Last Updated on 14/04/2026 by Monika
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një kompleks pallatesh në Tiranë, pranë farmacisë nr.10 dhe përballë spitalit “Nënë Tereza”, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë pothuajse të gjithë fasadën e jashtme të një prej godinave. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka nisur në katet e sipërme dhe është përshkallëzuar brenda pak minutash, duke krijuar panik te banorët.
Pamjet nga vendngjarja janë tronditëse: një nënë shihet duke dalë me foshnjën në krah, ndërsa të moshuar me vështirësi në lëvizje përpiqen të largohen sa më shpejt nga pallati i përfshirë nga flakët.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur disa mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij në godinat përreth. Rreziku mbetet i lartë, pasi flakët kërcënojnë edhe një pallat ngjitur, duke shtuar shqetësimin për të gjithë kompleksin e banimit.
Deri në këto momente, nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes./mxh
