Last Updated on 22/04/2026 by Anisa
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar të martën sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 40 milionë euro, në kuadër të një procedimi penal që përfshin ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. Në total, masat e sekuestros prekin pesë persona nën hetim.
Akuza të rënda dhe hetime të zgjeruara
Sipas SPAK, hetimet paraprake përfshijnë një sërë veprash penale të rënda, mes tyre: konkurrencë e paligjshme me dhunë, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tendera publikë, korrupsion pasiv i funksionarëve publikë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Prokuroria akuzon Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn se kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përmes metodave që përfshijnë edhe dhunë dhe pengmarrje. Të dy biznesmenët kanë shmangur arrestimin, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t ndodhet aktualisht në masën “arrest shtëpie”.
Vendimi i Gjykatës dhe pasuritë e sekuestruara
Me vendimin nr. 289, datë 20 prill 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka vendosur sekuestrimin e një numri të madh pasurish në emër të pesë personave nën hetim.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë apartamente dhe toka në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Kavajë, vila dhe prona të mëdha në zonën e Petrelës, automjete luksoze si Land Rover Defender dhe Volkswagen Tiguan, një jaht, si dhe disa subjekte tregtare. Gjithashtu janë sekuestruar llogari bankare dhe shuma të konsiderueshme parash në banka dhe kompani private.
Rasti i Ergys Agasit dhe pasuria e tij
Pjesa më e madhe e pasurive rezulton të jetë në emër të biznesmenit Ergys Agasi, i cili zotëron prona të shumta dhe ndërtesa në Petrelë, si dhe apartamente dhe pasuri të tjera në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Deri në shtator të vitit 2017, Agasi ka qenë punonjës shteti, drejtor i Inspektoratit të Mjedisit dhe Pyjeve, me një pagë që nuk i kalonte 2,000 euro në muaj. Në fillim të vitit 2018, ai del në skenë si biznesmen dhe brenda rreth shtatë viteve, sipas hetimeve, ka ndërtuar një pasuri të konsiderueshme në disa sektorë.
Ndër pasuritë e sekuestruara përmenden:
- Më shumë se 6.5 hektarë pyll në Petrelë
- 2,312 m² ndërtesa në Petrelë
- Qindra metra katrorë truall në Lundër dhe Durrës
- Dy truall të tjerë të paidentifikuar plotësisht
- Truall dhe ndërtesë në Dhërmi
- Mbi 1 hektar tokë arë
- 6 apartamente në Tiranë dhe Durrës
- 7 garazhe
- Mbi 1 milion euro koleksion verash
- Llogari bankare në tre banka
Pasuri të sekuestruara Mirlinda Karçanajt
Personave të tjerë nën hetim u janë sekuestruar gjithashtu prona të paluajtshme, kompani, automjete dhe shuma të mëdha parash në llogari bankare ose në subjekte tregtare.
Vetëm Mirlinda Karçanajt i janë sekuestruar tre apartamente – dy në Tiranë dhe një në Qerret – si dhe 1,500 m² tokë në Sauk, llogari bankare dhe një automjet. Pas vendosjes së masës “arrest në shtëpi”, ajo është deklaruar nga kryeministri Edi Rama se jetonte me qira, në një apartament modest.
“Linda Karçanaj, e cila sot është në masë sigurie në një shtëpi me qira, ku jeton pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë e prindërve, në një apartament që ishte i kohës së komunizmit,” pretendoi kryeministri Rama.
Jahti “Skyfall” dhe vijimi i hetimeve
Mes aseteve të sekuestruara nga biznesmeni Ermal Beqiraj përfshihet edhe jahti “Skyfall”.
SPAK ka bërë të ditur se operacioni është realizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale./fjala.al
