Last Updated on 19/04/2026 by EL
Në fillim është vetëm një shkëndijë.
Një masë elektrike në një prizë. Një cigare e fikur keq në ballkon.
Një defekt i vogël apo një gabim i zakonshëm.
Flaka prek fasadën. Por kur prek materialin e gabuar, flaka shpërthen dhe ngjitet vertikalisht. Ajo nuk ndalet më.
Në pak minuta një ndërtesë moderne kthehet në një kurth zjarri.
Banorë që dalin me vrap, dikush në ballkon kërkon ndihmë. Dhe ata që jetojnë brenda nuk kanë kohë.
Fasadat e ventiluara janë kthyer në simbol të ndërtimit modern.
Efikase, elegante, të përhapura kudo. Por në shumë raste të rrezikshme.
Në botë, ato kanë marrë jetë. Në Shqipëri tashmë janë kudo.
A jemi të sigurt apo thjesht kemi pasur fat?
Sepse një shkëndijë e vetme mjafton për të kthyer një ndërtesë moderne në një kurth vdekjeje.
Dhjetëra banorë të një pallati 12-katësh, pranë Farmacisë 10 në Tiranë, u përballën me tym e flakë pasditen e 14 prillit 2026.
Në një orë më të vonë, pasojat mund të ishin fatale, por kësaj here fati ishte në anën e tyre. Por në rrethana të tjera mund të ishim përballur me një tragjedi.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Janë fatale rastet në gjumë. Po të kishte qenë ky zjarr natën, do të kishte pasur pasoja katastrofike.
Të ngjashme nuk kanë munguar në botë. Por nëse nuk merren masa, një rrezik i tillë mund të jetë evident edhe tek ne. Fati jo gjithmonë mund të jetë në anën e banorëve. Madje as të zjarrfikësve që luftuan me flakët për më shumë se tri orë.
Në dekadën e fundit, qytetet shqiptare kanë ndryshuar fytyrë.
Veçanërisht në Tiranë, ndodhi një transformim i thellë urban, ku ndërtesat e vjetra dhe shpesh të ndërtuara pa standarde nisën të zëvendësohen me godina moderne, në një proces, që shpesh ekspertët e kanë cilësuar si “korrigjim”, më shumë sesa thjesht rinovim. Ky zhvillim lidhet edhe me ndryshimin e profilit të blerësit shqiptar, i cili sot kërkon cilësi më të lartë ndërtimi dhe standarde bashkëkohore, ndryshe nga periudha pas viteve ’90 kur ndërtimet synonin kryesisht plotësimin e nevojave emergjente për strehim.
Por duket se dhe përmirësimi i kushteve ka gjetur vend për abuzim. Fasadat e pallateve shumëkatëshe, duket se janë vërtetë ashtu. Një fasadë.
Shtresat e vendosura poshtë saj, duket se janë problemi që diskutohet sot, pas ngjarjes së 14 prillit që la në qiell të hapur 30 familje, banesat e të cilëve u shkrumbuan në Tiranë.
Fasadat e ventiluara janë një sistem modern ndërtimi ku mbi murin e jashtëm vendoset një shtresë izolimi dhe më pas një veshje e dytë (panele dekorative), duke krijuar një hapësirë ajri mes tyre që ndihmon në izolimin termik dhe në një estetikë bashkëkohore. Por pikërisht kjo hapësirë ajri, që i bën efikase për energjinë, mund të kthehet në rrezik serioz në rast zjarri: krijohet i ashtuquajturi “efekt oxhak”, ku flakët dhe nxehtësia ngjiten me shpejtësi nga kati në kat. Nëse përdoren materiale të ndezshme si polistireni apo panele kompozite alumini (ACP), zjarri jo vetëm përhapet më shpejt, por bëhet edhe shumë i vështirë për t’u shuar, pasi qarkullimi i ajrit në boshllëk e ushqen vazhdimisht atë dhe e përhap në të gjithë fasadën brenda pak minutash.
Nëse ka ndodhur pikërisht kjo edhe në rastin e pallatit të ndërtuar nga “Arlis”, pranë farmacisë 10 në Tiranë, kjo mbetet të zbulohet nga hetimet. Një shkëndijë e ardhur në katin e parë, nga pakujdesia e punonjësve të supermarketit, u ngjit me shpejtësi në të gjithë fasadën e pallatit 12-katësh, deri në tarracën e tij.
Ky nuk është vetëm një problem shqiptar. Por në Shqipëri a jemi të përgatitur?
Kjo ngjarje fatmirësisht u mbyll pa pasoja fatale, por në botë, zjarret e këtyre përmasave kanë shkaktuar tragjedi.
Zjarri që shkatërroi kullën “Grenfell” në qershor të vitit 2017 ishte një nga katastrofat më të mëdha moderne në Mbretërinë e Bashkuar.
Pak para orës 01:00 të 14 qershorit të atij viti, shpërtheu zjarr në kuzhinën e një apartamenti në katin e katërt në bllokun e kullës 23-katëshe në Kensingtonin Verior, në Londrën Perëndimore. Brenda pak minutash, zjarri u përhap me shpejtësi në pjesën e jashtme të ndërtesës dhe më pas u përhap në të katër anët. Deri në orën 03:00, shumica e kateve të sipërme ishin plotësisht të djegura.
Katastrofa të ngjashme kanë ndodhur edhe në Itali, Spanjë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Por janë pikërisht këto raste që kanë ndodhur, dëshmitë e këtyre katastrofave që duhet të mjaftojnë për t’u marrë masat e duhura. Për të parandaluar në çdo rast humbjen e jetës së njerëzve.
Arben Cara, drejtori i Përgjithshëm i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, tregon hap pas hapi të gjitha veprimet dhe luftën me flakën, që nga momenti kur është dhënë njoftimi në sallën operative.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Salla operative e zjarrfikëseve është lajmëruar nga numri 112, pra nga salla e Policisë, për një zjarr në afërsi të “5 Majit”, afër “Farmacisë 10”, ku menjëherë ka urdhëruar nisjen e stacionit më të afërt, atë të Kinostudios, rreth orës 16:52. Kur ka arritur në vendin e ngjarjes ka konstatuar një vatër zjarri në kompleksin e pallateve, gjë e cila ka vënë në lëvizje të gjitha stacionet zjarrfikëse të Bashkisë Tiranë, por jo vetëm. Edhe të Bashkisë Vorë dhe Kamzë. Menjëherë kam marrë kontakt me sallën operative ku kam kërkuar shpjegime se çfarë po ndodhte në këtë zonë. Pasi jam informuar për zjarrin e rënë jam nisur menjëherë për në vendin e ngjarjes, ku dhe kam arritur në një kohë shumë të shkurtër, duke organizuar të gjithë operacionin e fikjes së zjarrit. Kam komunikuar me ministrin e Brendshëm, Lamallari, që i kam shpjeguar situatën dhe i kam kërkuar që të na mbështeste me forcat e Policisë së Shtetit, të Ministrisë së Mbrojtjes pasi zjarri ishte i përmasave të mëdha dhe fasada, pjesa lindore e fasadës së pallatit kishte përmasa të jashtëzakonshme dhe zjarri përparonte me shumë shpejtësi.
