Pak para publikimit të filmit biografik “Michael”, një nga anëtarët e familjes ka reaguar hapur ndaj medieve me një seri postimesh.
Taj Jackson, nipi i Michael Jackson dhe djali i Tito Jackson, përdori rrjetin X për të ironizuar mënyrën si media ka trajtuar figurën e xhaxhait të tij ndër vite. Ai u shpreh se mediat nuk mund ta “kontrollojnë më narrativën” për atë se kush ishte në të vërtetë Michael Jackson, duke shtuar se publiku tani do të ketë mundësinë ta shohë filmin dhe të vendosë vetë. Postimin e mbylli me një koment sfidues:
“Dhe ju nuk mund ta përballoni këtë.”
Filmi “Michael”, me regji nga Antoine Fuqua dhe i prodhuar pjesërisht nga trashëgimia e artistit, ndjek jetën e Mbretit të Pop-it që nga mosha 10-vjeçare si pjesë e grupit Jackson 5, deri në kulmin e famës së tij rreth vitit 1988, kur ishte 30 vjeç dhe në turne me albumin “Bad”. Rolin e tij e interpreton Jaafar Jackson, duke sjellë në ekran një version të detajuar të artistit në periudhat më të rëndësishme të karrierës.
Nipi i Michael Jackson sulmon mediet para publikimit të filmit biografik
Fillimisht, filmi ishte menduar të shkonte më tej në kohë dhe të përfshinte edhe akuzat tronditëse për abuzim seksual ndaj fëmijëve nga viti 1993, si dhe hetimet që pasuan. Por avokatët e trashëgimisë së Michael Jackson zbuluan se një marrëveshje e mëparshme me një prej akuzuesve e ndalonte përfshirjen apo përmendjen e tij në një film. Ky zbulim detyroi ekipin të rishkruante pjesën e tretë të filmit dhe të realizonte 22 ditë xhirime shtesë, me një kosto që shkoi nga 15 deri në 20 milionë dollarë.
Sipas parashikimeve të mëhershme, filmi pritet të hapet me 65–70 milionë dollarë në tregun amerikan dhe synon të arrijë rreth 700 milionë dollarë në total në mbarë botën. Megjithatë, deri tani ka marrë vetëm 37% vlerësim në Rotten Tomatoes nga kritikët, çka e bën pritjen edhe më të tensionuar. Në këtë kontekst, Taj Jackson vijoi me tone thumbuese, duke thënë:
“Mezi pres që disa kritikë të detyrohen të pranojnë gabimin”, dhe shtoi: “Po, do jem aq i keq sa t’ua përplas në fytyrë.”/mxh
