Prodhuesi më i madh në botë i prezervativëve, Karex Bhd, paralajmëron rritje të ndjeshme të çmimeve për shkak të krizës së furnizimit të shkaktuar nga konflikti me Iranin.
Drejtori ekzekutiv, Goh Miah Kiat, deklaroi se kompania planifikon të rrisë çmimet me 20% deri në 30%, ndërsa nuk përjashtohet një rritje edhe më e madhe nëse problemet në zinxhirin global të furnizimit vazhdojnë.
Sipas tij, situata mbetet e brishtë, ndërsa kostot e transportit dhe vonesat në dërgesa kanë shkaktuar ulje të stokut tek klientët, duke rritur njëkohësisht kërkesën për produkte.
Karex Bhd prodhon mbi 5 miliardë prezervativë në vit dhe furnizon marka të njohura si Durex dhe Trojan, si dhe sisteme publike shëndetësore si NHS dhe programe ndihme të United Nations.
Kompania i bashkohet një liste në rritje biznesesh që po përballen me vështirësi në furnizim, për shkak të ndikimit të luftës në rrjedhën e energjisë dhe produkteve petrokimike nga Lindja e Mesme.
Që nga nisja e konfliktit në fund të shkurtit, Karex ka raportuar rritje të kostove për lëndët e para si goma sintetike dhe nitrili, si dhe për materialet e paketimit dhe lubrifikantët, përfshirë fletët e aluminit dhe vajin silikonik.
Situata pritet të reflektohet në çmimet për konsumatorët, ndërsa kompanitë globale përpiqen të përballojnë presionin në rritje të kostove dhe mungesat në tregjet ndërkombëtare./mxh
