Last Updated on 18/04/2026 by Anisa
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua sot me homologen letoneze, Baiba Braže, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026.
Hoxha bëri të ditur se gjatë bisedës rikonfirmuam angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fusha kyçe me interes të ndërsjellë.
“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vyer që Letonia i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një prioritet strategjik për vendin tone”, nënvizoi Hoxha.
Gjithashtu, Hoxha theksoi më tej se në takim u vlerësua partneriteti i fortë në kuadër të NATO-s dhe nevoja për të qenë të përgatitur për t’iu përgjigjur një mjedisi sigurie gjithnjë e më kompleks dhe dinamik.
“|Në këtë kontekst, theksuam edhe kontributin e trupave shqiptare në Ādaži, si një dëshmi konkrete e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj mbrojtjes dhe sigurisë kolektive”, shtoi ai.
Hoxha bëri të ditur se ftoi homologen letoneze për një vizitë në Tiranë, me synimin, sipas tij, për të forcuar më tej lidhjet mes vendeve dhe për të thelluar bashkëpunimin dypalësh.
