Last Updated on 24/04/2026 by Anisa
Agron Duka ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit për Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke sinjalizuar se mund të garojë edhe jashtë një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë me opozitën.
Në një intervistë për Klan News, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste u shpreh se opozita ka potencial për të fituar disa bashki, por kjo varet kryesisht nga përzgjedhja e kandidatëve të duhur që gëzojnë besimin e qytetarëve.
Ai theksoi se zgjedhjet vendore kanë një specifikë të veçantë, pasi fokusi kryesor është te individi dhe jo vetëm te sigla politike.
Diskutimi:
Besard Jacaj: Çfarë shansesh ka PD dhe opozita për të fituar diçka në zgjedhjet e ardhshme, në vitin 2027?
Agron Duka: “Shanset janë shumë, nëse do të dijë të zgjedhje, sepse zgjedhjet vendore kanë një veçori, pasi përqendrohen më shumë tek individi. Nëse do të zgjedhë individë, të cilët dinë të fitojnë besimin e njerëzve edhe mund të fitojë, një numër bashkish. Gjendja reale nuk është pozitive, në zonën time vetëm Kavaja ka fituar, ndërkohë që mund të kemi shanse edhe në Durrës.”
I pyetur nëse do të pranonte një ftesë nga opozita për të kandiduar për kryebashkiak të Durrësit, Duka nuk e përjashtoi këtë mundësi, por theksoi se vendimi do të varet nga rrethanat dhe gjasat reale për fitore.
Besard Jacaj: E pranoni ju një ftesë nga opozita për të kandiduar për kryebashkiak të Durrësit?
Agron Duka: “Mbetet për t’u parë, jo vetëm që mund të diskutojmë, por unë kam edhe forcën time politike. Nëse e shoh, që ka gjasa për të fituar unë mund të kandidoj edhe si i Partisë Agrare Ambientaliste. Mund të jetë edhe më e suksesshme, sepse mund të jetë kundër të dyjave. Ka edhe një vit kohë, por gjithsesi mbetet për t’u menduar.”
Deklaratat e Dukës vijnë në një kohë kur opozita, e drejtuar nga Sali Berisha, po përballet me sfida në konsolidimin e saj dhe në përzgjedhjen e kandidatëve konkurrues për zgjedhjet e ardhshme vendore.
