Një zbulim i jashtëzakonshëm ka konfirmuar një teori të diskutuar prej dekadash: paraardhësit e gjitarëve vendosnin vezë, ashtu siç bën sot ornitorinku. Prova vjen nga një vezë fosile e gjetur në Afrikën e Jugut, brenda së cilës ndodhej një embrion i Lystrosaurus, një kafshë barngrënëse që jetoi rreth 252 milionë vite më parë.
Ky është rasti i parë kur shkencëtarët kanë një provë të drejtpërdrejtë se ovipariteti ishte mënyra kryesore e riprodhimit edhe për paraardhësit e gjitarëve. Kjo strategji mund t’i ketë ndihmuar ata të mbijetojnë në një nga periudhat më të vështira të historisë së Tokës, zhdukjen masive të Permianit Triasikut.
Fosili u zbulua që në vitin 2008 në Basenin Karoo në Afrikën e Jugut, por vetëm tani, falë teknologjisë moderne, është bërë e mundur të studiohet pa u dëmtuar. Shkencëtarët përdorën një lloj tomografie shumë të avancuar që funksionon si një “super mikroskop”, duke lejuar të shihet brenda fosilit me detaje shumë të larta.
Analizat treguan se veza kishte një guaskë të butë dhe fleksibël, të ngjashme me vezët e ornitorinkut dhe echidnës, që janë të vetmit gjitarë që vendosin vezë sot. Kjo shpjegon pse fosile të tilla janë shumë të rralla, pasi nuk ruhen lehtë me kalimin e kohës.
Embrioni i gjetur kishte nofull të pazhvilluar plotësisht, çka do të thotë se nuk do të ishte në gjendje të ushqehej vetë menjëherë pas daljes nga veza. Megjithatë, veza ishte relativisht e madhe dhe përmbante shumë lëndë ushqyese, duke i lejuar të voglit të zhvillohej më gjatë brenda saj.
Mendohet se këta organizma dilnin nga veza në një fazë të avancuar zhvillimi dhe mbështeteshin tek rezervat ushqyese të vezës për të mbijetuar, pasi nuk ushqeheshin me qumësht si gjitarët modernë. Kjo strategji i ndihmonte të përballonin kushte të vështira si thatësira dhe mungesa e ushqimit.
Falë këtyre përshtatjeve, Lystrosaurus jo vetëm që mbijetoi pas zhdukjes masive, por edhe u bë një nga speciet dominuese të kohës së vet. Ky zbulim ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si speciet përshtaten dhe mbijetojnë në kushte ekstreme mjedisore.
