Kristjan Asllani po kalon periudhën më të errët të karrierës së tij të re. Ai që dikur cilësohej si pasardhësi natyral i Hakan Calhanoglu te zikaltrit, sot gjendet në një “shkretëtirë” formash që po vë në pikëpyetje të ardhmen e tij në elitën e futbollit.
Rrugëtimi i këtij viti nisi me hapa të gabuar. Pas një aventure pa shije te Torino, ku marrëveshja u mbyll para kohe, shpresa e fundit ishte Stambolli. Por, debutimi me Besiktasin ishte skenari i një filmi horror:7 minuta lojë: Aq i mjaftuan për të marrë kartonin e kuq kundër Konyaspor.
2 ndeshje pezullim: Një fillim që i preu këmbët besimit të trajnerit dhe tifozëve.
Edhe pse pas pezullimit Asllani arriti të fitonte një vend në formacion, numrat flasin kundër tij. Në 8 ndeshje të luajtura, mesfushori ka regjistruar vetëm një asist dhe asnjë gol, me performanca që rrallëherë e kalojnë notën 5.
Sipas analizës së prestigjiozes italiane “Gazzetta dello Sport” bordi i Besiktasit është ftohur totalisht. Opsioni i blerjes prej 10 milionë eurosh konsiderohet i ekzagjeruar për atë që lojtari ka treguar në fushë.
“Vështirë se klubi turk do të investojë një shifër të tillë për një lojtar që nuk po bën diferencën,” shkruan Gazzetta.
Me fundin e sezonit që po afrohet, Asllani rrezikon të kthehet tek Interi si një “barrë” financiare dhe teknike, në pritje të një destinacioni të ri që mund t’i rikthejë shkëlqimin e dikurshëm te Empoli. Pyetja që ngrenë të gjithë është: A ka humbur rrugës talenti i elbasanasit, apo sistemi i lojës thjesht nuk po e favorizon?