Jonus Murataj, drejtues i Stacionit Kinostudio: Në momentin e njoftimit që kemi marrë nga salla jonë, që është te “21 Dhjetori”, menjëherë stacioni zjarrfikës “Kinostudio”, është nisur për këtu ku jemi ne, në vendngjarje dhe ka ardhur për 8-10 minuta. Ka ardhur në kohë. Zjarri është kapur në hyrje të marketit. Kanë shtrirë informacionet për fikjen e zjarrit. Ndërkohë që është par se fasadë mbi marketin kishte marrë zjarr të brendshëm, midis talbonit dhe murit. Këto zjarre për ne janë të rrezikshme. Sepse janë zjarre të brendshme.
Lufta me flakët ishte e gjatë, por synimi kryesorë ishte të shpëtonin banorët që ndodheshin në pallat.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Kemi vënë nën kontroll situatën për të mos lënë zjarrin të përhapej në një kohë relativisht të gjatë faktikisht, për shkak të terrenit. Numrit të kateve të pallatit, i cili ishte 10-12 kate. Dhe më pas jemi marrë kryesisht me evakuimin e personave.
Në momentet kur flakët përpijnë katet njëra pas tjetrës dhe tymi mbulon çdo dalje, koha nuk matet më me minuta por me jetë. Brenda një ndërtese të përfshirë nga zjarri, çdo derë e mbyllur është një pikëpyetje. Çdo banesë, një rrezik i panjohur. A ka njerëz brenda? A kanë arritur të dalin? Apo janë bllokuar mes flakëve dhe tymit?
Për shërbimin zjarrfikës, këto janë sekondat më kritike. Evakuimi nuk është thjesht një procedurë, është një garë me kohën, ku mungesa e informacionit mund të kushtojë jetë.
Arben Cara, tregon nga afër sfidat reale të ndërhyrjes. Nga kërkimi derë më derë në errësirë dhe tym, te vendimet e vështira dhe aktet e guximit që bëjnë diferencën mes jetës dhe tragjedisë.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Evakuimi i personave ka qenë një sfidë më vete pasi shërbimi zjarrfikës në momentet e para e ka detyrë funksionale që ta kryejë këtë gjë. Mungesa e informacionit nga banorët ka qenë një tjetër sfidë, që na bënte të trokisnim apo të kontrollonim në çdo banesë për të parë nëse kishim apo nuk kishim njerëz në këto banesa. Pasi jemi siguruar që kemi nxjerrë të gjithë banorët jashtë, në një orë të vonë janë paraqitur dy banorë, ku na kanë kërkuar që të kontrollojmë në katin e katërt, pasi të afërmit e tyre ndodheshin brenda. Menjëherë jemi vënë në lëvizje ku dhe drejtuesi i stacionit zjarrfikës të Kinostudios zoti Murataj, ka ndërmarrë një hap shumë të guximshëm, duke ndërhyrë vetë personalisht. Ka bërë kontrollin e banesave për të gjetur dy nëna, të cilat sot janë të shpëtuara, kanë marrë dhe ndihmën e parë, me disa lëndime të lehta nga zjarri dhe asfiksia dhe fatmirësisht gëzojnë shëndet të plotë.
Shefi i stacionit të Kinostudios, Jonus Murataj, që u kthye në një hero, për të shpëtuar dy zonja të moshuara që kishin mbetur të izoluara, rrezikoi gjithçka, por në fund ia doli.
Jonus Murataj, drejtues i Stacionit Kinostudio: Në momentin që kam qenë në afërsi të autoshkallës së Bashkisë Kamzë, që po vepronim nga lartësitë, sepse është edhe taktika e shuarjes së zjarreve në këtë formë, dëgjoj pas krahëve të mijë disa familjarë që thotë: “Është nëna lart…”. Atë dua ta theksoj, jo pse e bëra unë atë, çdo zjarrfikës do ta bëjë, është mision i tij. Kushdo do ta bënte nga zjarrfikësit. Kushdo që të merrte urdhrin do ta bënte. Kushdo që ta dëgjonte do ta bënte. Për momentin, unë si drejtues i shuarjes së zjarrit nuk mund të lëvizja dot forcat, që i kisha të caktuara nëpër vende. Prandaj veprova vetë. Zonjën e kam gjetur në gjendje shoku. Shtëpia ishte e tejmbushur me gazra helmues dhe me tym. Në një moment bëra lëvizjen e zonjës, nga pjesa e kuzhinës e nxora te ballkoni. Mora vesh që zonja ishte edhe me probleme shëndetësore të zemrës.
Operacioni nuk ishte vetëm i vështirë, por edhe shumë i gjatë. Kjo për të shmangur çdo të papritur.
Arben Cara, drejtor i MZSH: I gjithë ky operacion ka zgjatur për një kohë relativisht 6-7 orë dhe pastaj është qëndruar deri në orët e para të mëngjesit me mjete zjarrfikëse për të mbajtur situatën nën kontroll, pasi zjarri në pjesën e fasadës dhe në disa banesa ishte i brendshëm dhe herë pas here aktivizohej.
Por përtej akteve individuale të guximit, kjo ishte një betejë që kërkoi shumë më tepër sesa ndërhyrje të zakonshme. Një zjarr i tillë nuk përballet vetëm me guxim. Ai kërkon koordinim, logjistikë dhe një zinxhir institucionesh që duhet të funksionojnë si një trup i vetëm.
Jonus Murataj, drejtues i Stacionit Kinostudio: Në momentet e para dhe kur kam mbërritur vetë, unë zjarrin e kam parë nga jashtë objektit. Në momentin që jam futur nga para, nga shkallët, kam parë një kaos me tym. Hyrja ishte e mbushur me tym, e tejngopur. Tymi dilte edhe nga katet nën tokë. Unë si drejtues i operacionit të zjarrit, bëra këqyrjen e të gjitha ambienteve rreth e rreth objektit, për të vetmen arsye, edhe si detyrë funksionale e imja, të shikoja bizneset përreth vatrës së zjarrit, se ku ishte rrezikshmëria më e lartë. Në momentin që mbërrin 22/1, pra qendra dhe të gjitha automjetet e forcat po afroheshin, bëra stacionimin e stacioneve të tjera për luftimin e zjarrit. Vlen për të theksuar fakti se jemi nga ana veriore dhe zjarrin e ndihmoi edhe era. Ishte era e pasdites që na e shpërndau zjarrin. Bëri lëvizjen, që po ta shikojmë ka marrë komplet nga ana lindore.
