Marsi ka shënuar edhe pikën e kthesës për turizmin pas një nisje të ngadaltë në dy muajt e parë. Të dhënat zyrtare të Lëvizjes së Shtetasve tregojnë për një rritje me rreth 11 për qind të të huajve që kanë hyrë në vendin tonë.
Ky tregues në janar dhe shkurt ishte në rënie dhe më pas në një rritje të papërfillshme.
Kjo ecuri e ngadaltë sipas turoperatorëve erdhi edhe si efekt i kushteve jo të favorshme të motit teksa muaji mars ka shënuar një përshpejtim ndikuar nga një rritje e tureve kulturore të organizuara por edhe vizitorëve individualë.
Një nga elementët që duket se do të favorizojë turizmin këtë vit është edhe ai i luftës në Lindjen e Mesme.
Shumë prej vizitorëve sidomos europianë kanë ndryshuar planet e tyre në kushtet e rritjes së pasigurisë në zonën e konfliktit duke kërkuar alternativa të reja.
Një pritshmëri e tillë pozitive është konfirmuar edhe nga qeveria.
Pritshmëria është që edhe ky vit të jetë një vit i mirë për turizmin me sezonin veror që nis zyrtarisht në maj dhe kur turistët e parë të organizuar me chartera vijnë në mes të këtij muaji në zonën e Golemit.
Lëvizja e shtetasve në mars
INSTAT raportoi se gjatë muajit Mars 2026, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.289.468 shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Ky tregues ka pësuar një rritje me 11,7%, krahasuar me Mars 2025. Gjithashtu, 1.282.702 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 8,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sa i takon hyrjeve në vend janë të paktën 680.105 shtetas shqiptarë (rritje me 12,5%) dhe 609.363 shtetas të huaj (rritje me 10,8%).
“Daljet nga Shqipëria: • Shtetas shqiptarë: 677.471 (rritje me 9,0%) • Shtetas të huaj: 605.231 (rritje me 7,9%) Rajonet e hyrjes së shtetasve të huaj: • Evropa Jugore kontribuon me 80% dhe Evropa Perëndimore me 7% të hyrjeve nga Evropa” thuhet në publikim./monitor.al



