Aktorja: “Kam luajtur shumë role, duke mbetur gjithmonë vetvetja.”
Nga Francesco Gallo
Është befasuese të shohësh ftohtësinë karakteristike të Isabelle Huppert-it të përballet me një shpërthim të pastër gëzimi për jetën. Pikërisht kjo ndodh në filmin e Thierry Klifa-s, “Gruaja më e pasur në botë”, që del në kinema më 16 prill, shpërndarë nga Europictures. Filmi hap edicionin e 16-të të Rendez-Vous – Festivali i Kinemasë së Re Franceze, që zhvillohet në Cinema Nuovo Sacher në Romë deri më 11 prill.
“Protagonistja nuk është një grua e palumtur”, thotë Huppert. “Ajo kalon nga një gjendje kënaqësie në një joie de vivre të vërtetë, sikur të hapë papritur një derë drejt një pjese të jetës që i kishte munguar gjithmonë.”
Në moshën 73-vjeçare, ikona e kinemasë franceze — dhe aktorja emblemë e Claude Chabrol — sjell në ekran një personazh të frymëzuar lirshëm nga e ashtuquajtura “çështja Bettencourt”, skandali që tronditi Francën në vitet 2009–2010. Ajo interpreton Marianne-n, një trashëgimtare e një perandorie kozmetike, e akuzuar se është manipuluar për të shpërndarë pasurinë e saj te njerëzit e afërt.
Në qendër të historisë është marrëdhënia me një fotograf mode, Pierre-Alain Fantine (Laurent Lafitte), i cili e tërheq në një univers artistik të çrregullt dhe joshës. Personazhi bazohet në François-Marie Banier, figurë reale që depërtoi në një familje të mbyllur dhe të mbushur me sekrete: një bashkëshort i dobët, një vajzë e lënë në hije dhe një shërbëtor që vëzhgon gjithçka në heshtje.
“Nuk e kam takuar kurrë dhe dija shumë pak për të,” pranon Huppert. “Skandali shpërtheu kur ajo ishte tashmë e moshuar dhe gjithçka mbeti e mbështjellë me diskrecion. Por ishte një grua karizmatike, inteligjente, që krijoi një marrëdhënie të bazuar në humor — pa qenë kurrë e nënshtruar.”
Regjisori Klifa thekson edhe dimensionin historik e politik të historisë: “Pasuria e kësaj familjeje lidhet me një të kaluar të errët, me bashkëpunim dhe antisemitizëm — një realitet i përbashkët për shumë dinasti të mëdha të kohës. Por Liliane, e cila për vite ishte thjesht ‘vajza e dikujt’ apo ‘gruaja e dikujt’, në një moment thyen rregullat. Ajo del nga kafazi i saj dhe guxon të bëjë diçka që në atë botë nuk falet.”
Po si i zgjedh Huppert rolet e saj?
“Kam pasur fatin të interpretoj personazhe shumë të ndryshme pa pasur nevojë të ndryshoj thelbësisht. Ëndrra e çdo aktoreje është të luajë versione të ndryshme të vetes. Brenda secilit prej nesh ka shumë identitete. Unë nuk kam hequr dorë kurrë nga vetja.”
Italia mbetet një pikë referimi e rëndësishme në rrugëtimin e saj artistik:
“Sa herë vij këtu, ndjehem me fat. Kam punuar me regjisorë të jashtëzakonshëm si Marco Ferreri, Mauro Bolognini, vëllezërit Taviani, Marco Bellocchio, Pietro Germi…”
Kur përmendet një projekt i ardhshëm me Dario Argento — që vetë aktorja e ka quajtur “një ribërje e përgjakshme e një filmi meksikan” — Huppert mbyllet menjëherë në rezervën e saj karakteristike. Dhe ndaj pyetjes nëse mund të konsiderohet një film horror, përgjigjet shkurt:
“Është thjesht një film i Dario Argento-s.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