Ishte një ndërhyrje nga më komplekset, një situatë ku çdo vonesë, çdo mungesë koordinimi, mund të kishte pasoja fatale. Në terren nuk ishin vetëm zjarrfikësit. Forcat e Policisë së Shtetit, njësitë speciale, ushtria dhe strukturat vendore u bënë pjesë e të njëjtit operacion, duke ndërhyrë në çdo nivel: nga hapja me forcë e dyerve për të kontrolluar banesat, te mbajtja e rrugëve të lira për mjetet e emergjencës.
Edhe mjetet ajrore, zakonisht të përdorura në zjarret në terrene të hapura, u angazhuan për të ulur intensitetin e flakëve dhe temperaturave, një ndërhyrje jo e zakonshme për një zonë urbane, por e domosdoshme për të mbajtur situatën nën kontroll.
Sepse në operacione të tilla, koha nuk është thjesht faktor. Është diferenca mes kontrollit dhe katastrofës.
Arben Cara, drejtor i MZSH: E them me bindje se ka qenë një situatë e jashtëzakonshme, ka qenë një zjarr kompleks, me sfida, i cili kërkon shumë kapacitete njerëzore. Kërkon kapacitete logjistike patjetër, pajisje speciale që ndërhyrja të jetë e suksesshme, pasi zjarre të kësaj natyre janë shpeshherë edhe vdekjeprurëse, qoftë për shërbimin zjarrfikës por edhe për banorët kryesisht, ata që janë të pambrojtur. Dua të falënderoj të gjithë forcat pjesëmarrëse në këtë operacion zjarri. Jo vetëm zjarrfikësit, por edhe Policinë e Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pas telefonatës që kam bërë me të ka qenë i angazhuar maksimalisht, jo vetëm më forcat “Shqiponja”, patrullat e Policisë, forcat RENEA, të cilat i kërkuam dhe na erdhën në vendngjarje në momentin kur ne e kishim shumë të domosdoshme për të trokitur dhe për të hapur me forcë dyert, nga ku nuk merrnim përgjigje, zjarrfikësit e ushtrisë që na kanë ardhur në një kohë rekord. Helikopteri i ushtrisë gjithashtu, i cili edhe pse është shumë i dobishëm në zjarret në terren, bëri një punë të jashtëzakonshme në uljen e intensitetit të temperaturave, pra i ka ndihmuar jashtëzakonisht zjarrfikësit për ta mbajtur këtë situatë nën kontroll. Nuk mund të lë pa përmendur Policinë Bashkiake, e cila ka qenë aty duke na orientuar, por jo vetëm, duke mbajtur edhe rrugët e hapura në bashkëpunim me Policinë Rrugore. Pasi është shumë e rëndësishme në këto raste, që për shkak të trafikut të rënduare të krijohet një segment ku forcat zjarrfikëse të kalojnë të lira. Sepse koha në këto raste është ajo çfarë bën dhe diferencën për të mbajtur një situatë nën kontroll.
Jonus Murataj, drejtues i Stacionit Kinostudio: Një stacion nuk mund ta mbante dot. Me 5 efektivë që kemi ne. Në moment komandanti i shërbimit bëri njoftimin e shefit të Sektorit, pra mua dhe më shpjegon se si ishte situata. Më pyeti se si do veprojmë. Atëherë unë njoftova eprorët e mi, për të shtuar kapacitetet, si në mjete dhe në forca.
Por kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Për ata që janë në vijën e parë të zjarrit, çdo ndërhyrje mbart një histori më vete dhe një kujtesë të fortë të rasteve kur gjërat kanë shkuar keq.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, e vendos këtë zjarr mes më të vështirëve të dekadës së fundit. Në një listë të shkurtër, ku përfshihet edhe zjarri tragjik te “Casa Italia”, me pasoja fatale, dhe një tjetër ndërhyrje komplekse te “Nesheraku”. Tre raste të ndryshme. Por me një të përbashkët: vështirësinë ekstreme të ndërhyrjes në ambiente të mbyllura dhe në godina të larta.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Në një dekadë mund të them që ky ka qenë zjarri i dytë më i vështirë që kemi hasur në banesa. Kemi pasur edhe zjarrin te “Casa Italia”, ka qenë një zjarr i brendshëm dhe me humbje jete fatkeqësisht, por ky dhe zjarri te “Nesheraku”, i ngjashëm me zjarrin që ka ndodhur tani, kanë qenë nga zjarret më të vështira. Ne si shërbim zjarrfikës përballemi çdo ditë me sfida, me zjarre të brendshme, nëpër banesa. Shpesh herë ju nuk jeni të informuar se sa ngjarje kemi në ditë. Nuk kemi vetëm zjarre, kemi ndërhyrje të shpëtimit, të aksidenteve rrugore, në një ashensor, pra gjithçka ka të bëje me shërbimin zjarrfikës. Është i detyruar t’i përgjigjet komunitetit dhe në çdo rast i përgjigjet, por situatat në banesa dhe në objektet me kate të larta janë shumë të vështira për vetë natyrën që godina ka.
KUR ZJARRI DEL JASHTË KONTROLLIT
Beteja me zjarrin nuk vështirësohet vetëm nga flakët. Ajo bëhet edhe më e rrezikshme nga paniku. Mungesa e bashkëpunimit nga vetë qytetarët është një nga sfidat më të mëdha në terren. Jo për shkak të qëllimit të keq, por sepse në ato momente, instinkti për të shpëtuar pronën apo për t’u kthyer pas, bëhet më i fortë se çdo rregull sigurie.
Jonus Murataj, drejtues i Stacionit Kinostudio: Për momentin, të jemi të sinqertë, nga para na u krijua një kaos. Sepse flaka ishte pak këtu dhe kishte dalë më shumë lart në tarracë. Në momentin që filluam evakuimin, mbërritën shumë forca, edhe speciale, edhe grupet e gatshme që i njoftuam për t’u paraqitur për evakuimin e banorëve. Por në vetvete banorët që ne i çonim poshtë, ata vinin për të tërhequr materialet nga banesat e tyre. Për të ruajtur sendet personale apo shtëpiake. Kjo na e vështirëson paksa punën.
Çdo ndërhyrje kërkon hapësirë, koordinim dhe besim te shërbimet e specializuara. Sepse ndërhyrja nuk është spontane është e trajnuar, e strukturuar dhe e menduar për të shpëtuar jetë.
