Një burim i lartë iranian ka deklaruar ditën e sotme se SHBA ka rënë dakord të lirojë asetet e ngrira iraniane të mbajtura në Katar dhe banka të tjera të huaja, duke “e mirëpritur” këtë veprim si një shenjë serioziteti në arritjen e një marrëveshjeje me Uashingtonin në bisedimet në Islamabad.
Burimi i tha Reuters se zhbllokimi i aseteve ishte “i lidhur drejtpërdrejt me sigurimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit”, i cili pritet të jetë një çështje kyçe në negociatat që do të nisin sot në Islamabad të Pakistanit.
Burimi i lartë nuk dha një vlerë për asetet që Uashingtoni kishte rënë dakord të zhbllokonte. Nuk pati asnjë deklaratë të menjëhershme nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me ndonjë zhbllokim të aseteve. Ministria e Jashtme e Katarit po ashtu nuk i është përgjigjur një kërkese për koment.
6 miliardë dollarët, të ngrirë fillimisht në vitin 2018, ishin planifikuar të liroheshin në vitin 2023 si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve SHBA-Iran, por fondet u ngrinë përsëri nga administrata e Presidentit Joe Biden pas sulmeve të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga aleati i Iranit, grupi militant palestinez Hamas.
Zyrtarët amerikanë thanë në atë kohë se Irani nuk do të ishte në gjendje të kishte qasje në para në të ardhmen e parashikueshme, duke theksuar se Uashingtoni ruante të drejtën për ta ngrirë plotësisht llogarinë.
Fondet rrjedhin nga shitjet e naftës iraniane në Korenë e Jugut dhe ishin bllokuar në bankat e Koresë së Jugut pasi Presidenti Donald Trump rivendosi sanksionet ndaj Iranit në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, dhe anuloi një marrëveshje midis fuqive botërore dhe Teheranit mbi programin e tij bërthamor.
Sipas shkëmbimit të të burgosurve SHBA-Iran të shtatorit 2023, të ndërmjetësuar nga Doha, paratë u transferuan në llogaritë bankare të Katarit. Shkëmbimi i të burgosurve përfshinte lirimin e pesë qytetarëve amerikanë të ndaluar në Iran në këmbim të lirimit të fondeve dhe lirimin e pesë iranianëve të mbajtur në Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët amerikanë thanë në atë kohë se paratë ishin të kufizuara vetëm për përdorim humanitar, dhe do t’u shpërndaheshin shitësve të miratuar për ushqim, ilaçe, pajisje mjekësore dhe mallra bujqësore të dërguara në Iran nën mbikëqyrjen e Thesarit të SHBA-së. /Marrë nga Reuters/kb
