Në një pritje me Ambasadorin britanik në Tiranë, Nicholas Abbott, Elisa Spiropali vuri në qendër një prej fenomeneve më shpresëdhënëse për Shqipërinë: kthimin e të rinjve që kanë studiuar në universitetet më të mira të Britanisë përmes programit Chevening. Sipas saj, këta të rinj po zgjedhin të rikthehen jo për detyrim, por të shtyrë nga ndjenja e përgjegjësisë qytetare, angazhimit intelektual dhe besimit për të kontribuar në vendin e tyre. Ky rikthim, tha ajo, përfaqëson një nga shenjat më reale të progresit dhe një burim të vërtetë shprese për zhvillimin e Shqipërisë.
Postimi i plotë:
Shqiptarët që kthehen
Në pritjen e Ambasadorit britanik në Tiranë, Nicholas Abbott, pashë dhe u preka nga dukuria më kuptimplote dhe më shpresëdhënëse që nuk e evidentojmë dhe nuk e shpërblejmë sa meriton: Shqiptarët që ikin, studiojnë, dhe nuk harrojnë. Shqiptarët që kthehen.
Të rinjtë pjesë e programit Chevening kanë studiuar në universitetet më të mira britanike. Kanë prekur standardet më të larta të dijes dhe të jetës akademike. Megjithatë, kanë zgjedhur të kthehen.
Jo për detyrim. Por për një ndjenjë të lartë kuptimi human, detyrimi intelektual, përgjegjësie qytetare, besimi atdhetar, që edhe pse nuk mësohen në libra dhe nuk janë të shprehura, aq më pak të detyruara, nga asnjë kod apo kanun, janë gurët e themelit të një qytetërimi si i yni në rrugën e vështirë e të gjatë të progresit.
E njoh këtë rrugë. E kam kaluar vetë. E di që kthimi nuk është gjithmonë zgjedhja më e lehtë, as rruga më e favorshme. Por është shtegu që të lidh me diçka më të lartë e më të madhe se vetja: Tërësinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët, mes një mijë vështirësish punojnë e lodhen, përparojnë e ëndërrojnë.
Këta të rinj nuk janë thjesht përfitues të një burse, apo shembuj të gjallë të një vullneti pozitiv. Janë bartës të një standardi që Shqipëria institucionale duhet ta konsiderojë më nga afër, ta njohë më thellë, ta përkrahë si e meriton. Janë ura mes epokave të zhvillimit tonë, asaj që duam dhe asaj që mundemi, asaj që kemi qenë, asaj që jemi dhe asaj që mund të bëhemi, dhe do bëhemi. Këta bashkë me shumë e shumë shqiptarë që kanë qëndruar këtu, e shumë që ia kanë dalë në botë, janë luftëtarët e meritës.
Shpresa dhe rezultatet reale të progresit tonë, nuk vijnë nga fjalimet, ligjëratat, deklaratat, muhabetet. Vijnë nga merita. Vijnë edhe nga këto kthime. Nga këta njerëz që vendosin të punojnë e ndërtojnë këtu ku vijnë, me dijet që morën atje ku ikën.
Shqipëria nuk ndryshon duke lakmuar botën.
Shqipëria ndryshon e përparon kur shqiptarët me ndjeshmëri, vizion, guxim, vetëdijë kombëtare, kthehen nga bota për të ndërtuar Shqipërinë.