Drejtori Arben Cara ka një mesazh të drejtpërdrejtë: Në rast zjarri, telefono menjëherë 128. Jep adresë të saktë. Largohu. Dhe lër profesionistët të bëjnë punën e tyre. Sepse në fund, çdo sekondë ka peshë. Dhe çdo sekondë mund të jetë diferenca mes jetës dhe humbjes.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Bëhet komplekse ndërhyrja kur njerëzit nuk bashkëpunojnë shumë me shërbimin zjarrfikës. Në shumicën e rasteve, më shumë sesa ndihmojnë edhe pengojnë. Jo nga dashakeqësia, por duke pasur parasysh se atyre iu digjet prona, kanë njerëzit në rrezik. Nga paniku që në të gjitha rastet ata duhet të evakuohen menjëherë dhe të lënë shërbimin të bëjë punën e tij. Të gjitha shërbimet duhen lënë të bëjnë punën e tyre, në mënyrë që ngjarja të jetë e suksesshme dhe të vihet çdo gjë nën kontroll në një kohë sa më të shkurtër. Nëse ata mendojnë se po ndihmojnë në këtë rast, më shumë pengojnë sesa ndihmojnë, duke qëndruar në radhë me shërbimin zjarrfikës ose duke tentuar të hyjnë në banesat e tyre, ndoshta për të shpëtuar diçka. Është fatale në këto raste. Në çdo rast është shumë e rëndësishme që ata të kenë parasysh jetën e tyre dhe më pas dëmet materiale. Njeriu bën gjithçka për të mbrojtur pronën e tij, jetën e tij, por janë shërbimet e specializuara ato që duhet ta bëjnë këtë punë. Gjej rastin t’u bëj dhe një thirrje, që në çdo rast shërbimi zjarrfikës të lajmërohet drejtpërdrejt në numrin 128. Patjetër që edhe numrat e tjerë të shërbimeve të emergjencave janë aktivë dhe duhet të lajmërohen, por për çdo lloj procesi pune, të lajmërohet ai që të duhet në këtë rast. Ne si zjarrfikës e kemi rregull që efektivi duhet të dalë për 40 sekonda nga stacioni. Dhe gjatë natës për 60 sekonda. Barrierat ose pengesat rrugës bëjnë punën e tyre. Por shërbimi zjarrfikës në çdo rast kur merr telefonatën në sallën operative, për 40 sekonda gjatë ditës dhe 60 sekonda gjatë natës ka dalë nga stacioni. Adresa është shumë e rëndësishme në këtë rast. Çfarë po digjet. Pra një informacion i saktë është shumë i rëndësishëm. Sepse ti, duke dhënë një informacion dhe një adresë të saktë, minimizon kohën. Koha në këtë rast bën dhe diferencën, që ty të shpëtojë jetën dhe dëmet materiale më pas.
Ndonjëherë, problemi nuk është vetëm zjarri. Është qyteti vetë.
Rrugë të ngushta. Ndërtime pa planifikim. Akses i pamundur për mjetet e emergjencës. Një realitet i krijuar ndër vite, që në momente krize kthehet në rrezik real për jetën.
Një pjesë e këtij problemi lidhet me ndërtimet e periudhës së tranzicionit, të realizuara pa kriter dhe të legalizuara më pas, pa marrë në konsideratë aksesin për shërbimet emergjente. Por nuk është vetëm infrastruktura. Në shumë raste, janë vetë qytetarët që, pa e kuptuar, e bëjnë situatën edhe më të vështirë. Një makinë e parkuar gabim mund të bllokojë një rrugë të tërë. Mund të pengojë vendosjen e një autoshkalle. Mund të vonojë ndërhyrjen në ato sekonda që bëjnë diferencën. Dhe megjithatë, edhe përballë këtyre pengesave, ndërhyrja vazhdon.
Me mjete alternative. Me improvizim. Me përvojë. Në rastin konkret, disa autoshkallë dhe dhjetëra mjete u vunë në dispozicion, duke bërë të mundur menaxhimin e situatës.
Por çdo ngjarje lë pas një mësim.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Si kudo, rrugët në qytetet kryesore, në qytetet e mëdha, janë të vështira. Absolutisht që kemi rrugë, të cilat janë shumë të vështira të aksesohen nga shërbimi zjarrfikës. Ndoshta kjo edhe për shkak të ndërtimeve në kohën e tranzicionit, që janë bërë dhe më pas janë legalizuar pa kaluar dhe hallkat shtetërore, siç janë Bashkia, etj., që sipas vendimit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit kanë dhe kushtet dhe kriteret për akseset, se sa duhet të jetë aksesi i një rruge për të kaluar një mjet zjarrfikës. Dhe kjo e bën të vështirë punën tonë. Në rastin konkret ka pasur vështirësi përballë qendrës spitalore, ku mjetet zjarrfikëse e kanë pasur të vështirë të aksesojnë, për shkak të ndërtimeve pa kriter siç e përmenda. Patjetër që edhe këto vështirësi ekzistojnë, por duhet të them që shërbimi zjarrfikës disponon edhe mjete të vogla, të cilat mund të aksesojnë në këto rrugë patjetër. Vështirësitë më të mëdha i krijojnë vetë njerëzit, duke lënë automjetet të parkuara vend e pa vend. Pra një automjet i parkuar jo në vendin e duhur, ndikon shumë në aksesin e shërbimit zjarrfikës. Ndikon shumë në hapjen e një autoshkalle. Ne kemi pasur shumë mjete atë ditë në funksion të ngjarjes që ndodhi. Kemi pasur 4 autoshkalla zjarrfikëse. Pati kapacitete të mjaftueshme për një ngjarje të tillë dhe u menaxhua më së miri. Patjetër që ka vend për t’u përmirësuar. Absolutisht pas çdo ngjarjeje ne nxjerrim një mësim dhe e përmirësojmë atë gjë.
Por përballë sfidave, ka edhe një realitet tjetër. Një shërbim që është në zhvillim.
Vitet e fundit janë bërë investime konkrete në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike. Sot, në Tiranë operojnë autoshkallë që arrijnë deri në dhjetëra metra lartësi, duke bërë të mundur ndërhyrjen edhe në godina të larta.
Por ndërhyrja nuk është më vetëm përgjegjësi e një stacioni apo e një bashkie.
Strukturat janë shtrirë dhe janë forcuar edhe në zonat përreth, në Kamzë dhe Vorë, me stacione të reja dhe dhjetëra efektivë në shërbim. Një rrjet që funksionon si një trup i vetëm, përtej kufijve administrativë.
