Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të vijojë të mbështesë Egjiptin me furnizime ushqimore, kryesisht me grurë, duke forcuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Gjatë një takimi në Kremlin me ministrin e Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, Putin theksoi se Rusia ka siguruar prodhim të mirë bujqësor dhe nuk parashikon probleme në furnizim në të ardhmen.
Ai bëri të ditur gjithashtu se janë duke u shqyrtuar ide për krijimin e një qendre rajonale për grurin dhe energjinë në Egjipt, që mund të shërbejë si pikë shpërndarjeje për Afrikën dhe Lindjen e Mesme.
Sipas Putinit, mbi 10 kompani të mëdha ruse kanë shprehur interes për të investuar në projekte industriale dhe energjetike në këtë vend.
Nga ana e tij, ministri egjiptian mirëpriti iniciativat ruse, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.
Egjipti mbetet importuesi më i madh në botë i grurit dhe një nga blerësit kryesorë të grurit rus, çka e bën këtë partneritet kyç për sigurinë ushqimore në rajon.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Rusia po kërkon rrugë të reja për eksportet e saj të energjisë dhe produkteve bujqësore, për shkak të sanksioneve perëndimore të vendosura pas luftës në Ukrainë./mxh
