Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në një bllokadë në Ngushticën e Hormuzit, mes tensioneve të rritura në rajon.
Në një intervistë për BBC Radio 5 Live, Starmer tha se prioriteti i qeverisë britanike është garantimi i lundrimit të lirë në këtë nyje strategjike detare, duke theksuar se Londra po bashkërendon veprimet me partnerët ndërkombëtarë për ta mbajtur të hapur ngushticën.
Ai shtoi se Britania nuk do të mbështesë bllokadën dhe se çdo përpjekje për të kufizuar lundrimin ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të energjisë, me pasoja për qytetarët britanikë.
Sipas Starmer, rritja e çmimeve të naftës dhe gazit si pasojë e mbylljes së rrugëve detare ka një ndikim të menjëhershëm në faturat e energjisë, prandaj, sipas tij, stabiliteti dhe hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore.
Kryeministri britanik bëri të ditur gjithashtu se Britania ka kapacitete për çminim në rajon, por nuk dha detaje operacionale, duke theksuar se këto aftësi janë të fokusuara në sigurimin e lundrimit të sigurt.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar nisjen e një bllokade detare ndaj trafikut të lidhur me portet iraniane, pas dështimit të bisedimeve për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin. Sipas Uashingtonit, masa do të zbatohet ndaj të gjitha anijeve që hyjnë ose dalin nga këto zona, ndërsa është paralajmëruar se çdo sulm ndaj forcave amerikane ose anijeve civile do të marrë përgjigje të ashpër.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit po vazhdojnë./mxh