Sepse në një emergjencë, nuk ka rëndësi se kujt i përket mjeti apo struktura.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Në Tiranë kemi sot shkallë deri në 5 kate. Deri në 30-32 kate, deri në 54 metra. Edhe Bashkitë Kamzë dhe Vorë, disponojnë autoshkallë zjarrfikëse. Sot fatmirësisht, falë ligjit të vitit 2015, ne kemi bërë një shtesë organike, më shumë se 150 vetë në qarkun e Tiranës. Vetëm Bashkia Tiranë ka marrë 20 punonjës zjarrfikës. Kemi një strukturë në Kamzë të plotësuar tashmë me dy stacione zjarrfikëse, me rreth 48 punonjës. Kemi një strukturë në Vorë me 34 punonjës zjarrfikës. Pra ne punojmë në 1, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka rëndësi cila autoshkallë, apo cili automjet zjarrfikës operoi për të fikur zjarrin. E rëndësishme është që shërbimi zjarrfikës operon dhe i jep ndihmën qytetarit në çdo rast me mjetet dhe resurset që ai ka.
Në terren, kjo nuk ishte një ndërhyrje e zakonshme. Ishte një operacion i përmasave të mëdha. Dhjetëra mjete zjarrfikëse. Autoshkallë të vendosura në çdo cep të godinës. Mbi 50 efektivë në vijën e parë. Dhe përtej tyre, të tjerë që nuk pritën urdhër por u kthyen nga shtëpitë, për t’u bashkuar me kolegët e tyre.
Sepse në këtë profesion, alarmi nuk mbaron me turnin. Ai vazhdon derisa rreziku të jetë neutralizuar. Një operacion i gjerë, ku çdo strukturë kishte një rol dhe ku çdo vonesë mund të kishte kosto të parikuperueshme. Në krye të këtij operacioni ishin vetë drejtuesit.
Jonus Murataj, drejtues i Stacionit Kinostudio: Pasi bëmë evakuimin dhe vendosi perimetrin Policia e Shtetit, nuk lejohet më njeri. Të gjitha forcat ishin të angazhuara për shuarjen e këtij zjarri, përfshirë edhe Policinë e Shtetit dhe forcat RENEA, që na ndihmuan në evakuimin e njerëzve dhe nga kontrolli që u bë nga pjesa e përparme, përfshirë dhe katet nën tokë të garazheve, sepse garazhet ishin me automjete.
Vendime të marra në kohë reale. Rrezik i lartë. Presion maksimal. Dhe si në çdo përballje me zjarrin pati edhe të lënduar. Gjashtë zjarrfikës të dëmtuar gjatë ndërhyrjes. Djegie. Asfiksi. Lëndime në përpjekje për të shpëtuar të tjerët.
Por asnjë jetë e humbur. Dy gra të nxjerra nga flakët. Të mbijetuara. Një bilanc që në situata të tilla, nuk është kurrë i garantuar. Këtë herë nuk ndodhi. Jo rastësisht. Por për shkak të një ndërhyrjeje që shkoi përtej detyrës. Përtej protokollit. Deri në kufijtë e sakrificës.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Ne kemi pasur 15 automjete zjarrfikëse në vendngjarje, pra autoshkallë dhe automjete. Kemi pasur mbi 50 zjarrfikës të forcave operacionale. Jo vetëm zjarrfikës aktivë, në shërbim, kanë ardhur zjarrfikës edhe nga shtëpitë e tyre. Në çdo rast, kur ngjarjet janë me përmasa të mëdha, drejtuesit dhe zjarrfikësit aktivizohen vullnetarisht dhe ndihmojnë kolegët e tyre, Nga të tri Bashkitë kemi pasur edhe zjarrfikës vullnetarë, Kemi pasur forca operacionale nga ushtria me 3 automjete zjarrfikëse, të cilët kanë ardhur të kompletuar me të gjitha pajisjet e duhura, kemi pasur forca nga “Shqiponjat”, Policia e Rendit dhe RENEA, Policia Bashkiake, Urgjenca Kombëtare dhe ajo çfarë vlen të përmendet është se të gjithë drejtuesit kanë qenë në krye të operacionit, patjetër të drejtuar nga drejtori i Përgjithshëm Zjarrfikës, që në këtë rast jam unë. Ministri i Brendshëm nuk është larguar për asnjë moment nga vendi i ngjarjes, deri kur është qetësuar situata. Patëm disa lëndime nga radhët e shërbimit zjarrfikës. Kanë qenë 6 zjarrfikës të lënduar, 4 me djegie dhe me asfiksi, 2 të lënduar lehtë dhe dy zonjat që u evakuuan, siç e thashë dhe më përpara, morën ndihmën e parë. Gjendja e tyre, sipas informacioneve që kemi, i kemi kontaktuar, është e mirë. Nuk ka më probleme, për jetën nuk bëhet fjalë, janë shumë mirë dhe shpresoj që për një kohë shumë të shkurtër do kthehen edhe në punë zjarrfikësit.
Por pasi flakët shuhen, nis një tjetër proces. Ai i llogaridhënies. Çdo emergjencë pasohet nga një bilanc, një analizë që kalon nëpër të gjitha hallkat: Nga njësitë vendore, te bashkia, prefektura dhe strukturat e Emergjencave Civile. Një proces që nuk mat vetëm dëmet, por edhe përgjegjësitë. Sepse në këtë rast, dëmi nuk ishte vetëm material. Dhjetëra familje mbetën pa shtëpi. Banesa të ndërtuara me vite sakrifice, të zhdukura brenda pak orësh. Dhe sipas drejtuesve të shërbimit zjarrfikës, shkaku nuk ishte thjesht zjarri. Por mënyra si ishte ndërtuar. Sepse për ata që mbetën pa shtëpi, kjo nuk është thjesht një çështje dëmshpërblimi. Është jeta e tyre, e ndërtuar ndër vite e shkrirë në pak minuta.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Emergjencat Civile, Prefektura e Qarkut, ka një organizim. Pas çdo ngjarjeje bëhet një bilanc. Ky bilanc bëhet nga instancat përkatëse. Duke filluar nga Njësitë Vendore, Administrative, tek Bashkia, Prefekti i Qarkut, Emergjencat Civile, ku dhe ata kanë fondin e tyre për njerëzit që dëmtohen në raste fatkeqësish, siç është edhe zjarri në këtë rast. Siç edhe ju e keni parë, në deklaratën e kryeministrit, pallati do ndërtohet i gjithi nga firma që dhe e ka ndërtuar më parë. Dëmet materiale di dëmshpërblehen të gjitha nga firma e ndërtimit. Për një arsye shumë të thjeshtë, pasi ky dëm që është bërë ka një shkak pasojë, por e gjithë pasoja ka ardhur si rezultat i mospërdorimit të mjeteve të duhura në fasadën e ventiluar, e cila për një kohë shumë të shkurtër krijoi gjithë këtë tragjedi po them, sepse të humbasësh mbi 30 banesa, për ata njerëz që sot janë në qiell të hapur, nuk është e lehtë. Për të ndërtuar një shtëpi njerëzit punojnë gjithë jetën dhe e kanë shumë të vështirë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:
Agron Cara, 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
Razie Sula, 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
Enver Ademi, 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
Altin Furtuna, 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, nisi hetimi penal për Armand Lilon, 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dy punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për Shyqyri Boriçin, 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.
