Nga Mentor Kikia
“Ndizen motorrët e fushatës për zgjedhjet vendore” – kjo shprehje ka nisur të përdoret dhe do të përdoret gjithnjë e më denduar tashmë, edhe pse duhet më shumë se një vit nga zgjedhjet.
Socialistët në qeveri janë më të ngeshëm për tu marrë me këtë punë. Caktohen drejtuesit politikë në qarqe, caktohen ministrat, deputetët, drejtorët… çdo qytet e çdo fshat do të ketë kujdestarin e vet politik. Nuk ka ende kandidatë, por fushata ka nisur, rëndësi ka partia jo individi.
Opozita është ende e pa organizuar, PD nuk ka përmbyllur akoma “zgjedhjet” brenda vetes…
Por çfarë nënkupton fushata për zgjedhjet vendore? Para se të jetë një “fushatë derë më derë”, për të takuar çdo njeri, për ti pyetur çfarë hallesh kanë e tua zgjidhin hallin, fushata duhet të jetë një proces llogaridhënës.
Kushdo që është në pushtet, duhet të raportojë para popullit: Çfarë ka premtuar e çfarë ka bërë!
Këtu fillon fushata!
Nëse qytetarët, si gjithmonë, do ta shfrytëzojnë fushatën ku secili të zgjidhë ndonjë hall të vetin; me letrat e shtëpisë, gardhin dhe murin rrethues, dokumentat e pensionit, dhe në fund ndonjë lek nën dorë apo ndonjë pako ushqime që shpërndajnë këto “shoqatat bamirëse” që bëjnë dhurata me listë zgjedhësish në dorë, pra nëse do të mendojnë ku të mbyllin ndonjë vrimë, do të vazhdojnë të mbeten tek e njëjta vrimë që duhet mbyllur në çdo palë zgjedhje.
Njerëz, kërkoni llogari para se të jepni votën!
Kërkoni ujin, rrugën, shkollën, kopshtin, kanalin ujitës, tregun, kërkoni një mjedis më të pastër, kërkoni parqe për fëmijët, qendra ku ata të argëtohen dhe edukohen.
