Nga Preç Zogaj
Me lejoni të evokoj në nisje të kësaj fjale një paragraf nga libri im “Fillimet” për Gramos Pashkon. Jemi në vitin 1991.
“Gëzohej si fëmijë kur dëgjonte për hapjen e bizneseve private, lulet e para të ekonomisë së tregut. Ndalej dhe i vizitonte kudo ku i binte rruga. Ose nisej enkas nga zyra kur investimi ishte domethënës. I shihte i magjepsur sikur po dilnin drejt e nga ëndrra e tij, duke u shtuar e mbushur dalëngadalë tokën e Shqipërisë.
Ky është i sëmurë, i duken rrotullamet e djathit si vepra arti, mjaft t’i ketë prodhuar privati, më thoshte Teodor Keko kur na qëllonte të shkonim me të në “përurimet” e tij pa media. Gramozin e pushtonin frymëzime politike futuriste tek shijonte, fjala vjen, një kafshatë nga buka e furrës së re private. Dhe na drejtohej me mënyrën e tij teatrale të kërkuar që i vishte me humor të bardhë fallet e tij: Mendoni ju se do të bredhë njeri lart e poshtë si Udhëheqës i Madh kur të bëhet Shqipëria e ekonomisë së tregut të lirë? Do të qeshin bota me të, o të dashur poetë”!
Vështruar si nga sot profecia e Pashkos për fuqinë krijuese-trasformuese të liberalizmit politik dhe ekonomik është një realitet pa të dytë në historinë tonë.
Liria ka punuar dhe punon. Hapja ka punuar dhe punon. Nisma e lirë ka punuar dhe punon. Konkurrenca ka punuar dhe punon. Sipërmarrësit privatë, njerëzit e lirë e të fortë, kanë punuar dhe punojnë.
Në periudha të caktuara, qeveritë dhe institucionet shtetërore kanë punuar e punojnë në të mirë të njerëzve dhe vendit. Disiplina fiskale, për shembull, një sfidë specifike e vështirë për një vend që u hodh në realitetin e ri të ekonomisë së tregut drejt e nga bregu i socialkomunizmit “pa taksa dhe tatime”, përbën një arritje me peshë që ka ardhur e vjen duke u konsoliduar nga viti në vit.
Ia vlen të përsërisim një fakt publik, të cilin e kishte referuar Mateo Spaho, drejtori i ri i Institutit Liberal “Gramos Pashko” në një shkrim të tij në median “Mapo.al”: Tridhjetë e pesë vite më parë fuqia blerëse e një banori të Bashkimit Europian ka qenë 47.4 herë më e madhe se fuqia blerese e një shqiptari. Ndersa vitin e kaluar 3.7 herë më e lartë.
Shqipëria është sot ku e ku përpara ëndrrës së fillimeve të demokracisë.
Në të mirë dhe të keqe është sakaq prapa kohës. Prapa mundësive. Prapa potencialeve.
Për t’u kthyer te profecia e Pashkos, e shohim të gjithë se atij nuk i ka dalë sot e kësaj dite pjesa për “Udhëheqësit e Mëdhenj” të stampës autokratike që ekonomia e tregut të lirë, liberalizmi dhe sundimi i ligjit do t’i tregonte qesharakë, do t’i nxirrte nga skena për t’i zëvendësuar me liderë normalë, kompetentë, modestë, që nuk e shohim Shqipërinë vetëm nga dritarja prej nga duket e pafund, por edhe në hartë ku duket aq sa është në krahasim me vendet e tjera të botës.
Askush nuk e mohon rolin e madh të drejtuesve, por ata nuk duhet të pushtojnë gjithë skenën. Kur pushtojnë skenën ata shtyjnë liritë, i mbajnë dorën dorës së fshehtë të konkurrencës dhe tregut të lirë, fuqisë kryesore të zhvillimit.
Ky fakt i dukshëm në realitetin tonë është sinteza e disa shartimeve hibride:
E vlerave dhe normave demokratike në letër me qasjet voluntariste antidemokratike në zbatim.
E sundimit të ligjit me sundimin e personave.
E qeverisjes socialdemokratike, liberaldemokratike apo konservatore me qeverisjen populiste, klienteliste, elektoraliste, autoritariste dhe propagandistike.
E shtetit të vogël në natyrën e sistemit demokratik me shtetin e madh të regjimeve. Të sjellim një fakt. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit 2025 numri i punonjësve në sektorin shtetëror shkoi në 186,581 vetë. Po kaq punonjës publikë ka patur vendi në vitin 2002, kur numëronte mbi 3 milionë banorë, ndërsa sot popullsia ka pësuar një rënie drastike prej 22 përqind. Ka informacione që thonë se përgjatë vitit, sidomos kur ka zgjedhje, administrata “fryhet” me rreth njëzet mijë të tjerë si punonjës të përkohshëm. Edhe pa këto njëzet mijë shifra është majft e madhe dhe e palogjikshme në kontekstin e ndyshimeve demografike dhe digjitalizimit të shërbimeve që qytetarët i marrin “online” përmes investimeve qindra miliona eurosh në platforma digjitale.
Numri shumë i lartë i punonjësve publikë tregon aspektin me të dukshëm të shtetit të madh. Por po aq të dëmshme, në mos edhe më shumë janë shfaqjet e tjera të etatizmit imponues në piramidën e vedimmarrjes.
Liria punon, por Shteti i madh elektoralist është një gjyle në flatrat e saj, në trupin e saj, në këmbët e saj. Shteti i madh ha qyl në kurriz të zhvillimit për të gjithë.
Liria punon, po monopolet dhe oligopolet e shtruara këmbëkryq i reduktojnë potencialet e saj
Liria punon, por klientelizmi dhe korrupsioni shkatërrojnë.
Liria punon, por shtetëzimet, ndërmarrjet e reja shtetërore me alibi lloj lloj, janë si piramidat që marrin shumë, por kthejnë pak, derisa bien nga mbipesha dhe akfiksia.
Aktualisht jemi në statusqonë e shartimeve. Por kujdes Shartimi i liberales me etatisten dhe autokratikën, sikurse shartimi i të mirës me të keqen nuk është se i mban barabar të dyja pjesët. Zmadhon të keqen dhe zvogëlon të mirën. Për të ndyshuar ngjyrën e një gote me ujë të pastër nuk ka nevojë për një gotë me bojë të zezë. Mjaftojnë ca pika.
Liberalet do të vijojnë ta mbajnë të pathyer pasqyrën e vlerave me qëllim që deformimet të dalin në dritë, të evidentohen. E gjithë kjo si premisë për t’i luftuar.
* Fjalim i mbajtur në Forumin e Tiranës për liritë ekonomike