Megjithatë, në seancën e masës së sigursë, që u zhvillua më 17 prill, të gjithë u lanë të lirë. Gjykata e Tiranës vendosi masat “detyrim paraqitje”.
Ndonjëherë, zjarri nuk është problemi i vetëm. Problemi është ajo që e ushqen atë.
Në këtë rast, dyshimet janë të qarta: Fasada. Një kombinim materialesh, ku përtej izolimit me lesh guri, i konsideruar rezistent ndaj zjarrit, janë përdorur elementë të tjerë, lehtësisht të djegshëm, që kanë favorizuar përhapjen e flakëve me shpejtësi alarmante. Një zgjedhje që mund të jetë bërë për estetikë. Por që në praktikë, u kthye në rrezik. Sepse në ndërtim, bukuria nuk mund të vijë në kurriz të sigurisë. Dhe pikërisht këtu nis hetimi. Ekspertët po analizojnë materialet, për të përcaktuar saktësisht çfarë është përdorur dhe si ka ndikuar në përhapjen e zjarrit. Por jo vetëm kaq. Hetimi synon të shkojë më tej: Kush e projektoi? Kush e zbatoi? Dhe kush lejoi që një zgjidhje e tillë të kalojë filtrat e sigurisë?
Arben Cara, drejtor i MZSH: Në këtë fasadë kishte një lëndë lehtësisht të djegshme, u pa qartë. Po bëhen analizat nga grupi hetimor, se çfarë lënde është përdorur. Përtej leshit të gurit që është përdorur në fasadë për veshjen e tij, pjesa tjetër estetike dhe kjo është edhe ajo që çedon po themi në ndërtim. Arkitektura, që në këtë rast duan të nxjerrin një fasadë të bukur, bën që të mos përdoret materiali i bukur dhe pastaj përfundojmë në këto kushte që ne jemi sot. Do të bëhen të gjitha analizat. Hetimi vazhdon, jo vetëm për shkakun e zjarrit, por do vazhdojë për të gjetur edhe shkaktarë nga kush u përhap kaq shpejt. Nga cila firmë nënkontraktore ka punuar për ta zbatuar këtë projekt.
Çdo ndërtesë nis nga një projekt. Në letër, gjithçka është e rregullt.
Projekte të detajuara arkitektonike, mekanike, elektrike dhe kundër zjarrit. Ekspertë që firmosin për çdo element. Institucione që i shqyrtojnë dhe i miratojnë.
Një sistem që, teorikisht, duhet të garantojë sigurinë. Por problemi nuk nis aty.
Ai nis më vonë. Në momentin kur projekti zbret nga tavolina dhe hyn në zbatim. Sepse ajo që miratohet në letër, nuk është gjithmonë ajo që ndërtohet në realitet.
Materiale që zëvendësohen. Cilësi që ulet. Kosto që shkurtohen. Dhe pikërisht këtu krijohet hendeku më i rrezikshëm.
Sipas drejtuesve të shërbimit zjarrfikës, përgjegjësia nuk është vetëm te projekti, por te zbatimi i tij. Te firmat që ndërtojnë. Te nënkontraktorët që, në përpjekje për të ulur kostot, mund të përdorin materiale më të lira dhe më të rrezikshme.
Si në rastin e izolimeve: produkte që duken të njëjta, por që në kontakt me zjarrin sillen krejt ndryshe. Disa vetëm shkrihen. Të tjerë ushqejnë flakën.
Një diferencë çmimi që mund të kthehet në diferencë jete. Dhe kjo nuk është më çështje teknike. Është përgjegjësi ligjore.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Nga ana administrative çdo gjë nis në këtë tavolinë po themi. Projekti i mbrojtjes kundra zjarrit dhe shpëtimit, ka në përmbajtje të tij projektin arkitektonik, mekanik, konstruktiv, hidrik, elektrik, ku dhe shpjegohen me një relacion shpjegues të gjitha elementët përbërës që mbart ky projekt. Secili ekspert flet në fushën e tij dhe paraqet grafikisht projektin e mbrojtjes kundra zjarrit dhe shpëtimit, pranë MZSH në nivel qendror ose vendor, për ta miratuar. Eksperti, i cili harton këtë projekt, mban dhe përgjegjësinë ligjore. Deri këtu jemi dakord dhe arrijmë që ne pas shqyrtimit të një projekti të mbrojtjes kundra zjarrit, japim dhe miratimin e tij. Problemi vazhdon në zbatim pastaj. Kur objekti ndërtohet, duhet të ndjekë me përpikmëri, ato çfarë janë parashikuar në këtë projekt. Këtu pastaj mbetet për t’u parë. Kush dhe si kontrollohet a është zbatuar ky projekt me përpikmëri, materialet që janë përdorur në këtë godinë. Sepse firma që merr zbatimin e projektit, duhet të mbajë përgjegjësi për çdo element përbërës që vendos në këtë ndërtim, deri te fasadat e ventiluara apo të pa ventiluara. Produkti që përdoret, nëse flasim për polisterolin, ne kemi disa lloje polisterolesh. E para ato janë nënprodukte të naftës, që janë lehtësisht të djegshme. Nëse marrim një polisterol me 5 lekë dhe një me 3 lekë, ky që bën 3 lekë, digjet. Ky që bën 5 lekë, nuk digjet. Shkrihet në vetvete, por nuk krijon, pra nuk përcjell zjarr. Kjo është shumë e rëndësishme. Këtu fillon problemi. Ulja e kostove që ata duan të bëjnë, ku në këtë rast nuk do thosha që investitori që bën gjithë atë investim do e bënte këtë gjë. Firmat nënkontraktore që marrin për të zbatuar, abuzojnë në këtë rast. Dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Kushdo që zbaton një projekt dhe nuk përdor materialin e duhur, duhet të mbajë përgjegjësi përpara ligjit dhe të dëmshpërblejë të gjithë ata që humbasin pronën e tyre.
