Last Updated on 22/04/2026 by EL
Shumica nga ne kemi në mendje një imazh të caktuar në lidhje me botën. Pavarësisht gjithçkaje që ndodh – nga luftërat tek padrejtësitë dhe pabarazitë – jemi të bindur në një mënyrë a një tjetër se ajo udhëhiqet nga inteligjenca. Ata në majë, janë më të mençur dhe më vizionarë se sa ne të tjerët. Mund të jenë të pamëshirshëm, por kjo nënkupton gjithashtu se janë të kalkuluar e, për rrjedhojë, edhe inteligjentë. Madje, sado që i përçmojmë një pjesë të mirë të tyre, në fund jua vlerësojmë aftësitë, sado të liga që mund të na duken.
Në romanin e tij më të fundit, “Vigjilja,” autori amerikan George Saunders e hedh poshtë këtë histori ngushëlluese që shpesh i tregojmë vetes.
Në qendër të ngjarjeve, që zhvillohen brenda një nate të vetme, është historia e K. J. Boone, drejtues i një prej kompanive më të mëdha botërore të naftës, i cili lëngon në shtrat, pasojë e një tumori. Në këto orë të fundit, Boone vizitohet nga Jill “Doll” Blaine, fantazma e një gruaje që ka vdekur vite më parë, detyra e të cilës në pasjetë është të qetësojë shpritrat e njerëzve në prag të vdekjes, para se t’i përcjellë drejt botës tjetër. Por, Boone nuk kërkon ngushëllim dhe përgjatë natës vizitohet nga një sërë shpirtrash të tjerë, ku disa kërkojnë një përballje me të në lidhje me shkatërrimin që mjedisor që vendimet e tij të biznesit kanë shkaktuar në botë, ndërsa të tjerë përpiqen ta mbrojnë.
Boone nuk është krimineli tipik, i vetëdijshëm për të keqen që shkakton. Përkundrazi, ai është dikush i cili sinqerisht nuk mendon se i ka shkaktuar botës ndonjë të keqe. Nëpërmjet kompanisë së tij, ai ka nxjerrë nga toka naftën për të cilën bota kishte nevojë. I rritur në varfëri, ai ka jetuar një jetë të guximshme dhe thuajse epike, duke luajtur një rol të rëndësishëm në avancimin e njerëzimit. Ata që e kritikojnë si shkaktar të ndotjes dhe ndryshimit të klimës janë, sipas tij thjesht hipokritë që, teksa protestonin, shëtisnin me makina që punonin pikërisht falë naftës së shitur prej tij.
Saunders shkruan në substack-un e tij se romani nisi si një fiksim i tiji me gjeneratën e biznesmenëve të viteve 1980-1990, të cilët punuan fort për të diskredituar studimet në lidhje me rolin e ndotjes së mjedisit në ndryshimin e klimës. Ai shprehet se ajo çka e befasoi më së shumti ishte fakti se shumica e tyre nuk qenë aspak cinikë në lidhje me atë që po bënin. Ata kishin ngritur një këndvëshrim të caktuar, që përforcohej edhe më tepër nga pasuria marramendëse dhe yesmen-ët që i rrethonin, duke u bindur plotësisht se ajo që ishte e mirë për kompanitë e tyre ishte padyshim e mirë edhe për njerëzimin.
E gjithë kjo iu mundësonte atyre një ndërgjegje të pastër, por njëkohësisht e bën më të vështirë për të ne të tjerëy për ta kuptuar atë që ndodh në të vërtetë. Nëse K. J. Boon-ët e kësaj bote do të kishin qenë realisht dashakeqë, gjithçka do të ishte më e qartë, por dikush që nuk ndien asgjë (sepse gjithçka rreth tij vetëm i ka konfirmuar zgjedhjet e bëra), është thuajse i pamundur për t’u kuptuar. Saunders sugjeron se, ndryshe nga sa besojmë, kjo është shumë e zakontë tek ata në majë të institucioneve që udhëheqin jetët tona.
