Çështja e Fredi Belerit përfundoi “shkëlqyeshëm” , deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e Alexis Papachelas, i cili theksoi se nuk e konsideron aspak qesharake këtë çështje.
“Në Shqipëri, 58% e të burgosurve ende nuk kanë dalë në gjyq”, shpjegoi kryeministri shqiptar, duke shtuar se ishte “e pafat” që Beleri duhej të qëndronte në burg. Megjithatë, ishte e dukshme se diskutimi për Belerin i shkaktonte atij nervozizëm, shkruan Kathimerini.
Aleksis Papahelas: Le të shkojmë te Fredi Beleri.
Rama: Te kush?
Papahelas: Te Beleri.
Rama: Po pse duhet t’i kthehemi, është i lumtur është eurodeputet. Për të çdo gjë përfundoi në të tillë mënyrë sa çdo kryetar bashkie që është çuar në paraburgim do ta kishte ëndërr, por vazhdojnë të jenë në burg. Sot kam provë që në atë kohë dukej sikur ishte rast unik. Dhe jam përpjekur t’ia shpjegoj mikut tim të dashur Qirjakos që kjo është diçka që ka të bëjë me një model në vendin tonë pas reformës në drejtësi që po bëhet një problem. Mund ta ndaj me ju, nuk jam krenar për këtë, por gjyqësori është i pavarur dhe ne duhet të merremi me këtë me durim. Në Shqipëri sot kemi 58% të personave në burgje që ende nuk kanë gjyq.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës nga partia ime, është burgosur në janar 2025 dhe vazhdon të jetë ende në burg dhe proçesi gjyqësor sapo ka nisur. Kur thashë që për Belerin përfundoi në mënyrë të mrekullueshme sepse është kryeparlamentar, ka marrë fund, nuk dua ti kthehem. Kam provë tashmë që kjo ka prekur vetëm një grek etnik. Është diçka që ka prekur shumë njerëz dhe mund të numëroj edhe të tjerë kryetarë bashkie që janë përballur me këtë.
“Të mbyllet çështja e Zonave Ekskluzive Ekonomike këtë vit”
Sa i përket Zonave Ekskluzive Ekonomike , Rama theksoi se tashmë ka një marrëveshje me qeverinë greke për përcaktimin e tyre, për të cilën do të vendosë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. “Çështja e Fredi Beleri krijoi disa vështirësi, sigurisht humbëm kohë, por ajo që karakterizon marrëdhënien time me Kyriakos Mitsotakis është respekti”, tha ai. “Ambicia jonë”, shtoi, “është të mbyllet çështja e ZEE-ve këtë vit, para fundit të vitit”.
Ai u shpreh gjithashtu i kënaqur që Shqipëria po diskuton me Greqinë për çështje energjetike, duke theksuar se nuk mendon se ekzistojnë probleme serioze mes dy vendeve.
“E shohim minoritetin grek si një thesar kulturor”
Lidhur me çështjen e pronave të minoritetit etnik grek në Shqipëri, Rama theksoi se është një problem që prek të gjithë qytetarët shqiptarë për shkak të kompleksitetit të legalizimit të pronave në vend. Ai tha se është një çështje për të cilën Kyriakos Mitsotakis ka qenë “këmbëngulës”, duke e vlerësuar për përpjekjet e tij. “Duhet të bëjmë më shumë për t’u treguar fqinjëve tanë sa shumë e vlerësojmë këtë marrëdhënie”, deklaroi Rama. “E konsiderojmë minoritetin grek si një thesar kulturor dhe e respektojmë sepse janë qytetarë të vendit tonë”, përfundoi ai./fjala.al
