Last Updated on 10/04/2026 by Anisa
Të gjithë shqiptarët apo rezidentët tatimorë në Shqipëri, që gjenerojnë të ardhura në vende të tjera të botës, nuk do të tatohen në vend, deklaroi ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
“Akti i projektligjit mbi tatimin mbi të ardhurat parashikon disa ndryshime për vendosjen e një drejtësie sociale, por edhe për tërheqjen e diasporës shqiptare dhe të huajve.
Konkretisht, projektligji parashikon që të gjithë shqiptarët apo rezidentët tatimorë në Shqipëri, të cilët gjenerojnë të ardhura në vende të tjera të botës, nuk do të tatohen në vend, pra do të jenë të përjashtuar nga tatimi. Ky ndryshim ligjor shkon në linjë me tërheqjen e pensionistëve, të cilët tashmë kanë dalë në pension në vende të tjera të botës dhe vijnë të vendosen në Shqipëri, duke krijuar atë që quhet ‘ekonomia e argjendtë’.
Po ashtu, brenda këtij projektligji kemi bërë një ndryshim ligjor, i cili parashikon që për të gjithë personat që janë të verbër, do të ketë përjashtim tatimor dhe ata do të përfitojnë nga lehtësirat fiskale”, u shpreh Ibrahimaj.