Në një nga pasazhet që përcjellin më së miri tensionin që përshkon romanin, ai shkruan për një fëmijë të sëmurë, të cilin i ati është duke e çuar në spital me makinë, por djali ankohet se nuk i pëlqejnë makinat sepse ndotin mjedisin…
“Babai hap krahun në anë të rrugës. ‘Atëherë, ndoshta do ta bësh rrugën në këmbë.’
Djali nuk kundërshton më.
Zgjidh, Zhak.
Të vdesësh në një karrocë të tërhequr nga kuajt që ka ngecur në baltë? Ose të mbërrish në spital me shpejtësi, me ajrin e kondicionuar në maksimum?
Çdokush me dy para mend në kokë do të zgjidhte këtë të fundit.
Ne të gjithë e kishim bërë zgjedhjen tonë.
Këtu qëndron i gjithë budallallëku. Njerëzit i kanë harruar sëndukët e boshatisur. Kanë harruar thatësirën, urinë. Kanë harruar se ç’do të thotë të jesh në mëshirë të botës…. Ndërsa sot njerëzit kalojnë pa e vrarë mendjen pranë frigoriferësh të mbushura me perime jashtë stinës dhe peshq nga detëra të largët dhe mish nga kafshë të ushqyera në kullota në këmbët e maleve që nuk ua thonë dot as emrin, duke mos e çarë shumë kokën që mishi i derrit ju vjen nga Danimarka, salmoni nga Ngushtica e Beringut, simite nga Ferrara, duke menduar se është e drejta e tyre t’i kenë të gjitha këto.
Kur në fakt, e gjitha është një mrekulli.
Si erdhi gjithë kjo begati deri tek ata?
Mos bëri vallë këmbë dhe eci?
Mos u shfaq në mënyrë magjike?”
Kjo është ndoshta lëvizja më e mprehtë politike e autorit sepse argumenti i Boone – sado acarues, përmban në vetvete një të vërtetë. Ne të gjithë zgjodhëm “makinën.” Ne të gjithë qëndrojmë para atyre frigoriferëve të mbushur me produkte që gjyshërit tanë do e kishin të pamundur edhe t’i ëndërronin. Në njëfarë mënyre, ne të gjithë kemi bërë paqe me sistemin që e ndërtuan njerëz si Boone. Ndryshimi i vetëm është se ne, sigurisht, nuk jemi ata që e ngritën këtë sistem dhe as ata që e mbrojtën me zell, duke shpenzuar miliona për të garantuar që asnjë alternativë tjetër të mos hedhë rrënjë. Ne na u dha një botë dhe jetuam (dhe jetojmë) në të. Boone, nga ana tjetër, iu dha një zgjedhje (të thoshte të vërtetën në lidhje me rrezikun që paraqiste ndryshimi i klimës), por ai zgjodhi ta varroste atë.
Romani përfundon me pendesën e Boone, edhe pse tingëllon disi e sforcuar dhe e panatyrshme. Megjithatë, nëse ai pendohet ose jo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është përse ne kemi nevojë për që ai të pendohet? Duam rrëfimin e tij në orët e fundit të jetës, siç duam pranimin e fajita dhe mundësisht përlotjen kur një njeri deri atëherë aq i pushtetshëm, përballet më në fund me atë që ka bërë. Jemi mësuar që këto gjëra të na japin kënaqësi. Për shekuj me radhë letërsia dhe feja na kanë mësuar se pendesa është mbyllja e natyrshme e jetës, por Saunders nuk duket se e beson plotësisht këtë. Ose ndoshta e sheh si një mit të rrezikshëm sepse, teksa presim që K. J. Boon-ët e botës të shohin se ç’kanë bërë dhe të pendohen, dëmi vetëm shumëfishohet, me përmbytje e zjarre që sa vijnë e shpeshtohen. Ndërkaq, sistemi që e ngjiti Boone-in në majë, nis të përgatitë pasaardhësit e tij, që si ai ndoshta do të ndiejnë njëfarë keqardhje për të këqijat e tyre në çastet e fundit të jetës.
Por, ndonëse e dimë se pendesa personale nuk është llogaridhënie, e megjithatë ja tek jemi, të gjithë në pritje të atij rrëfimi të fundit./et
