Hungaria është zgjuar në një realitet të ri politik këtë mëngjes, pasi Péter Magyar u zgjodh zyrtarisht Kryeministër i vendit, duke mposhtur Viktor Orbán pas 16 vitesh në pushtet. Fitores së tij historike i parapriu një rritje marramendëse, e cila zanafillën e ka te një skandal që trundi themelet e drejtësisë hungareze: përgjimi i famshëm i fshehtë.
Ndonëse sot mban postin më të lartë të shtetit, Magyar u bë i njohur botërisht përmes një regjistrimi audio prej 111 sekondash, të cilin e publikoi në mars të vitit 2024. Ky regjistrim, i bërë fshehurazi në janar të vitit 2023 në ambientet private të shtëpisë së tij, ndau elitën e vjetër politike ne kohen kur ishin ende te martuar.
Në audio dëgjohej ish-bashkëshortja e tij, Judit Varga (në atë kohë Ministre e Drejtësisë), duke pranuar diçka të paimagjinueshme: ndërhyrjen e qeverisë në dosjet e prokurorisë.
Për herë të parë në historinë e qeverisjes së Fidesz, një njeri nga brenda rrethit të ngushtë dëshmoi se si zyrtarët e lartë, përfshirë ministrin Antal Rogán, kishin tentuar të fshinin prova nga skandali i korrupsionit “Schadl-Völner”.Varga pohonte se njerëzit e qeverisë u kishin “sugjeruar” prokurorëve çfarë të pastronin nga dosjet hetimore. Ajo dëgjohej duke u ankuar se, pavarësisht përpjekjeve, prokuroria nuk arriti t’i fshinte të gjitha provat sepse disa prokurorë nuk ishin treguar “profesionistë” në fshirjen e gjurmëve.
Magyar e përdori këtë përgjim jo vetëm si mjet juridik, por si një platformë politike. Ai e publikoi audion në momentin kur po hynte në prokurori për të dëshmuar, një akt që u transmetua live dhe që nxiti protestat më të mëdha që Hungaria kishte parë në dekada.
Në mbrojtjen e saj, Varga asokohe pretendoi se ishte shantazhuar dhe se i kishte thënë ato gjëra nën presionin e “dhunës psikologjike” nga Magyar, por efekti te publiku ishte i pakthyeshëm. Ky përgjim shkatërroi imazhin e “pathyeshmërisë” së qeverisë Orbán dhe bindi votuesit konservatorë se sistemi ishte i korruptuar nga brenda.
Sot, si Kryeministër i sapozgjedhur, Péter Magyar vjen në pushtet me premtimin për të pastruar pikërisht ato institucione që dikur i denoncoi përmes një celulari në kuzhinën e tij. Fitorja e tij e mbrëmshme shihet si kulmi i një rrugëtimi që nisi me një audio-regjistrim dhe përfundoi me rrëzimin e një prej liderëve më jetëgjatë të Evropës.
