Papa Leoni XIV ka bërë një thirrje të fortë për paqe gjatë një meshe të mbajtur në kuadër të turneut të tij në Afrikë, ku morën pjesë rreth 100 mijë besimtarë pranë kryeqytetit të Angolës.
Ati i Shenjtë shprehu keqardhje për përshkallëzimin e fundit të sulmeve në Ukrainë, duke theksuar se civilët po vazhdojnë të vuajnë rëndë nga lufta. Ai u shpreh se lutjet e tij janë me popullin ukrainas dhe përsëriti thirrjen e tij që “armët të heshtin” dhe që palët të zgjedhin rrugën e dialogut për t’i dhënë fund konfliktit.
Në të njëjtën fjalë, Papa Leo XIV iu referua edhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme, duke përshëndetur armëpushimin e shpallur në Liban si një “shenjë shprese” për rajonin. Ai inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve diplomatike për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe për t’i dhënë fund armiqësive në gjithë rajonin e Levantit.
Mesha u mbyll mes thirrjeve për paqe, ndërsa Papa u largua nga altari i shoqëruar nga priftërinj dhe ndihmës altarësh, në një atmosferë të ngarkuar me mesazhe solidariteti dhe shprese./mxh
