Last Updated on 18/04/2026 by Anisa
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar së fundmi një takim me monologun serb, Marko Duriç nga ku bëri me dije se Shqipëria do të ketë së shpejti konsullatën e saj në Serbi.
Nëpërmjet një postimi të bërë në rrjetet e tij sociale, Hoxha shkroi se Shqipëria dhe Serbia kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën. Ndërsa shtoi se një konsullatë shqiptare do të hapet së shpejti në Bujanoc.
“Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit konkret, me synim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar rolin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të stabilitetit rajonal. Në këtë kuadër, mirëprita gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc” shkroi Hoxha në postimin e tij.
Postimi i plotë i ministrit Ferit Hoxha:
Sot, pata një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Đurić, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026
Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit konkret, me synim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar rolin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të stabilitetit rajonal. Në këtë kuadër, mirëprita gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc.
Nënvizova domosdoshmërinë për të ruajtur, thelluar dhe forcuar bashkëpunimin rajonal si rruga më e besueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke lënë mënjanë retorikat e panevojshme dhe joproduktive. Shqipëria mbetet e përkushtuar të investojë në qartësinë e qëndrimeve të saj, në koherencën e politikës së jashtme, si dhe në forcimin e kontakteve mes njerëzve, duke kultivuar një brez të ri me vizion të qartë evropian.
Gjithashtu, pranuam se kemi qëndrime thelbësisht të ndryshme lidhur me Republikën e Kosovës. Rikonfirmova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë mbi rëndësinë vendimtare të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke, si një kontribut thelbësor për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.
