Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vorë, Blerim Shera, zhvilluan një takim me banorët e Marqinetit, ku u ndalën te zhvillimet ekonomike dhe projektet infrastrukturore në zonë.
Gjatë fjalës së tij, Balla vlerësoi ecurinë ekonomike të vendit në vitet e fundit si dhe theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë transformimi.
“Shqipëria sot është një moment të rëndësishëm të transformimeve të saj. Sot ekonomia e Shqipërisë është shumë më e fortë sesa ishte në 2013-ën, më e fortë sesa ishte në 2019-ën,” u shpreh Balla.
Balla theksoi se mbeten ende sfida për t’u adresuar, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, ku sipas tij kërkohen investime të mirëplanifikuara si në rrjetin rrugor ashtu edhe në atë të energjisë elektrike, me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal. “Kemi punë për të bërë, kam diskutuar me Blerimin investime të domosdoshme që lidhen me infrastrukturën, qofshin me infrastrukturën rrugore, por edhe me infrastrukturën e shpërndarjes së energjisë elektrike,” deklaroi Balla.
Ndër të tjera Balla ka nënvizuar se një nga projektet prioritare lidhet me modernizimin e rrjetit energjetik. “Kemi biseduar edhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për një investim në nënstacion dhe në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Synohet kalimi nga sistemi aktual 6 kV në 20 kV, një ndërhyrje që pritet të rrisë ndjeshëm qëndrueshmërinë dhe cilësinë e furnizimit me energji, duke shmangur problematikat e deritanishme”, tha Balla.
Balla u ndal edhe te investimet në ujësjellës dhe kanalizime, duke nënvizuar nevojën për garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm cilësor për çdo familje në Bashkinë Vorë, si në qendër ashtu edhe në zonat rurale. “Ujësjellësi i kësaj bashkie duhet të garantojë që çdo familje qoftë në qendër të Vorës apo në fshatrat e tjerë të përfitojë si duhet cilësinë e ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve,” tha Balla.
Balla shprehu bindjen se përmes bashkëpunimit me drejtuesit vendorë dhe institucioneve përkatëse, projektet e parashikuara në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030” do të sjellin përmirësime të prekshme në jetën e banorëve të Vorës dhe zonave përreth./et
