Last Updated on 24/04/2026 by Anisa
Ky ilaç 4,000-vjeçar, i përdorur më së shumti për lehtësimin e dhimbjes, parandalon formimin e disa tumoreve dhe përhapjen e tyre në trup, zbulime që tashmë po ndikojnë në politikat shëndetësore.
Nick James, një zejtar mobiljesh britanik në të dyzetat, filloi të shqetësohej për shëndetin e tij pasi nëna i vdiq nga kanceri dhe vëllai i tij, së bashku me disa anëtarë të tjerë të familjes u diagnostikuan me kancer të zorrës së trashë. Ai vendosi të kryente testim gjenetik dhe rezultoi se mbante një gjen të dëmtuar që shkakton Sindromën Lynch, një gjendje që rrit ndjeshëm rrezikun për këtë lloj kanceri.
Ndihma erdhi nga një zhvillim i papritur, kur James u bë personi i parë që u regjistrua në një provë klinike për të testuar nëse një dozë e përditshme aspirine – një ilaç që merret pa recetë – mund të mbrojë nga zhvillimi i kancerit.
Në varësi të llojit të mutacionit gjenetik, 10–80% e personave me Sindromën Lynch zhvillojnë kancer të zorrës së trashë gjatë jetës së tyre. Por deri tani, për James gjërat duken mirë. “Ai ka qenë në trajtim me aspirinë për 10 vite pa asnjë shenjë kanceri,” thotë John Burn, profesor i gjenetikës klinike në Universitetin e Newcastle, i cili udhëhoqi studimin.
Kjo tingëllon pothuajse e pabesueshme, por prej kohësh ka pasur tregues se aspirina mund të ulë rrezikun e përhapjes së kancerit kolorektal – madje edhe shfaqjen e tij. Gjatë vitit të fundit, një sërë studimesh dhe provash kanë forcuar këto evidenca. Disa vende tashmë kanë ndryshuar udhëzimet mjekësore për ta përfshirë këtë ilaç si mbrojtje të linjës së parë për personat me rrezik të lartë (megjithëse ekspertët theksojnë se kjo duhet bërë vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut). Dhe më në fund, po fillojmë të kuptojmë pse ka këtë efekt të veçantë.
Rrënjë të lashta
Zbulimet e fundit i japin një kthesë të re historisë së një prej barnave më të vjetra dhe më efektive. Në fund të shekullit XIX, arkeologët zbuluan pllaka balte 4,400-vjeçare nga qyteti i lashtë mesopotam i Nippurit (Iraku i sotëm), që përmbanin lista ilaçesh të përbëra nga bimë, kafshë dhe minerale. Mes tyre kishte udhëzime për një substancë të nxjerrë nga shelgu.
Sot dimë se kjo përmban salicinë, një substancë që trupi e shndërron në acid salicilik, i cili qetëson dhimbjen. Struktura e saj është shumë e ngjashme me aspirinën moderne – acidin acetilsalicilik – por është më irrituese për stomakun. Edhe qytetërime të tjera të lashta, si egjiptianët, grekët dhe romakët, e përdornin këtë kurë.
Studimi modern i kësaj substance filloi në vitin 1763, kur kleriku anglez Edward Stone shkroi për vetitë e lëvores së tharë të shelgut kundër etheve. Rreth një shekull më vonë, shkencëtarët arritën të sintetizonin acidin salicilik në një formë më pak të dëmshme për stomakun – acidin acetilsalicilik – dhe e hodhën në treg me emrin Bayer.
Një shekull më pas, shkencëtarët zbuluan përfitime të papritura të aspirinës në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare – duke ulur rrezikun e mpiksjes së gjakut, pasi e bën gjakun më të hollë dhe trombocitet më pak “ngjitëse”. Për këtë arsye, institucione si NHS në Britani rekomandojnë doza të ulëta ditore për personat me rrezik të lartë për infarkt ose goditje në tru.
Në vitin 1972, u shfaqën edhe shenja të para se aspirina mund të parandalojë kancerin. Një studim me minj tregoi se shtimi i aspirinës në ujë uli ndjeshëm përhapjen e tumorit (metastazën). Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse ky efekt do të ndodhte edhe te njerëzit.
Një pikë kthese erdhi në vitin 2010, kur Peter Rothwell nga Universiteti i Oksfordit analizoi të dhëna ekzistuese dhe zbuloi se aspirina mund të ulë si shfaqjen, ashtu edhe përhapjen e kancerit.
Dëshmi në rritje
Provat më të forta vijnë nga studimet mbi pacientët me Sindromën Lynch. Në vitin 2020, John Burn publikoi rezultatet e një studimi me 861 pacientë, ku u zbulua se një dozë ditore 600 mg aspirinë për të paktën dy vite uli me rreth 50% rrezikun e kancerit të zorrës së trashë.
Studimet më të reja sugjerojnë se edhe doza më të ulëta (75–100 mg) mund të jenë po aq efektive, madje më të sigurta për shkak të efekteve anësore më të pakta, si: probleme me tretjen, gjakderdhje të brendshme, ulçera apo hemorragji cerebrale.
Në Suedi, një studim tjetër me pothuajse 3,000 pacientë tregoi se aspirina uli më shumë se pgjysmën e rrezikut të rikthimit të kancerit pas operacionit. Kjo ka çuar tashmë në ndryshime në praktikën mjekësore.
Si funksionon?
Mekanizmi i saktë ende nuk është plotësisht i qartë. Aspirina vepron si brenda, ashtu edhe jashtë qelizës. Një nga shpjegimet lidhet me enzimën Cox-2, e cila ndihmon në prodhimin e prostaglandinave – substanca që mund të nxisin rritjen e pakontrolluar të qelizave. Aspirina e bllokon këtë proces.
A është një zgjidhje për të gjithë?
Pyetja se kush duhet të marrë aspirinë rregullisht mbetet e hapur. Disa studiues besojnë se përfitimet e kombinuara për zemrën dhe kancerin mund të justifikojnë përdorim më të gjerë.
Megjithatë, shumica e ekspertëve janë të kujdesshëm. Aspirina mund të shkaktojë efekte anësore serioze dhe nuk funksionon njësoj për të gjithë apo për çdo lloj kanceri. Për këtë arsye, rekomandohet vetëm për grupe të caktuara pacientësh dhe gjithmonë nën këshillën e mjekut./BBC-fjala.al