Çdo objekt ka një projekt të mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit, të hartuar nga ekspertë të licencuar dhe të miratuar nga strukturat përkatëse. Në teori, kjo duhet të garantojë që çdo ndërtesë është e sigurt për banim.
Por në terren, verifikimi ka kufizimet e veta. Shërbimi zjarrfikës kontrollon nëse elementët bazë ekzistojnë: hidrante, pompa, rezerva uji, akses për autoshkallë, rrugë evakuimi dhe dalje emergjence. Nëse këto janë aty, objekti konsiderohet në përputhje me projektin në nivel vizual dhe funksional.
Por jo gjithmonë mund të shkohet më tej. Në mungesë të laboratorëve të specializuar për analiza materialesh në vend, verifikimi i saktë i cilësisë së çdo materiali të përdorur mbetet përgjegjësi e zinxhirit të zbatimit, firmës dhe nënkontraktorëve që realizojnë ndërtimin.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Shërbimi zjarrfikës ka certifikatën e sigurisë të mbrojtjes kundra zjarrit dhe e ka në zbatim të projektit që ka miratuar. Ne kontrollojmë dokumentacionin. Dokumentacioni shoqërohet siç e thashë me licencën e hartuesit të projektit. Ekspertit të zjarrit në këtë rast. Nëse ai ka zbatuar çfarë është shkruar në letër, shikohet vizualisht me sy. Por nuk kemi një laborator për të marrë kampione, për të parë nëse është përdorur apo jo materiali i duhur. Materiali i duhur, detyrohet nënkontraktori, subjekti, ai që ka zbatuar projektin, të mbajë përgjegjësinë e tij për atë material që ka përdorur. Nëse ne shikojmë që janë vendosur hidrantët, pompat zjarrfikëse, rezervat ujore, aksesi për zjarrfikëset është, shkalla është, nëse ka nevojë për shkallë të dytë, ekziston, dalja në tarracë është. Në rastin në fjalë diskutohej pse nuk ka shkallë emergjence. Pallatet kategorizohen me lartësi dhe me sipërfaqet katrore që kanë, kush duhet të ketë dhe kush nuk duhet të ketë shkallë emergjence. Në rastin në fjalë, ky kompleks ka qenë i lidhur me seksionet e banimit i gjithi. Të gjitha seksionet mund të përdoren për shkallë emergjence. Pra ti mundesh nga seksioni A të kalosh në tarracë, që është një rrugë evakuimi dhe kalon në seksionin tjetër dhe evakuohesh. Prandaj dhe lihet dalja në tarracë, që nuk duhet të bllokohet në asnjë rast nga asnjë qytetar. Është vepër penale nëse ti bëhesh pronar në një ambient të përbashkët dhe bllokon tarracën. I bëj thirrje çdo qytetari, nëse nesër ju bllokoni tarracën dhe për shkak të këtij bllokimi pasojat janë të rënda, në humbje jete por edhe në dëme materiale, do të mbajnë përgjegjësi ligjore. Miratimi i rregullores së mbrojtjes kundra zjarrit dhe shpëtimit e ka taksative që duhet të ketë një dalje në tarracë. Nëse objekti i kalon 500 metra katror në sipërfaqe, është detyrim që duhet të ketë dhe një shkallë të dytë.
Në çdo objekt të këtij lloji, masat e mbrojtjes kundër zjarrit ekzistojnë në letër dhe në praktikë. Hidrantë në çdo kat. Rezerva uji në bodrum. Pompa të lidhura me sistemin e emergjencës. Rrugë evakuimi dhe dalje të planifikuara sipas projektit. Por pyetja thelbësore nuk është nëse ekzistojnë. Është nëse funksionojnë në momentin e duhur. Sepse në një zjarr të përmasave të tilla, gjithçka varet nga një detaj kritik: energjia elektrike. Kur ajo ndërpritet, sistemet duhet të kalojnë në furnizim rezervë, për të mbajtur në funksion pompat dhe pajisjet e emergjencës.
Në këtë rast, ndërhyrja ka përfshirë edhe koordinimin me furnizuesin e energjisë, për të garantuar sigurinë e zjarrfikësve dhe njëkohësisht për të mundësuar aksesin dhe verifikimin e banesave të pa prekura.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Hidrantet zjarrfikëse kanë qenë në çdo kat, depozitat ujore kanë qenë të vendosura në bodrumin e pallatit, të lidhura edhe me pompat. Pra ka pasur masa të mbrojtjes kundra zjarrit në këtë objekt që po digjej. A I përdorim ne këto masa apo nuk I përdorim pastaj vihet në diskutim, sepse në një situatë të tillë ndërpritet rrjeti elektrik dhe për këtë duhet të sigurohet një rrjet i dytë elektrik për të bërë furnizimin. Që do të thotë, një mirë menaxhim i një situate të kësaj natyre, kërkon që të gjitha organet kompetente, të gjitha institucionet të jenë në gatishmëri dhe në vendngjarje, ashtu siç ishim të gjithë ne për t’i vënë në funksion. Kam komunikuar unë me elektrikun dhe e kam thirrur, që të bëjë të mundur jo vetëm të na shkëpusë linjën e energjisë elektrike për të mos na rrezikuar jetën zjarrfikësve dhe të banorëve, por dhe pjesës tjetër që ishte e paprekur nga zjarri t’i krijohet mundësia që të ketë energji elektrike, që njerëzit të shkojnë në shtëpitë e tyre, të shikojnë nëse kanë dëme apo jo, me praninë e shërbimeve zjarrfikëse, në mënyrë që të jenë të qetë, që banesat e tyre dhe familjarët e tyre nuk kanë asgjë.
Në emisionin “Real Story” pati një reagim nga ndërtuesi i pallatit, Armand Lilo, pronar i “Arlis”, i cili dërgoi kontratën me nënkontraktuesin e tij, ku sqaroi se kishte marrë garanci të përjetshme për fasadën, së materiali i panelit që do të përdoret do të jetë antizjarr e gjithashtu kishte marrë garanci 25-vjeçare për cilësinë e bojës së panelit.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Nënkontraktuesi, i cili merr për të zbatuar projektin është përgjegjës ligjor për të dhënë llogari dhe për t’iu përgjigjur të gjithë ngjarjes që ka ndodhur. Policia e Shtetit do bëjë punën e saj. Prokuroria do bëjë punën e saj në këtë rast, pra për të vënë para drejtësisë të gjithë këta njerëz që nuk i binden akteve ligjore, ligjeve që ne kemi në fuqi. Sot aktualisht VKM që flet vetëm për mbrojtjen nga zjarri, se çfarë masash duhet të ketë një objekt. Kemi akte dhe VKM të tjera sipas profileve, të proceseve të punës. Kemi për çerdhe, për kopshte, për shkolla, për spitale, për hoteleri, udhëzime të tjera ministri, urdhra ministri, që normojnë të gjithë veprimtarinë e projektit të mbrojtjes kundra zjarrit. Nuk janë vetëm objektet e banimit, janë dhe objekte të tjera publike, që kur ka numër të madh banorësh duhen masa shtesë kundër zjarrit. Nuk janë vetëm sistemet hidrante, janë edhe sistemet e shuarjes së zjarrit, sistemet e diktim sinjalizimit, që janë shumë të rëndësishme, informojnë në kohë reale shërbimin dhe subjektin dhe ndërhyrja është më e shpejtë e më eficiente.
