Pakistan përballet me një sfidë të jashtëzakonshme diplomatike, teksa përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme rrezikojnë stabilitetin global.
Në Islamabad, masa të rrepta sigurie janë vendosur përpara bisedimeve të shumëpritura. Delegacione nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara pritet të ulen në tryezë për negociata vendimtare, që synojnë jo vetëm armëpushimin, por edhe një marrëveshje afatgjatë.
Sipas analistit Kamran Bokhari, Pakistani ndodhet nën presion të dyfishtë. Nga njëra anë, një destabilizim i mundshëm i Iranit do të përkeqësonte situatën e brendshme të Pakistanit, i cili tashmë përballet me kryengritje në rajonet perëndimore. Nga ana tjetër, përshkallëzimi i konfliktit mund ta detyrojë Islamabadin të përfshihet ushtarakisht, për shkak të marrëveshjeve strategjike me aleatët e tij.
Pamje nga Bejruti tregojnë pasojat e sulmeve ajrore izraelite, me tym të dendur dhe ndërtesa të shkatërruara, ndërsa ekipet e emergjencës përpiqen të shuajnë flakët dhe të ndihmojnë të plagosurit.
Ndërkohë, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif ka njoftuar arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm mes palëve, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.
Roli i Pakistanit ka evoluar nga një ndërmjetës pasiv në një aktor aktiv në negociata. Autoritetet shpresojnë që bisedimet në Islamabad të çojnë në një marrëveshje përfundimtare, megjithëse analistët paralajmërojnë se suksesi nuk është i garantuar.
Ndërkohë, sfidat e sigurisë mbeten të larta. Sulmet terroriste në rajon dhe tensionet me Afganistanin e bëjnë situatën edhe më të brishtë.
E ardhmja e këtyre negociatave pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm për rajonin, por edhe për ekonominë globale, veçanërisht për sigurinë e rrugëve jetike të transportit të naftës./mxh
