Dega e Partisë Demokratike në Kukës ka reaguar ashpër ndaj takimit që Ervin Salianji zhvilloi pasditen e djeshme në qytetin verior me disa përfaqësues të kësaj force politike. Sipas strukturave lokale të PD-së, ky takim nuk përfaqëson asnjë qëndrim zyrtar të degës dhe as vullnetin e anëtarësisë së saj.
Në reagimin e saj, dega e PD Kukës e ka cilësuar këtë nismë si një akt të shëmtuar politik dhe një mbledhje private, e cila, sipas tyre, nuk ka asnjë lidhje me strukturat dhe bazën e Partisë Demokratike në qytet. Ajo e akuzon Salianjin se po përpiqet të krijojë ndasi brenda partisë dhe të paraqesë një realitet të deformuar mbi gjendjen e organizimit në Kukës.
Deklarata e plotë:
Demokratë të nderuar të Kukësit,
Sot në Kukës patëm rastin të shohim një tjetër akt politik të shëmtuar nga Ervin Salianji. Ai organizoi një mbledhje private e cila nuk pati asnjë lidhje me demokratët e Kukësit.
Ky nuk ishte takim me demokratët e Kukësit. Ky ishte një grumbullim i vogël individësh, që nuk ishin fare demokratë të Kukësit, nuk përfaqësonin asnjë strukturë zyrtare të degës sonë dhe as vullnetin e bazës sonë besnike.
Salianji po përpiqet të krijojë iluzionin e një lëvizjeje, por e vetmja gjë që po arrin është të tregojë se sa larg është nga realiteti i Partisë Demokratike dhe nga vullneti i vërtetë i demokratëve tanë.
Partia Demokratike e Kukësit qëndron e bashkuar, e fortë dhe plotësisht besnike ndaj udhëheqjes së Prof. Dr. Sali Berishës.
Ne nuk pranojmë përçarje artificiale, nuk pranojmë aventurizëm personal dhe nuk lejojmë që ambiciet personale të ndokujt të minojnë unitetin tonë në këtë moment vendimtar për opozitën shqiptare.
Ne nuk jemi me ata që kërkojnë të dobësojnë opozitën nga brenda, por me ata që luftojnë çdo ditë për ta çuar PD-në në pushtet dhe Shqipërinë drejt një të ardhmeje më të mirë.
Kukësi ka qenë, është dhe do të mbetet një bastion i pathyeshëm i Partisë Demokratike.
Bashkë me Prof.Dr. Sali Berishën
Bashkë deri në Fitoren e Madhe!
Partia Demokratike Dega Kukës
