Last Updated on 24/04/2026 by Monika
Në debatin për reformën territoriale, vëmendja përqendrohet pothuajse gjithmonë te kufijtë. Por pyetja më e rëndësishme nuk është ku vendoset vija ndarëse në hartë. Pyetja e vërtetë është: çfarë nuk ka funksionuar në qeverisjen vendore dhe a zgjidhet realisht kjo duke ndryshuar kufijtë?
Të lidhësh automatikisht përmirësimin e shërbimeve me madhësinë e bashkisë është gabim sepse një bashki më e madhe nuk bëhet domosdoshmërisht më efikase, as një bashki më e vogël nuk bëhet vetvetiu më pranë qytetarit. Cilësia e shërbimit varet nga ndarja e qartë e funksioneve, nga drejtimi, nga kapacitetet profesionale, nga kontrolli mbi administratën, nga aftësia për të planifikuar investime dhe nga llogaridhënia ndaj qytetarëve.
Nëse këto elemente nuk preken, ndryshimi i hartës nuk prodhon reformë por vetëm një administrim të ri të të njëjtave probleme.
Bashkitë shpesh e kanë arsyetuar fryrjen e administratës me nevojën për të mbuluar më mirë territorin dhe shërbimet. Ky argument nuk mund të hidhet poshtë pa analizë. Por po aq e vërtetë është se shumë bashki ekzistuese i kanë kompetencat bazë për të zhvilluar territorin e tyre, për të përmirësuar shërbimet dhe për të tërhequr investime. Aty ku kjo nuk ka ndodhur, problemi nuk ka qenë harta. Shpesh problemi ka qenë klientelizmi, punësimet politike, mungesa e profesionalizmit dhe dobësia e drejtimit.
Ndryshimi i kufijve nuk e eliminon këtë barrë por e zhvendos atë në një territor tjetër, më të vogël ose më të madh.
Pikërisht këtu duhet parë një alternativë më e zgjuar për Shqipërinë: forcimi i nivelit rajonal dhe i strukturave ndërmjetëse. Qarku, prefektura apo mekanizma të tjerë rajonalë nuk duhet të mbeten hallka formale, por të kthehen në instrumente reale koordinimi, mbështetjeje, standardizimi dhe kontrolli. Në shumë vende europiane, niveli i dytë i qeverisjes përdoret për të krijuar ekonomi shkalle, për të koordinuar investime që kalojnë kufijtë e një bashkie dhe për të mbështetur njësitë vendore që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë, ku shumë probleme nuk mbyllen brenda kufijve të një bashkie. Menaxhimi i mbetjeve, pyjeve, ujërave, transportit, emergjencave civile, turizmit, zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturës kërkon bashkërendim më të gjerë territorial. Për këto çështje, zgjidhja nuk është domosdoshmërisht të ndryshosh hartën administrative, por të ndërtosh një nivel më të fortë koordinimi mes qeverisë qendrore dhe bashkive.
Mbase problemi më i madh që shpesh anashkalohet është cilësia e drejtimit. Nuk është e drejtë që dështimi i disa drejtuesve vendorë të përdoret si argument për të ndëshkuar qytetarët me një reformë të padobishme. Një drejtues i dobët mund të dëmtojë një bashki të madhe po aq sa një bashki të vogël. Një drejtues i mirë, nga ana tjetër, mund të përmirësojë ndjeshëm shërbimet edhe brenda kufijve ekzistues.
Prandaj reforma nuk duhet të nisë nga pyetja se sa bashki duhet të ketë Shqipëria. Ajo duhet të nisë nga pyetja se si matet performanca e tyre. Cilat bashki ofrojnë shërbime më të mira? Cilat kanë administratë të fryrë? Cilat investojnë më mirë? Cilat kanë më shumë transparencë? Cilat kanë kapacitete të pamjaftueshme dhe kanë nevojë për mbështetje rajonale?
Pa këto përgjigje, çdo ndryshim harte mbetet politik, jo funksional.
Debati mbi reformën territoriale duhet të shkojë përtej hartës dhe të konsiderojë nevojën për audit funksional të administratës vendore, standarde të detyrueshme performance, ndarje më të qartë të funksioneve mes bashkisë dhe nivelit rajonal, kontroll mbi fryrjen e administratës, profesionalizim të stafit dhe mekanizma realë llogaridhënieje.
Nëse qëllimi është përmirësimi i shërbimeve, Shqipëria nuk ka nevojë domosdoshmërisht për një hartë të re. Ajo ka nevojë për funksione të qarta, administratë të disiplinuar, nivel rajonal më të fortë dhe një sistem që matet me rezultate, jo me numër punonjësish. Para se të ndryshojmë kufijtë, duhet të rregullojmë funksionimin. Vetëm atëherë reforma do të ketë kuptim real për qytetarin./monitor.al
Mikel Qafa- Pedagog në Ekonomiks dhe Shkenca Kompjuterike
Nënkryetar i Bashkisë së Fushë Arrëzit
