Në Lezhë ka nisur sot dëgjesa publike e Komisionit të Reformës Territoriale, ku bashkëkryetari i komisionit, Luciano Boci, theksoi se procesi do të jetë i hapur dhe i fokusuar te shqetësimet reale të qytetarëve.
“Ne jemi këtu për të dëgjuar qytetarët, për të kuptuar problemet e tyre dhe për të reflektuar mbi një model që nuk ka dhënë rezultatet e premtuara”, u shpreh Boçi.
Sipas tij, reforma territoriale nuk duhet të trajtohet si çështje e partive politike, por si një shërbim drejtpërdrejt për qytetarët. Ai theksoi se kjo reformë lidhet ngushtë me cilësinë e shërbimeve dhe me mënyrën se si menaxhohen të ardhurat në nivel lokal.
Boci ngriti shqetësime konkrete mbi gjendjen aktuale, duke përmendur dobësitë në shërbimet sociale dhe fenomenin e shpopullimit, si dhe mungesën e autonomisë reale të bashkive.
“Sot shohim kryetarë bashkish me kompetenca të kufizuara dhe me duar të lidhura financiarisht”, u shpreh ai.
Në vijim, ai hodhi për diskutim edhe modele alternative organizimi, duke përmendur si shembull vendet nordike.
“Le ta diskutojmë hapur: nëse duhet të shkojmë drejt një modeli si ai i Suedisë, me më shumë kompetenca për pushtetin vendor, përfshirë mbledhjen e taksave dhe një funksionim më të fortë edhe në nivel qarku”, tha Boci, duke shtuar se autonomia vendore duhet të garantohet dhe në nivel kushtetues.
Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, duke iu referuar reformës së vitit 2015, Boci sqaroi se Partia Demokratike nuk e kishte braktisur procesin, por se ai ishte vendosur politikisht nga mazhoranca.
“Në 2015 nuk pati konsensus real. Reforma u imponua dhe rezultatet i kemi sot përpara: një model që nuk funksionon siç duhet”, u shpreh ai.
Sipas tij, ndryshe nga ajo periudhë, reforma aktuale duhet të ndërtohet nga poshtë-lart, duke dëgjuar qytetarët dhe duke reflektuar nevojat reale të komuniteteve. Boçi ngriti edhe çështjen e numrit të bashkive, duke kundërshtuar qasjen për reduktimin e tyre pa një marrëveshje të gjerë politike dhe shoqërore.
“Nëse në fund PS bën atë që kërkon – uljen e bashkive pa konsensus – çfarë fitojmë? E pranuam një herë dhe çfarë solli? Dështim. Nëse ndjekim të njëjtën rrugë, do të kemi të njëjtin rezultat”, deklaroi ai.
Në këtë kontekst, ai theksoi se Partia Demokratike mbron një model me më shumë bashki dhe më shumë autonomi vendore, si një mënyrë për të përmirësuar shërbimet dhe për të ruajtur lidhjen me komunitetin.
Sipas Boçit, vetëm një reformë e ndërtuar mbi konsensus dhe mbi interesin e qytetarëve mund të garantojë funksionimin real të pushtetit vendor dhe të shmangë përsëritjen e gabimeve të së kaluarës./mxh
