Një tentativë për t’i vënë zjarr një sinagoge në Londër ka ngritur alarmin për sigurinë e komunitetit hebre, ndërsa autoritetet flasin për një seri sulmesh që po përsëriten.
Ngjarja ndodhi gjatë natës në zonën Harrow, në veri-perëndim të Londrës, ku një person tentoi të ndizte zjarr brenda sinagogës Kenton United. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por brenda u raportuan dëme të lehta nga tymi.
Ky nuk është një rast i izoluar. Vetëm gjatë kësaj jave janë regjistruar tre sulme ndaj objekteve hebraike në Londër. Një tjetër sinagogë u sulmua në Finchley, ndërsa në Hendon u tentua të digjej një godinë që më parë përdorej nga një organizatë hebraike.
ikërisht kjo situatë ka shqetësuar drejtuesit e komunitetit. Kryerabini i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Ephraim Mirvis, tha hapur se sulmet “po marrin vrull” dhe e cilësoi rastin e fundit si një akt frikacak.
Shqetësimi i tyre është se nuk bëhet fjalë për një incident të vetëm, por për një model sulmesh që po përsëritet dhe po rritet në frekuencë.
Ndërkohë, policia londineze ka kaluar në gatishmëri më të lartë. Në zonat ku jeton komuniteti hebre janë shtuar patrullat, kontrollet në rrugë dhe prezenca e forcave të armatosura dhe atyre kundër terrorizmit.
Edhe hetimet janë zgjeruar. Autoritetet po shohin nëse këto raste lidhen mes tyre dhe nëse kemi të bëjmë me sulme të motivuara nga urrejtja fetare./mxh
