Last Updated on 24/04/2026 by Kesjana
Federata italiane e futbollit po shqyrton mundësinë për të bindur trajnerin spanjoll Pep Guardiola që të marrë drejtimin e kombëtares, në një moment krize të thellë për “azzurrët”. Ideja ka nisur të qarkullojë në media si një opsion ambicioz për të rindërtuar ekipin kombëtar.
Italia vjen pas dështimeve të njëpasnjëshme dhe kërkon një ndryshim rrënjësor në filozofinë e lojës dhe strukturën e ekipit. Në këtë kuadër, Guardiola shihet si figura ideale për të sjellë revolucion taktik dhe identitet të ri në përfaqësuese.
Megjithatë, realizimi i këtij operacioni konsiderohet shumë i ndërlikuar. Trajneri aktual i Manchester City ka kontratë afatgjatë dhe largimi i tij do të kërkonte një marrëveshje të vështirë si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë sportiv.
Një tjetër pengesë është fakti se Italia historikisht nuk ka pasur trajnerë të huaj në stolin e saj, çka do ta bënte këtë një vendim revolucionar. Pavarësisht kësaj, emri i Guardiolës vazhdon të ushqejë shpresat për një “rilindje” të futbollit italian.
Paralelisht, federata po mban në konsideratë edhe alternativa më realiste si trajnerë vendas me eksperiencë, por ideja për Guardiolën mbetet ajo që ndez më shumë entuziazëm te tifozët dhe opinioni sportiv. /kb
