Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka folur këtë të enjte për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe përgatitjet e subjektit që ai përfaqëson për “Now” në Euronews Albania me moderator Erla Mëhillin.
Kapri ka komentuar edhe mbi heqjen e mundshme të Florian Binajt si kandidat për Tiranën, i cili u arrit si kandidat i përbashkët në zgjedhjet e parakohshme, të cilat u pezulluan nga Gjykata Kushtetuese disa muaj më parë.
Kapri shtroi pyetjen se nëse Binaj është hequr si kandidat, mbi ç’bazë sipas deputetit është bërë kjo, kur sipas tij kjo u arrit nga një proces i palëve.
“Është dakordësuar për një proces, nuk e kuptoj pse zoti Binaj nuk duhet të jetë më, mbi ç’bazë nuk do të jetë më? Unë e kam parë Binajn aktiv, ndoshta jo aktiv sa ditët e para të fushatës, por ai është një figurë publike, është aktiv. Ka marrë pjesë në protesta, ka denoncuar, ka dhënë disa propozime të caktuara. Nuk është shumë aktiv, dakord, por është aktiv. Dhe pra duhet kuptuar pse ka një ndryshim, sepse Binaj nuk ishte thjesht një kandidat, por ishte dhe falë një procesi. Ne kemi nisur punën për zgjedhjet lokale, sigurisht që kemi misionin tonë. Do shohim nëse këta do prekin hartën territoriale që mesa duket kanë ndërmend. Edhe te Binaj ne nuk e pamë këtë duke thënë se ky është një bashkëpunim me Partinë Demokratike ose një koalicion. Ne dhamë një zgjidhje politike që në atë kontekst shërbente. Sërish Binaj do ishte ai që do mundësonte energjinë e duhur për të mposhtur një kandidaturë kushdo nga PS. Alimehmeti është një figurë partiake, unë nuk e kuptoj mbi ç’bazë u prish kjo. Nuk e dimë. Por duhet të presim.” – tha Kapri.
