Last Updated on 17/04/2026 by EL
Nga Artur Ajazi
Pse ndodh kjo, që gjithmonë kur ikin nga posti, shkarkohen ose marrin poste të dorës dytë, të detyruar nga kushtet dhe rrethanat, gjithmonë bëhemi xhelozë, bëhemi si bisha, tjetërsohemi në thelb, dhe e shpiem veten deri tek pragu humnerës ? Natyrisht ndodh sepse jemi akoma 150 vite larg mentalitetit dhe formimit si europianë. Natyrisht ndodh sepse, duam gjithmonë “lart dhe më lart”, edhe kur nuk e meritojmë, edhe kur nuk e bëjmë siç duhet detyrën. Ndodh sepse jemi shqiptarë, dhe duam edhe në tren, edhe në autobus, edhe në avion, në vendin e parë. More një post, sepse partia erdhi në pushtet. Padyshim sapo e more, fillove të bësh statuse në fb, nise të dërgosh sms, nise të mbash fjalime edhe kur nuk duhet, dhe ta quash “Shenjtor” shefin. Kjo padyshim nuk i bën shumë përshtypje “shefit”, sepse ka 30 e ca vite që mban poste drejtuese, dhe është mësuar me lajka zyrash. Por më thelbësorja qëndron në faktin se, kur merret lajmi se “do ikësh nga posti ministrit”, atëhere nis davaja. Egërsohesh në mimikë, prish gojën për “1 fjalë goje”, u turresh kolegëve dhe shefit, sikur të mos kishin ekzistuar, nis dhe “nxjerr të palarat e pushtetit”, duke harruar se, ke qenë dhe je edhe ti, pjesë e pandashme e atij pushteti që nis dhe ta quash “i kalbur”. Dyfyrësia nuk ka vend në ata që zgjidhen për të drejtuar. Dyfyrësia nuk ka vend tek ata që sa janë majë postit, tundin “flamurin e europianizmit”, dhe sa bien nga posti, thonë kudo që ndodhen se “unë nuk hesht më, do të flas dhe do përballem me ata që kanë shkatërruar institucionet”. Sa komike, aq edhe dramatike. Pra, tani që ike nga posti, tani që nuk je më zv.kryeminister, ministër, apo zv.ministër, “hajde ti nxjerrim bojën qeverisjes”. Jo, kjo nuk është e moralshme, kjo nuk është dinjitoze, kjo nuk është metodë europianiste e reagimit dhe sjelljes. Kjo tregon dobësi mendore, tregon mangësi formimi, dhe natyrën e vërtetë njerëzore, nga e cila ne kemi varësi direkte për sjelljet tona. Tregojnë një ndodhi diku andej nga Kolonja. U ngrit njëri një ditë dhe tha “dua për grua të bijën e priftit”. Po mire i tha fshati, por ti nuk bën për asgjë. Dhe prej asaj dite, ai nisi ti godasë me gurë të gjithë, madje edhe familjarët e tij. Kjo ndodh sot edhe me ata, që dje rrethonin “Shenjtorin” e tyre me lëvdata, dhe sot i thonë “ke shkatërruar institucionet”. Kur një njeri i pushtetit drejton dhe mbijeton me dyfyrësi, natyrisht ky është fundi besimit dhe shija e zhgënjimit. Kur je në opozitë, çdo kush në parti të afrohet, të bën “mik”, të mbush me lëvdata, bën edhe ndonjë “proçkë” për të fituar besimin e kryetarit. Dhe sa sheh se, pushteti po troket tek dera, ai nuk ngurron të thotë i pari “unë dua të bëhem ministër”. Zbret deri tek niveli i militantit, madje më keq akoma. Eshtë “bela” e madhe të vish në pushtet. Por më “bela e madhe” është të qeverisësh me të babëzitur, pasi ata nuk njohin kufinj.
