Shumë zogj e përdorin nektarin si burim kryesor energjie, por një studim i ri ka zbuluar praninë e etanolit në 26 nga 29 specie bimore të analizuar. Në disa raste bëhet fjalë për sasi minimale, që formohen nga sheqernat e fermentuara në maja dhe mikroorganizmat.
Nektari është burim energjie i rëndësishëm për zogjtë, si kolibrët, të cilët konsumojnë çdo ditë midis 50 dhe 150% të peshës së tyre në nektar. Kolibri i Anna-s (Calypte anna), që jeton kryesisht në bregdetin e Paqësorit, konsumon rreth 0,2 gram etanol për kilogram peshë, sasi që përputhet me një gotë verë ose një kanaçe birre për një njeri. Studiuesit sugjerojnë se këto sasi të vogla alkooli mund të shërbejnë si sinjal aromatik për polenizuesit dhe kërkojnë studime të mëtejshme për efektet evolutive dhe fiziologjike.
Pavarësisht konsumit të etanol nëpërmjet nektarit apo frutave të fermentuara, zogjtë dhe bletët nuk tregojnë shenja të dehjes. Kolibrët metabolizojnë alkoolin shumë shpejt, duke mos lejuar akumulimin e tij në gjak. Megjithatë, studiuesit nuk përjashtojnë që etanoli mund të ndikojë në sjelljen e tyre, ndoshta në mënyrë të ngjashme me substancat e tjera të pranishme në nektar, si nikotina apo kafeina.
Eksperimente të mëparshme kanë treguar se kolibrët nuk preken nga përqendrime alkooli deri në 1%, ndërsa kur kjo arrin 2%, konsumimi i nektarit ulet për gjysmën. Studime të tjera kanë gjetur në pendët e disa zogjve, përfshirë kolibrin, metabolitë e etanolit, duke treguar se alkooli jo vetëm konsumohet, por edhe metabolizohet si tek gjitarët. Kjo tregon se etanoli është më i përhapur në nektar sesa mendohej dhe që zogjtë e përpunojnë aktivisht atë.
