Last Updated on 14/04/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se kryetari i PD-së, Sali Berisha, shmang garën e brendshme pasi, sipas tij, është i dobët dhe rrezikon të humbasë zgjedhjet brenda partisë. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Salianji theksoi se nuk ka ndërmend të krijojë një parti të re, por do të vijojë betejën politike brenda Partisë Demokratike.
Salianji ngriti rëndësinë që ka PD për situatën politike në vend, duke argumentuar se dobësimi i saj i jep avantazh kryeministrit Edi Rama. “Çdo parti tjetër do të kishte nevojë për kohë për të sjellë ndryshimin, dhe kjo i jep oksigjen Ramës,” u shpreh ai.
Ai pretendoi gjithashtu se gëzon mbështetje të konsiderueshme në bazë, duke krahasuar pjesëmarrjen në takimet e tij me ato të Berishës.
“Në takimet e mia ka pasur më shumë njerëz. Sali Berisha ka kërkuar garë, por nuk i hynte njeri. Unë po them: hajde bëjmë garë me kushtet që cakton ti,” deklaroi Salianji.
Sipas tij, procesi i brendshëm zgjedhor në PD është i paqartë dhe i pabarabartë: “Është një muaj larg garës dhe nuk ka lista, nuk ka asgjë. Është farsë. Berisha, sipas statutit, nuk duhet të ishte kryetar dhe nuk duhet të lejohej të kandidonte.”
Në analizën e tij për situatën politike, Salianji theksoi se opozita ka humbur për shkak të fragmentimit të votës. “Rama nuk ka marrë asnjëherë më shumë se 48%. Problemi është fragmentimi. Një PD me lidership të ri e mund Ramën,” u shpreh ai.
Gjatë debatit në studio, analisti Baton Haxhiu u shpreh skeptik për rezultatin e garës, ndërsa moderatori Ylli Rakipi theksoi nevojën për ndryshim fillimisht brenda opozitës.
Salianji këmbënguli se ndryshimi i Partisë Demokratike është kyç: “Nëse nuk ndryshon PD, e kemi të pamundur të mundim Edi Ramën. Mos më kërkoni të hedh investimin tim dhe të bëj parti të re.”
Në fund, ai vuri në pikëpyetje edhe zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme në muajin maj: “Ta shohim nëse do të ketë zgjedhje. Nëse ka farsë, atëherë vjen një diskutim tjetër. Gara ka kuptim vetëm kur ka kushte të barabarta.”/A.D
Biseda në studio:
Ervin Salianji: Pse ka rëndësi PD në këtë moment dhe përmirësimi i PD për Shqipërinë? Çdo parti tjetër, do ti duhet koha e vet për të bërë të mundur ndryshimin, kjo i jep oksigjen Edi Ramës. Them, duke qenë se kam një kontribut jo të paktë në PD dhe kam mbështetje, sallat e takimeve, në takimet e mia dhe të Berishës, kanë qenë më shumë njerëz te të miat. Sali Berisha ka kërkuar të hyjnë në garë dhe nuk i hynte njeri. Unë pavarësisht se nuk ka garanci, është një muaj e pak larg garës, nuk ka lista nuk ka asgjë, farsë. Por po them prapë, hajde bëjmë garë me kushtet që cakton ti. Berisha që me statutin e partisë nuk duhet të ishte kryetar dhe nuk duhet të lejohej të kandidonte.
Rama nuk ka marrë asnjëherë më shumë se 48%. Fragmentimi i votës, problemi i opozitës ka sjellë këtë. PD me një lidership të ri e mund Ramën. Kjo nuk e sjell rrotacionin. Deri sot edhe këtij zotërisë në Hungari i thoshin nuk e bën dot. Shoh që ka dy mendime, dy realitete të ndryshme, një në studio që ju i thoni si fakte ky fiton, dhe një realitet tjetër te shoqëria. Nëse fiton dhe e ka të sigurtë, pse nuk bën garë? Sepse është i dobët.
Baton Haxhiu: Pse lodhesh, ne e dimë fundin dhe fillimin e kësaj gare.
Ervin Salianji: Politika nuk është akt dueli momental por është vazhdimësi. Në PD ku unë jam, për shkak të kurajës, guximit, sepse këto i mendojnë shumë të tjerë por nuk i thonë në publik. Nëse nuk ndryshon PD, e kemi të pamundur të mundim Edi Ramën.
Ylli Rakipi: Jam dakord. Së pari duhet përmbysur autokrati i opozitës, që pastaj të përmbyset autokrati i qeverisë.
Ervin Salianji: Mua mos më kërkoni të hedh investimin tim dhe të bëj parti.
Baton Haxhiu: Ai do të fitojë zgjedhjet lokale, zgjedhjet e tjera.
Ervin Salianji: Në maj PD ka zgjedhje, ta shohim a do të ketë. Nëse ka farsë, vjen diskutim tjetër. Debati publik. Cili është kuptimi i garës? Ka kushte të barabarta.
Baton Haxhiu: Më mirë të mbajë zgjedhjet vet sesa ti legjitimosh ti.
