Venecia mund të detyrohet të zhvendoset në të ardhmen, ndërsa shkencëtarët përpiqen ta shpëtojnë nga kërcënimi në rritje i përmbytjeve.
Një studim i ri, i publikuar në revistën Scientific Reports, ka vlerësuar strategjitë ekzistuese dhe të mundshme të përshtatjes për qytetin italian, duke i krahasuar ato me parashikimet për rritjen e nivelit të detit nga Raporti i Gjashtë i Vlerësimit i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) të OKB-së.
Venecia, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në lagunën veneciane, ka përjetuar përmbytje në rritje gjatë 150 viteve të fundit. Verën e kaluar, stuhi të fuqishme goditën rajonin, duke mbingarkuar sistemet e kullimit dhe duke i kthyer rrugët në lumenj me rrjedhë të shpejtë.
Në vitin 2019, përmbytjet e rënda shkaktuan dy viktima dhe dëme prej qindra milionë eurosh, përfshirë edhe në Bazilikën e Shën Markut, një nga pikat më të vizituara turistike.
Në vitin 2023 u vendosën barriera xhami dhe një plan restaurimi prej 3.3 milionë eurosh për të mbrojtur kishën 900-vjeçare, e cila mbetet ende në mëshirën e baticave.
Shkencëtarët kanë paraqitur tashmë tre strategji të mundshme përshtatjeje për Venecian, duke paralajmëruar se veprimi i shpejtë është “thelbësor”. Autori i studimit thekson se Venecia përfaqëson sfidat me të cilat do të përballen shumë zona bregdetare me lartësi të ulët në shekujt e ardhshëm, përfshirë Maldivet dhe Holandën.
A do të zhvendoset Venecia?
Autorët parashikojnë se digat mund të bëhen të domosdoshme përtej një rritjeje prej 0.5 metrash të nivelit të detit, që mund të ndodhë deri në vitin 2100, edhe nëse emetimet mbahen në nivele të ulëta. Kostoja e tyre vlerësohet nga 500 milionë deri në 4.5 miliardë euro.
Këto janë struktura mbrojtëse të ndërtuara përgjatë bregdetit ose lumenjve, zakonisht me dhe, rërë ose gurë, që shërbejnë si barrierë kundër përmbytjeve.
Mbyllja e lagunës me një “super digë” (një strukturë e gjerë dhe e përforcuar) mund të jetë gjithashtu e mundshme përtej rritjes prej 0.5 metrash dhe mund ta mbrojë qytetin nga rritja e nivelit të detit deri në 10 metra. Megjithatë, kostoja fillestare për këtë mund të kalojë 30 miliardë euro.
Si masë e fundit, studimi sugjeron se zhvendosja e qytetit, banorëve dhe monumenteve historike mund të bëhet e nevojshme përtej një rritjeje prej 4.5 metrash të nivelit të detit, që parashikohet të ndodhë pas vitit 2300, me një kosto që mund të arrijë deri në 100 miliardë euro.
Autorët paralajmërojnë se ndërtimi i ndërhyrjeve të mëdha, si barrierat e përhershme, mund të zgjasë nga 30 deri në 50 vite, çka e bën planifikimin e hershëm thelbësor.
“Nuk ka një strategji optimale për Venecian”
Të gjitha zonat bregdetare të banuara me lartësi të ulët duhet të njohin sfidën afatgjatë të rritjes së nivelit të detit dhe të fillojnë që tani të marrin në konsideratë pasojat e përshtatjes.
Duke pasur parasysh vlerën e lartë kulturore të Venecias, këto kosto janë qartësisht të paplota dhe asnjë masë përshtatjeje nuk mund ta ruajë në afatgjatë Venecian që njohim sot.
Pse po rritet niveli i detit në Venecia?
Venecia është tashmë në rrezik gjatë baticave të larta pranverore për shkak të pozicionit të saj në një lagunë të cekët bregdetare.
Sipas Royal Museums Greenwich, erërat sezonale mund të shkaktojnë “valë stuhie”, duke shtyrë ujin nga Deti Adriatik drejt lagunës dhe qytetit. Kur baticat e larta përplasen me këto valë, përmbytjet mund të jenë ekstreme.
Ngrohja globale po përshpejton gjithashtu rritjen e nivelit të detit në mbarë botën, për shkak të shkrirjes së akullnajave dhe zgjerimit termik të ujit të detit kur ai ngrohet.
Për më tepër, toka mbi të cilën ndodhet Venecia po ulet aktualisht me rreth 1 mm në vit për shkak të zhvendosjeve natyrore të tokës. Kjo është përkeqësuar edhe nga aktiviteti njerëzor, si nxjerrja e ujërave nëntokësore nga nënlaguna, megjithëse kjo praktikë tashmë është e ndaluar. / CNBC
