafin dhe personat e privuar nga liria.
Në përfundim të reagimit të tij, ai i ka uruar suksese drejtorit të ri, Adriatik Kupi, në vijimësinë e reformave dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar.
Status nga Klevis Qosja
Me mirënjohje për besimin që më është dhënë për të drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në këtë moment të përfundimit të detyrës sime, dua të ndaj një falënderim të sinqertë për gjithçka që kemi arritur së bashku.
Së pari, shpreh mirënjohjen time për të gjithë punonjësit e sistemit penitenciar, për përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e treguar në përmbushjen e detyrës, pavarësisht sfidave dhe ngarkesave të veçanta që kjo punë ka.
Me konsideratë të veçantë falënderoj Kryeministrin z. Edi Rama për besimin dhe vlerësimin, ish-ministrin z. Ulsi Manja për profesionalizmin, mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës, ministrin z. Besfort Lamallari, si dhe ministrin aktual të Drejtësisë z. Toni Gogu.
Falënderoj Ambasadoren znj. Nancy Vanhorn dhe stafin e saj nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadorin z. Nicholas Abbott dhe stafin nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasadorin z. Marco Alberti dhe stafin nga Ambasada Italiane, Ambasadorin z. Reinout Caspar Vos dhe stafin nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës, si dhe Ambasadorin z. Tayyar Kağan Atay dhe stafin nga Ambasada e Turqisë. Gjithashtu, falënderoj znj. Giulia RE, drejtuese e Zyrës së Këshillit të Europës, si dhe z. Michel Tarran, ambasador i OSBE-së, për mbështetjen dhe kontributin në forcimin e sistemit penitenciar dhe afrimin e tij me standardet europiane.
Falënderoj komunitetet fetare për rolin e tyre të çmuar në mbështetjen shpirtërore dhe sociale të personave të privuar nga liria, si dhe të gjitha institucionet dhe organizatat me të cilat kemi bashkëpunuar gjatë kësaj periudhe.
Falënderoj prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), si dhe prokurorët dhe gjyqtarët e juridiksionit të përgjithshëm për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar gjatë kësaj kohe.
Gjatë kësaj periudhe kemi punuar për të ndërtuar një sistem më transparent, modern dhe funksional. Garantuan transparencën në proceset e gradimit dhe zhvillimit në karrierë, si dhe investuam në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e infrastrukturës, përfshirë sistemet antidron, automjetet e blinduara dhe shtimin e flotës së ambulancave.
Ndërmorëm hapa konkretë në infrastrukturë: rihapëm institucionin e Ali Demit si burg i hapur, ndërtuam burgun e ri në Kukës, restauruam dhe termoizoluam 9 IEVP dhe vijon restaurimi i IEVP Fushë-Krujë. Paralelisht, u morën masa për mbrojtjen e godinave nga përmbytjet dhe tërmetet dhe u mbyllën objektet e amortizuara.
I kushtuam rëndësi të veçantë kushteve të punës dhe zhvillimit profesional të stafit, përmes trajnimeve, programeve profesionale, bashkëpunimeve me universitete dhe lehtësive financiare.
Në drejtim të modernizimit, realizuam digjitalizimin e sistemeve dhe rinovimin e sallës së monitorimit në DPB. Gjithashtu, garantuam sigurimin e shëndetit dhe mbrojtjen nga aksidentet në punë për punonjësit e sistemit penitenciar dhe SHKBB.
Si pjesë e përmirësimeve institucionale, përfaqësuesit e komuniteteve fetare janë bërë pjesë e organikës së DPB-së. Po ashtu, u përfshi në strukturë edhe një psikolog i dedikuar për stafin, duke garantuar mbështetje psikologjike dhe mirëqenie në punë.
Ngritëm një laborator për testimin e shpejtë të personave të paraburgosur dhe të dënuar për sëmundjet infektive dhe ato seksualisht të transmetueshme. Gjithashtu, hartuam projektin për ndërtimin e një spitali të ri psikiatrik dhe forensik dhe lidhëm marrëveshje me bashkitë për riintegrimin pas përfundimit të dënimit.
Pavarësisht angazhimit të madh, përcjellja e kësaj pune tek publiku do të ishte e pamundur pa rolin e gazetarëve, të cilëve u shpreh falënderimin tim.
Në përfundim, i uroj suksese drejtorit të ri, z. Ardiatik Kupi, në vijimësinë e reformave dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar.
Faleminderit të gjithëve për kontributin në këtë rrugëtim.