Një grup i përbashkët ekspertësh zjarrfikës, kriminalistësh dhe oficerësh të policisë gjyqësore po analizojnë vatrën e zjarrit dhe mënyrën e përhapjes së tij, duke u bazuar në dëshmi dhe pamje filmike. Qëllimi është i qartë: të përcaktohen jo vetëm shkaqet, por edhe zinxhiri i faktorëve që çuan në përhapjen e shpejtë të flakëve dhe dëmet e mëdha materiale.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Është përcaktuar vatra e zjarrit deri diku. Po punohet, grupi hetimor akoma nuk ka dalë në konkluzion të saktë, pasi deri tani jemi sipas dëshmive dhe orientimeve të pamjeve filmike që ne kemi. Kjo bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit. Grupi hetimor përbëhet nga eksperti kriminalist, oficeri i Policisë Gjyqësore dhe eksperti zjarrfikës. Në këtë rast ne kemi vënë dy ekspertë që do të merren me hetimin e kësaj ngjarjeje, pasi është një ngjarje me pasoja dhe dëme të mëdha kolosale. Do dalim në një vendim zyrtar, që do i dërgohet Prokurorisë, qoftë për vatrën e zjarrit, por edhe shkaqet e përhapjes së zjarrit që çuan deri në këtë pikë, në djegien e më shumë se 30 apartamenteve, por edhe fasada e një seksioni banimi pothuajse e gjitha.
Paralelisht, inxhinierët po vlerësojnë edhe gjendjen strukturore të godinës, për të përcaktuar nëse ajo mund të rikthehet në banim apo jo. Për momentin, një gjë është e sigurt. Pjesa e dëmtuar e ndërtesës është e pabanueshme. Dhe për banorët që humbën shtëpitë e tyre, procesi i rikthimit në normalitet do të jetë i gjatë.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Projekti i mbrojtjes kundra zjarrit dhe shpëtimit ka dhe pjesën konstruktive. Në këtë rast bëhet përllogaritja e dëmeve që kanë ardhur nga temperaturat e zjarrit. Këtu mbetet për t’u parë. Inxhinierët do të bëjnë përcaktimin e dëmtimit të strukturës në këtë rast. Nëse kemi një dëmtim të strukturës së betonit dhe nëse kjo strukturë është dëmtuar, pastaj mbetet për të marrë një vendim nga një grup ekspertësh, që kjo godinë është e banueshme. Pra mund të bëhet rikonstruksioni i saj apo jo. Pra kjo mbetet për t’u parë nga grupi i specialistëve. Dhe nëse objektet ngjitur me objektin që ka marrë flakë, janë dëmtuar apo jo, po prapë duhet një grup ekspertësh, inxhinierë ndërtimi, për të parë se sa është dëmi i shkaktuar nga temperaturat dhe flakët e zjarrit që kanë depërtuar. Absolutisht që në pallatin ku ka rënë zjarri, momentalisht është e pamundur që të jetohet. Pjesa që është dëmtuar. Duhet parë pjesa që është ngjitur, sa dëmtime ka dhe për ta normalizuar situatën, patjetër që një banesë kërkon kohën e saj.
Jonus Murataj, drejtues i Stacionit Kinostudio: Me sy të lirë që shikoj, ka dëmtime të tullës së jashtme, por janë ekspertët e fushës që mund të flasin për atë punë. Nga ana ime dhe nga vjetërsia në këtë shërbim, shikoj pjesën e jashtme të fasadës, që është me tulla dhe ka dëmtime. Pjesa u mbetet ekspertëve për të folur për këtë punë.
Në fund, ky zjarr nuk është vetëm një ngjarje që u shua brenda pak orësh. Është një ngjarje që zbuloi shumë më tepër sesa flakët. Në sipërfaqe, gjithçka fillon me një ndërhyrje emergjente. Me zjarrfikës që luftojnë me kohën, me struktura që evakuojnë banorët, me institucione që koordinohen në terren për të shmangur një tragjedi më të madhe.
Por pas tymit, del në pah një realitet më i thellë.
Një sistem që nis nga projektimi në letër, kalon te ndërtimi në terren dhe përfundon te mënyra si mirëmbahen këto ndërtesa në jetën e përditshme. Një zinxhir ku çdo hallkë ka peshë dhe ku një devijim i vetëm mund të kthehet në rrezik për qindra jetë.
Ky rast tregoi edhe një herë se siguria nuk është vetëm çështje pajisjesh apo projektesh të miratuara. Është çështje zbatimi. Kontrolli. Përgjegjësie.
Dhe mbi të gjitha, është çështje kohe.
Sepse në momentin kur zjarri shpërthen, çdo sekondë përcakton fatin e njerëzve brenda një ndërtese.
Sot, flakët janë shuar. Por ende ka pikëpyetje të shumta për materialet që u përdorën. Për mënyrën si u ndërtua. Për mënyrën si u kontrollua. Dhe për mënyrën si mund të parandalohet që një ngjarje e tillë të përsëritet.
Ndoshta, mësimi më i madh nga kjo histori është i thjeshtë. Zjarri nuk fillon gjithmonë me një shkëndijë.
Ndonjëherë fillon shumë më herët. Në një vendim, në një neglizhencë, ose në një kompromis që nuk duhej bërë kurrë.
Arben Cara, drejtor i MZSH: Gjej rastin që t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ndërtojnë aktualisht banesat e tyre, por jo vetëm, edhe subjekteve, që të bëjnë kujdes në çdo hap që hedhin në ndërtimin e një objekti. Të mos kursehen për masat parandaluese kundër zjarri dhe jo vetëm, edhe në cilësinë e objektit. Kemi parasysh edhe tërmetin, që është një tjetër rast, të cilin ne e kemi kaluar dhe e kemi parë se çfarë dëmesh kolosale kemi pasur, humbje jete dhe dëme të pallogaritshme. Të kenë parasysh dhe të investojnë në parandalim. Parandalimi është thelbi, është A-ja. Nëse investojmë në parandalim, kemi investuar në sigurinë e jetës./et
